Blog > Intervistë Pune

Pyetje dhe përgjigje të intervistës të bazuar në kompetenca

Pyetje dhe përgjigje të intervistës të bazuar në kompetenca

Ju mund të jeni mësuar, apo shpesh keni dëgjuar, për një format të përgjithshëm dhe tradicional të intervistës për punë ku diskutohet përvoja dhe kualifikimet e mëparshme. Sidoqoftë, intervistat e bazuara në kompetenca janë tërësisht ndryshe. Ato mbështeten në pyetjet të cilat synojnë të zbulojnë se si ju keni përdorur aftësitë specifike në përvojën e mëparshme dhe si i qaseni problemeve, detyrave dhe sfidave.

Intervistuesit zakonisht i përdorin këto përgjigje për të kuptuar më mirë personalitetin tuaj, procesin e mendimit, dhe mënyrën se si mund të veproni potencialisht në të ardhmen. Ato pastaj krahasohen me standardet specifike për të parë nëse kandidati është i përshtatshëm për kompaninë apo organizatën që po aplikon.

Shumica e punëdhënësve, veçanërisht ata që punësojnë shumë punëtorë, janë të interesuar të zhvillojnë teste dhe intervista të kompetencës dhe kjo bëhet për të siguruar që aplikantët jo vetëm përmbushin aftësitë specifike të kërkuara për vendin e punës, por gjithashtu mund të përballen me vizionin më të gjerë të kompanisë.

Si t’i qaseni pyetjeve të bazuara në kompetenca

Mënyra më e mirë për t’u përgatitur për pyetje të bazuara në kompetenca është të reflektoni për përvojën tuaj të punës. Intervistuesit kërkojnë të marrin sa më shumë informacion që të jetë e mundur prej jush, prandaj sigurohuni që përgjigjet të ofrojnë të gjitha detajet e nevojshme që intervistuesi të kuptojë qëllimin e përgjigjes.

Shpesh, intervistuesit do të përqendrohen në raste të dështimeve ose sukseseve të së kaluarës tuaj. Domosdoshmërisht, pranimi i dështimeve nuk do të reflektojë negativisht në intervistë nëse tregoni se si e korrigjuat situatën, atë që keni mësuar, dhe si planifikoni të shmangni përsëri të njëjtin gabim.

Shembuj: Pyetje dhe pergjigje

Në vijim po japim disa shembuj të pyetjeve dhe përgjigjeve të rekomanduara për intervistat e bazuara në kompetencë. Disa pyetje mund të bëhen pothuajse për çdo vend pune, ndërsa disa pyetje janë specifike për punë të caktuara.

Pyetje dhe Përgjigje për pozitë në shitje

Intervistuesi pyet: “Si e vlerësoni aftësinë tuaj të shitjes në krahasim me shitësit e tjerë?”

Përgjigjet e kandidatit: “Unë konsiderohem si një prej shitësve kryesor në kompaninë tonë. Kam marrë shpërblime dhe bonuse disa herë si shitës udhëheqës në kompani.”

Koment: Kjo përgjigje arsyeton në mënyrë adekuate pyetjen e bërë.

Pyetje: “Jepni një shembull të aftësisë tuaj të shitjes.”

Përgjigje: Kandidati i cili deklarohet me mungesë vetëbesimi, dhe përgjigjet: “Nuk po më kujtohet momentalisht një shembull specifik”, do të lërë një përshtypje të keqe.

Kandidati i cili deklarohet me vetëbesim do të përgjigjet: “Muajin e kaluar unë arrita një marrëveshje të rëndësishme me një firmë të njohur të importimit të kompjuterëve. Marrëveshja uli ndjeshëm shpenzimet e kompanisë për tremujorin e fundit.”

Në intervistën e bazuar në kompetenca, kandidati duhet të dëshmojë kompetencë duke dhënë shembuj specifikë.

Pyetje & Përgjigje për pozita si anëtar ekipi

Shembuj të roleve apo vendeve të punë si "Anëtar i Ekipit" janë kryesisht në fushën e programimit, shërbimit ndaj klientit, inxhinierët e projektit, ekipi i kontabilistëve, etj. Pyetjet për një pozitë pune si anëtar i ekipit zakonisht do të testojnë aftësinë për t’u përshtatur në ekip, për të krijuar marrëdhënie të mira, për të pranuar autoritetin, dhe për të punuar nën presion.

