10/07/2023
Të jesh kandidati më i mirë ka pak vlerë nëse nuk arrini në fazën e intervistave për ta demonstruar këtë. Aplikimi është rruga për të arritur në intervistë. Përkujdesja që kjo të bëhet mirë gjithashtu do të ju ndihmojë të përgatiteni për procesin e intervistave. Qëllimi juaj është që t’i përgjigjeni kritereve të konkursit në atë mënyrë që ja lehtëson panelit intervistues t’i sheh dëshmitë karshi kritereve.
Kur të jeni gati të aplikoni për punë apo pozitë, këtu janë disa pika që duhen marrë parasysh gjatë përgatitjes së aplikacionit:
Ndani mjaft kohë për të përgatitur të gjitha dokumentet tuaja dhe aplikacionin. Kështu do të mund të kontrolloni se a i keni të gjitha. Nëse e lini këtë për ditët e fundit për aplikim gjasat për të harruar diçka do të jenë më të mëdha. Çdo herë e më shpesh në konkurset e shpallura ceket që dokumentacioni i pakompletuar do të rezultojë me eliminim të aplikantëve në listën e ngushtë. Pavarësisht se a ceket kjo në konkurs apo jo, përgjegjësia është e juaja që të paraqitni të gjitha që kërkohen me aplikacion dhe para datës së mbylljes së konkursit. Gabimet e thjeshta ndikojnë që edhe kandidatët e mirë të mos hyjnë në listë të ngushtë p.sh. certifikata që kandidati nuk është nën hetime, është e vjetër.
Tingëllon si shumë e qartë, megjithatë shumë kandidatë nuk i lexojnë kërkesat e konkursit me vëmendjen e duhur. Lexoni me vëmendje kriteret – kjo është ajo që kërkohet ta përmbushni, demonstroni dhe më e rëndësishmja ta dëshmoni. Lexoni të gjitha detajet në lidhje me procesin e rekrutimit dhe kriteret themelore dhe të sjelljes që vlerësohen për pozitën (rolin).
Kushtojini vëmendje detajeve të konkursit dhe mendoni pse dhe si roli dhe organizimi i vendit të punës mund të jetë një hap i mirë për ju dhe karrierën tuaj;
Kjo mund të duket që merr kohë dhe si gjë e lodhshme. Megjithatë, do të ju ndihmojë më vonë kur të rishikoni se çka keni përgatitur. Në këtë fazë mund ta bëni edhe një vetë-vlerësim duke shqyrtuar tri pyetje:
Kontrolloni me kujdes listën e kufizimeve se kush nuk mund të aplikojë.
Përdorni dhe qasuni në çdo link për informata të mëtejme rreth pozitës dhe aplikimit, p.sh., profilet e pozitave, formularët e aplikimit, etj.
Rishikoni dhe përditësoni CV-në tuaj për t'u siguruar që të përfshihen të gjitha përvojat përkatëse për pozitën për të cilin po aplikoni.
Nëse konkursi kërkon që të keni diplomë të caktuar – a e keni diplomën përkatëse? Disa konkurse kërkojnë që të keni diplomë relevante për sektorin apo punën e kompanisë apo organizatës. Nëse mendoni se diploma juaj është relevante, por që të tjerët mund të mos e shohin menjëherë pse është relevante, atëherë përkujdesuni ta shpjegoni relevancën e saj në aplikacionin tuaj, CV-në, apo në Letrën e Motivimit – apo edhe më mirë, në të tri këto dokumente ku kërkohet.
Në shumë raste mund të kërkohet së paku diplomë nga studimet katërvjeçare. Nëse diploma juaj është nga studimet trevjeçare atëherë kërkohet që të keni edhe diplomë shtesë (p.sh. Master) dhe të paraqitni certifikatat për to.
Nëse ndonjëra nga diplomat tuaja janë fituar jashtë Kosovës dhe ju po aplikoni në institucione të administratës publike, atëherë duhet t’i nostrifikoni ato. Nostrifikimi u mundëson rekrutuesve që ta llogaritë atë kualifikim si të vlefshëm në kontekst të Kosovës. Nëse diploma e tillë nuk është e nostrifikuar me gjasë nuk do të pranohet. Diplomën tuaj nga studimet jashtë vendit mund ta nostrifikoni nga autoriteti përkatës i Arsimit në Kosovë.
Nëse keni diploma tjera, p.sh. master, PhD ose jeni profesor. Mos supozoni që kjo dëshmi e zëvendëson dëshminë për diplomë të studimeve bazike. Edhe pse këto nuk mund të arrihen pa diplomë të studimeve bazike, prapë kërkohen të gjitha certifikatat e studimeve. Data e diplomimit tuaj përdoret për të llogaritur përvojën tuaj të punës, pasi që përvoja juaj e punës duhet të jetë pas kësaj date.
Nëse kërkohet të dorëzohet letër motivimi, sigurohuni që t'i përputhni përvojat tuaja me kërkesat dhe sjelljet thelbësore të kërkuara për pozitën. Kastori ofron shumë resurse për letra motivimi:
Zakonisht në konkurse kërkohen 5 vite përvojë në menaxhim apo në menaxhim të lartë. Nganjëherë edhe 8 vite përvojë profesionale. Pavarësisht afateve kohore, ta keni parasysh që përvoja e juaj menaxheriale dhe/ose profesionale do të llogaritet vetëm pas diplomimit tuaj (apo diplomës master për ata që kanë kryer studime trevjeçare).
