Blog > Udhëzues për karrierë

5 përfitimet e bërjes së një praktike pune

5 përfitimet e bërjes së një praktike pune

Praktika e punës (praktika profesionale, stazhi ose internshipi) është mundësi që u ofrohet të rinjëve për të fituar përvojë pune në një industri specifike. Programi i praktikës profesionale është gjithashtu një hap i rëndësishëm për orientim dhe ndërtim të karrierës së qëndrueshme.

Nëse po hyni për herë të parë në tregun e punës, pas universitetit ose një programi të aftësimit profesional, me shumë gjasë ju nuk keni ende përvojën e kërkuar. Praktika është një mënyrë e mirë për ta përmbushur atë boshllëk duke fituar një ekspozim të vlefshëm se si funksionon një biznes në fushën tuaj të përzgjedhur profesionale.

Zakonisht, një praktikant punon në një kompani ose organizatë për një periudhë të caktuar kohore, tre deri në gjashtë muaj. Praktikat profesionale mund të jenë me gjysmë orari p.sh. për vetëm disa ditë ose disa orë në javë. Ato mund të jenë edhe me orar të plotë, që nënkupton që praktikantët duhet të punojnë në të njëjtën kohë si punonjësit tjerë të kompanisë.

Praktikat mund të kryhen në çdo kohë të vitit, përfshirë gjatë verës dhe gjatë semestrit të rregullt shkollor apo universitar.

Disa prej avantazheve kryesore të praktikës për studentët:

  • Përvoja e punës;
  • Përvoja kërkimore dhe analitike;
  • Mentorship në punë;
  • Ndihmon në drejtimin e qëllimeve të karrierës;
  • Ndihmon në krijimin e rrjetit profesional;
  • Ndihmon në ndërtimin e një CV-je të fortë;
  • Siguroni referenca dhe rekomandime të mira;
  • Tranzicioni në një punë të përhershme;
  • Ndërton vetëbesimin.

1. Rëndësia dhe benefitet

Në kohën e sotme, praktikat janë shumë të rëndësishme sepse u ofrojnë studentëve orientim dhe njohuri për të punuar në fushën e dëshiruar. Ata mësojnë se si kursi i tyre i studimit apo trajnimi profesional inkorporohen në botën reale dhe fitojnë një përvojë të vlefshme që i bën ata kandidatë më të fortë për punë pas diplomimit apo certifikimit.

Praktikat në punë mund të jenë gjithashtu një mënyrë e shkëlqyeshme për të “provuar” një karrierë të caktuar. Për shembull, ju mund të dëshironi një punë të shpejtë në fushën e marketingut, por pas një praktike pune mund të vlerësoni që kjo nuk është për ju.

Praktika profesionale pra është njohuri e dobishme dhe do t’ju ndihmojë të zgjidhni rrugën tuaj të karrierës. Në disa kolegje apo shkolla, praktikat gjithashtu llogariten drejt kredisë së përgjithshme të kursit. Kjo varet nga kërkesat e shkollës specifike, por zakonisht një stazh tre-mujor llogaritet si kredi e plotë për programin.

2. Cfarë punë kryejnë praktikantët?

Detyrat e përditshme të një praktikanti mund të ndryshojnë shumë, madje brenda të njëjtës industri. Në masë të madhe kjo varet nga vetë organizata apo punëdhënësi. Në disa praktika, ju mund të përqendroheni më shumë në detyrat administrative. Por në të tjerat, ju do të jeni pjesë e rëndësishme e ekipit, duke dhënë kontribut të konsiderueshëm për kompaninë.

Në fakt, prej praksës duhet të përfitojnë studentët më shumë sesa kompania, përveç nëse praktikanti paguhet.

3. Kompensimi në praktikë pune

Programet e praktikës pa pagesë janë më të zakonshmet, por ka shumë praktika të cilat paguhen. Kjo varet më shumë nga industria dhe pozita të cilën aplikoni. Për shembull, praktikantët editorialë në fushën e gazetarisë rrallëherë paguhen, ndërsa studentët e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike pothuajse gjithmonë paguhen.

Megjithatë, nëse mund ta përballoni një stazh pa pagesë, ajo mund të jetë një përvojë jashtëzakonisht e dobishme. Ju mund të merrni përvojë të nevojshme në punë, të ndërtoni një portofol, dhe të krijoni një rrjet të kontakteve profesionale që mund t’ju ndihmojnë pasi të keni mbaruar studimet apo certifikimin e trajnimit profesional.

4. Perspektiva në punë

Disa organizata dhe kompani ofrojnë pozita pune për praktikantë pas përfundimit të praktikës. Për të përmirësuar shanset tuaja, bëhuni proaktivë në punë, kushtoni vëmendje detajeve, dëgjoni dhe merrni kritika, por edhe shprehni gatishmëri të merrni pjesë në projekte të veçanta. Nëse arrini të pozicionoheni si një punëtor i zellshëm dhe i besueshëm atëherë kjo ua rrit shanset që të konsideroheni si punëtor i përhershëm i kompanisë.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk arrini të siguroni punë të përhershme pas praktikës, ju mund t’i kërkoni kompanisë një referencë apo rekomandim për punë, të cilën mund ta përdorni kur të aplikoni për pozita tjera më vonë. Po aq e rëndësishme, ju tashmë keni takuar njerëzit e parë në rrjetin tuaj profesional. Mbani kontakt me ta.

5. Zhvillimi i shkathtësive në praktikë pune

Praktikat ose stazhet janë poashtu një mënyrë e shkëlqyeshme për të zhvilluar shkathtësitë në vendin e punës. Sigurisht që universiteti ose shkolla profesionale ua sigurojnë shkathtësitë e tilla si arritja e afateve, shkathtësitë kërkimore dhe analitike, por praktika në punë ju lejon të zhvilloni vetëdijen e biznesit për industrinë në të cilën dëshironi të punoni. Për më tepër, praktikat ju lejojnë të zgjidhni problemin, të organizoni kohën tuaj në mënyrë efektive dhe të tregoni se mund të punoni në një ekip që është diçka ndryshe nga një prezantim seminarik në shkollë ose universitet.

---

Lexo më shume: Si t’i zhvilloni shkathtësitë e buta në 2022?