Pyetje: “Si do ta përshkruanit veten si anëtar i ekipit?” “Cfarë të pëlqen më shumë, të punosh në ekip apo të punosh vetëm?

Përgjigje: “Unë punoj mirë në kuadër të ekipit. Më pëlqen shoqëria e njerëzve, më pëlqen të punoj në ekip dhe jam gjithmonë i gatshëm të ndihmoj të tjerët”.

Pyetje: “Më jep një shembull të një kontributi që ke dhënë në ekipin e punës.

Përgjigje: “Kohët e fundit kam punuar me pesë programerë në projekt për një kompani të madhe ushqimore. Kam dhënë kontribut të rëndësishëm në suksesin e ekipit dhe në realizimin e projektit. Në fund të projektit mora letër falënderimi për kontributin dhe suksesin e ekipit”.

Pyetja: “Si veproni me punën nën presion?

Përgjigje: “Mendoj që punoj mirë edhe nën presion. Për shembull, numri i punëtorëve në departamentin tonë u shkurtua kohët e fundit ndërsa sasia e punës që m’u dha gati u dyfishua. Menaxherët kërkuan nga unë që të punoja jashtë orarit dhe besoj që kam arritur të veproj me efikasitet dhe në mënyrë profesionale gjatë një kohe të ngarkuar dhe stresuese. Kam dëshmuar efikasitet dhe profesionalizëm përkundër stresit”.

Koment: Nëse jepni shembull kjo përforcon kompetencën që e përshkruan një kandidat.

A jeni përballur ndonjëherë me konflikt gjatë punës në ekip?

Shumë punëdhënës duan të dinë që ju mund të krijoni marrëdhënie të shëndetshme, të zgjidhni probleme, dhe të punoni në ekip. Në përgjigjen tuaj, theksoni aftësitë për zgjidhjen e konflikteve, aftësitë komunikuese, dhe gjykimin. Kujtoni një shembull ku keni tejkaluar një pengesë grupore me bashkëpunëtorët tuaj.

Shembull: “Unë punoja me një ekip si zyrtar i marketingut për të ndihmuar në krijimin e fushatave efektive për klientët tanë. Në një rast, ne nuk mund të arrinim marrëveshje se si të reklamojmë produktin e klientit të caktuar. Kishim një javë për të bërë prezantimin dhe kaluam tërë kohën duke diskutuar për secilin plan dhe përfundimisht formuam një fushatë nga sugjerimet më të mira të secilit anëtar të ekipit. Klienti ishte i lumtur dhe fushata doli e suksesshme. Pas asaj përvoje, sa herë që kishte mospajtim brenda grupit, ne u fokusuam për të bërë kompromise dhe të marrim vendime në grup. Si rezultat, dinamika e ekipit u përmirësua, dhe numri i shitjeve u rrit rreth 7% gjatë tre muajve të ardhshëm.”

A keni pasë rast kur mbikëqyrësi ka kërkuar të bëni diçka me të cilën nuk keni qenë dakord?

Në disa situata, juve mund të ju jepet një detyrë që nuk ndjeheni rehat ta kryeni ose nuk mund ta kuptoni vlerën. Kjo pyetje ju lejon të shfaqni aftësinë tuaj për të analizuar një sfidë dhe për të shprehur në mënyrë efektive mendimet tuaja. Mundohuni të shpjegoni kohën kur keni vënë në dyshim udhëzimet e menaxherit tuaj dhe si arritët në një zgjidhje.

Shembull: “Gjatë punës time të mëparshme për një kompani të shitjeve të veturave, menaxheri vendosi një kuotë të lartë të shitjes. Unë mendoja që kuota e shitjes e bënte të vështirë ofrimin cilësor të shërbimeve. Doja të isha i sinqertë dhe i drejtë për të gjithë klientët e mi, edhe nëse kjo nënkuptonte të jesh fleksibil për çmimin. Unë kërkova takim me menaxherin ku shpreha shqetësimin tim për obligimin për të përmbushur kuotën dhe për t’i bërë klientët e lumtur. Menaxheri e kuptoi arsyetimin tim, por prapë donte që unë të plotësoja kuotën për të rritur përfitimin. Përfundimisht, ne vendosëm se do të ishte e dobishme nëse unë do të punoja pak kohë me kolegun që kishte performancë më të lartë për të mësuar rreth taktikave që ai përdorte. Pas dy ditësh, unë arrita të nxjerr disa strategji efektive për të ndihmuar në rritjen e shitjeve të mia. Nuk e arrita kuotën tre muajt e parë, por arrita ta tejkaloj atë me 5% për tetë muaj radhazi.”