Duhet t’i llogaritni vitet, muajt dhe ditët kur keni qenë në pozita që përmbushin këto kritere. Nëse nuk i keni vitet e kërkuara të përvojës atëherë nuk mund të aplikoni. Aty ku i keni, kujdesuni që ta shpjegoni këtë plotësisht dhe qartësisht. Paraqitni periudhat kohore qartazi që anëtarët e Komisionit të mund ta shohin këtë menjëherë. Tregoni datat e plota të fillimit dhe mbarimit për secilën pozitë (përfshini ditën, muajin dhe vitin). Shënoni kohëzgjatjen e plotë në çdo pozitë në vite, muaj dhe ditë; dhe këto do të kontrollohen.
Sigurohuni që të gjitha datat që i paraqitni në aplikacion, në CV dhe dokumentet tjera të përputhen tërësisht. Aty ku ka mospërputhje në data rekrutuesit mund t’i referohet dëshmive të punësimit tuaj në vend të asaj që keni pohuar në CV-në tuaj. Dëshmi e punësimit mund të jetë një letër zyrtare nga kompania ose institucioni p.sh. kontrata e punësimit. Letrat personale nga njerëzit me të cilët keni punuar, qoftë edhe nga Drejtori juaj, mund të ndodhë që nuk pranohen si dëshmi. Veç kësaj, duhet të siguroheni që dëshmitë t’i vërtetoni përmes dokumenteve të Trustit Pensional. Edhe këto dëshmi duhet t’i siguroni dhe paraqitni. Mungesa e këtyre dëshmive do të rezultojë me refuzim të aplikacionit tuaj.
Periudhat e punësimit për të cilat nuk keni dëshmi nuk do të llogariten dhe kjo mund të ndikojë në refuzim të aplikacionit tuaj p.sh. nëse për një pozitë nuk ka dëshmi (dhe ajo nuk llogaritet) dhe për shkak të kësaj nuk përmbushet numri i minimal i viteve të përvojës atëherë aplikacioni juaj mund të refuzohet.
Shikoni se sa keni dëshmi për përvojën që përmbushë, apo është afër, nivelit për pozitën për të cilën aplikoni. Dhe edhe pse aplikacioni juaj nuk do të refuzohet domosdoshmërisht për shkak të nivelit të përvojës tuaj, gatishmëria juaj për këtë pozitë do të testohet gjatë intervistës. Duhet të vendosni nëse jeni aplikant i besueshëm për pozitën duke pasur parasysh përvojën e mëhershme - p.sh. nëse aplikoni për pozitën Drejtor, a keni përvojë në menaxhim të lartë, që ju bën të përgatitur për pozitën e Drejtorit?
Kushtojini vëmendje dhe sigurohuni që çdo kërkesë për aplikim të përfshihet, është e rëndësishme të mos humbni asnjë provë në aplikacionin tuaj;
Bëni një listë të të gjitha dokumenteve që kërkohen në konkurs dhe kontrolloni që i keni siguruar dhe përfshirë të gjitha. Dijeni që çdo dokument që mungon mund të ndikojë që aplikacioni juaj të refuzohet. Nganjëherë konkurset theksojnë që dokumentacioni i pakompletuar rezulton me refuzim të aplikacionit – e nganjëherë jo. Megjithatë, gjithmonë është përgjegjësi e aplikantit që ta kompletoj dokumentacionin e nevojshëm.
Pavarësisht se a i përmend konkursi apo ajo pasojat e moskompletimit të dokumenteve, aplikacioni juaj mund të refuzohet si rezultat i mungesës së dokumenteve. Shikoni me vëmendje se brenda cilave data duhet të jetë e lëshuar certifikata që kandidati nuk është nën hetime. Në disa raste kjo kërkohet të jetë lëshuar pas datës së shpalljes së konkursit. Në raste tjera kjo nuk theksohet. Kur nuk theksohet kujdesuni që certifikata juaj të jetë më e re se 6 muaj.
Kushtojini vëmendje të veçantë kërkesave për të dorëzuar ose përcjellë aplikacionin tuaj dhe datave të mbylljes së konkursit. Nëse aplikacioni dhe dokumentet tuaja dorëzohen pas afatit për aplikim ato nuk do të pranohen.
Tani që e keni plotësuar aplikacionin hollësisht dhe sistematikisht, ja keni dhënë vetës rastin më të mirë për sukses dhe keni besim që i keni bërë të gjitha që mundeni.
***
Disa informata rreth aktiviteteve për listën e ngushtë në një proces rekrutimi:
***
Vlerësuesit shqyrtojnë rezultatet nga procesi i listës së ngushtë si boshllëqet e zakonshme që shfaqen, Kriteret e Sjelljes që kërkohen për pozitën etj. dhepërcaktojnë metodat më të përshtatshme të vlerësimit që do të përdoren:
Pasi të jenë identifikuar metodat e vlerësimit, kandidatët e suksesshëm në listën e ngushtë informohen për datat, kohën e caktuar të arritjes dhe kohëzgjatjen e vlerësimit. Kandidatëve u jepen detaje rreth metodave që do të përdoren gjatë vlerësimit dhe kjo u jep mundësi të përgatiten për këtë fazë të ardhshme.
***
Lexo më shumë: 5 gjërat që ua shkatërrojnë mundësitë për tu ftuar në intervistë pune
Abonohu për konkurset dhe lajmet më të fundit