Një intervistë pune ju jep mundësi për të demonstruar, nëpërmjet shembujve, se si posedoni aftësitë, shkathtësitë, dhe përvojën përkatëse të punës që kërkon pozita. Në vijim do të flasim për gabimet më të zakonshme gjatë intervistës, si dhe lëshimet më të shpeshta të bëra në prezantimet gjatë intervistave. Shpresojmë që ky shkrim do t’ju ndihmojë t’i menjanoni këto gjatë përgatitjes për intervistën tuaj të ardhshme të punës!
Është me rëndësi të dëgjoni me kujdes se çka kërkon pyetja. Nëse nuk i mbuloni të gjitha aspektet që kërkon pyetja kjo do të ndikojë në performancën tuaj.
Intervistuesit do të ju tregojnë se cilat fusha të kompetencës do t’i vlerësojnë ata përmes pyetjes. Përqendroni përgjigjen tuaj në aspektet që janë relevante për këtë fushë.
Përgjigjja juaj dhe shembujt duhet të jenë të përshtatshme me nivelin e pozitës për të cilën keni aplikuar. Nëse keni aplikuar për të udhëhequr një organizatë, shembujt nga një nivel i ngushtë departamenti apo nivel operativ nuk mjaftojnë për të demonstruar qëndrueshmëri.
Intervista synon që të kuptohet se çka keni bërë ju personalisht. Ju duhet të jeni të qartë rreth rolit dhe kontributit tuaj personal. Edhe pse puna në ekipe është e rëndësishme ju duhet të flisni për veprimet tuaja individuale dhe pjesën tuaj të punës.
Pyetjet do të kërkojnë shembuj specifik të asaj që ju keni bërë/punuar. Kjo kërkon shembuj konkret të vërtetë. Dhe ndoshta ju keni pasur shumë raste të tilla që mund të jenë relevante por mundohuni të zgjidhni një që ka qenë më i rëndësishëm, sfidues dhe kompleks. Kështu ka më shumë gjasa që t’i paraqitni dëshmitë më të mira që i keni. Shmanguni bisedës së përgjithshme për punën tuaj dhe përqendrohuni në një shembull specifik.
Mund të josheni të përpiqeni ta bindni komisionin duke iu referuar disa shembujve që mendoni se janë të rëndësishëm. Megjithatë, pasi që koha është e kufizuar, vështirë se do të mund t’i paraqitni këto në hollësi të mjaftueshme. Merrni shembullin më të mirë dhe paraqitni më shumë hollësi për rastin (situatën), detyrën dhe qëllimin që keni dashur ta arrini, veprimet tuaja personale dhe rezultatin.
Përgjigjet kërkojnë që të tregoni shembuj dhe zgjedhja e shembujve tuaj më të mirë është me rëndësi. Megjithatë, ju duhet të tregoni edhe situata të ndryshme që i keni menaxhuar. Nëse e përdorni shembullin e njëjtë te pyetjet e ndryshme nuk do të mund të tregoni gjerësinë e përvojës suaj.
Sa më të vjetër të jenë shembujt tuaj aq më pak efektiv janë, zakonisht. Nëse duhet të mbështeteni në shembuj nga shumë vite më parë lind pyetja se pse nuk keni shembuj më relevant më të freskët për të ofruar. Më së miri është që shembujt të jenë të viteve të fundit –kjo ndihmon që të sqarojë përvojën tuaj më të fundit dhe pse ajo është relevante për pozitën për të cilën keni aplikuar.
Paneli intervistues duhet të dëgjojë për ju, sjelljen personale, kontributin dhe të arriturat tuaja. Nëse jeni shumë modest dhe nuk flisni për këto gjëra, kjo mund të ndikojë në poentim të ulët për ju. Mund të jetë e pakëndshme që të flisni për të arriturat tuaja por me rëndësi është që të paraqitni dëshmitë e kërkuara për të performuar mirë në intervistë.
Është mirë të dihet që jo të gjithë anëtarët e panelit e njohin kontekstin e shembujve që doni t’i përdorni gjatë intervistës. Konteksti shpesh thekson arsyen e shembullit që doni ta shtjelloni. Kjo është e dobishme për krijimin e pasqyrës për nivelin e sfidës, kompleksitetin e saj dhe se pse niveli është relevant për pozitën për të cilën keni aplikuar. Zakonisht, kandidatët nguten dhe flasin shumë shpejt për të treguar çka kanë bërë pa e sqaruar kontekstin.
Intervistuesit, pas pyetjeve fillestare do të vazhdojë me nënpyetje. Reagimi ndaj këtyre si të ishin një lloj sfidimi personal do të thotë humbje e mundësisë për të kuptuar se si komisioni mundohet të ju ndihmojë. Këto pyetje janë mënyrë për të qartësuar hollësi të rëndësishme për fushën e kompetencës që janë duke e vlerësuar, mënyrë për të ju ridrejtuar kah aspektet e pyetjeve në të cilat ende nuk jeni përgjigjur dhe për të siguruar që ta shfrytëzoni kohën në dispozicion.
Nëse nuk e shfrytëzoni kohën në dispozicion për të bërë shpjegim sa më të plotë të kontekstit, se cilat kanë qenë çështjet (problemet), si keni vendosur të bëni atë që e keni bërë, çka keni bërë dhe çfarë ndikimi ka pasur ajo punë atëherë vështirë se do të poentoheni lartë. Edhe pse intervista është një diskutim ndërmjet juve dhe komisionit, nëse nuk e shfrytëzoni mirë kohën që e keni në dispozicion atëherë do t’i kufizoni mundësitë për sukses në intervistë.
Adaptuar nga Projekti për Rekrutim.