Pyetje të bazuara në kompetencë për pozita udhëheqëse

Pyetje: “Si ju shikojnë njerëzit si menaxher?"

Përgjigje: “Unë vlerësohem si menaxher që udhëheq dhe është autoritativ; njerëzit i besojnë gjykimit tim. Unë i dëgjoj pikëpamjet e të tjerëve me mendje të hapur, marr vendime kur të jetë nevoja, dhe ap kontribut domethënës në arritjen e qëllimeve të organizatës”.

Koment: Një kandidat i përshtatshëm beson në vetvete dhe nuk është tepër modest.

Pyetje: "A mund të më tregoni për një rast kur ju është dashur të merrni një vendim të vështirë?"

Shembull: “Si menaxher, më duhej të vendosja të promovoja vetëm një prej anëtarëve të ekipit tim. Edhe pse u përpoqa t'i shpjegoja menaxhmentit se të dy meritonin promovimin, kufizimi ishte ende aty. Përfundova duke zgjedhur atë që kishte qenë më gjatë me kompaninë, pasi nuk gjeja një mënyrë tjetër për të vendosur. Në fund, personi që nuk mori promovimin shkoi të punojë për një kompani të madhe të teknologjisë dhe më vonë më falënderoi që nuk e promovova. Kam mësuar prej kësaj situate. Herën tjetër do të përpiqem me shumë vendosmëri që ekipi im të marrë atë që meriton.

Fushat e kompetencës

Këtu është një shembull i një sërë fushash të kompetencave të sjelljes që vlerësuesit do t’i përdorin në një proces rekrutimi. Këto më poshtë janë tipike për një gamë të plotë sjelljesh për performancë efektive të pozitës dhe vlerësuesit zakonisht zgjedhin disa nga këto kompetenca.

Mendimi strategjik -  I aftë që të kuptojë dhe t’i lidhë gjërat në kontekst më të gjerë si dhe të artikulojë vizionin afatgjatë të organizatës, dhe të përgatisë planet për realizimin e atij vizioni.

Mendimi kreativ - Gjithnjë në kërkim të mënyrave të reja për të arritur rezultatet e dëshiruara, duke vënë në pyetje rregullisht mënyrat tradicionale të punës, si dhe vlerëson dhe zhvillon ide të reja.

Zgjidhja e problemeve - I aftë për të analizuar informatat dhe demonstruar fleksibilitet në mendim.

Orientimi kah rezultatet - I përqendruar kah klienti dhe i kupton nevojat dhe aspiratat e shfrytëzuesit të fundit, rregullisht përqendrohet në rezultate, dhe është në gjendje që të përcaktojë objektiva për arritjen e rezultateve  dhe të mat arritjen e tyre.

Lidershipi - Përcakton kahjen e organizatës, dhe i aftë për të inspiruar të tjerët, ndërton ekipe efektive dhe përdorë qasje të ndryshme të udhëheqjes kur nevojitet.

Menaxhimi - I kupton sistemet për menaxhimin e resurseve dhe financave, është i aftë në planifikim dhe organizim dhe i gatshëm që të delegojë përgjegjësitë.

Komunikimi - Komunikon mirë verbalisht dhe me shkrim, me audiencat e brendshme dhe të jashtme, dhe përdorë metoda të ndryshme për audienca të ndryshme.

Rrjetëzimi (dhe puna në ekip) - I aftë për të bashkëpunuar me një varg njerëzish dhe për të mbajtur marrëdhënie efektive me të gjithë akterët.

Përshtatja (Adaptueshmëria) - I aftë për t’u përballë me konflikte dhe strese, i vendosur por jo agresiv dhe i vetëmotivuar. Zhvillimi i vetës dhe i tjerëveI kupton përparësitë dhe dobësitë dhe mënyrën si të merret me to, gjithnjë i gatshëm që mësojë nga përvojat dhe nga të tjerët, ndërton kapacitete dhe zhvillon talent.

Integriteti - Vepron në bazë të vlerave të qarta, shërben si shembull i ndershmërisë, integritetit dhe përulësisë për të tjerët. 

***

Lexo më shumë: 12 gabimet më të zakonshme në intervistë