Si të përgatitem për një intervistë pune? How to prepare for job interview?

Si të përgatitem për një intervistë pune? [30 pyetje të zakonshme]

Përgatitja për intervistë pune mund të duket stresuese, por janë disa hapa që ju mund t’i ndërmerrni për tu përgatitur për një bashkëbisedim të suksesshëm. Hulumtimi dhe përgatitja për intervistë mund të përcaktojnë shanset tuaja për ta fituar punën. Kjo nënkupton kohën për t’i reflektuar qëllimet dhe kualifikimet tuaja në lidhje me pozitën por dhe punëdhënësin.

Në vijim do të paraqesim disa udhëzime të dobishme se si të përgatiteni për intervistë – në mënyrë që të niseni me vetëbesim dhe të jeni gjithashtu në gjendje të jepni përgjigje të duhura dhe bindëse në pyetjet që mund t’ju parashtrohen.

Lexo: Pyetje dhe përgjigje të intervistës të bazuar në kompetenca

Vizitoni faqen e internetit të punëdhënësit

Hulumtimi i kompanisë apo organizatës për të cilën jeni duke aplikuar është pjesë e rëndësishme e përgatitjes për intervistë. Jo vetëm që kjo do t’ju ndihmojë në krijimin e kontekstit për bisedën që mund të keni, por gjithashtu do t’ju ndihmojë në fazën e përgatitjes së pyetjeve të mundshme.

Lexoni për punëdhënësin ku aplikoni, klientët e tyre, dhe produktet ose shërbimet që ata ofrojnë. Qëllimi i juaj këtu, nuk është thjesht të mësoni se çfarë ofrojnë ata, por të kuptoni më shumë se si e shohin dhe projektojnë ata veten.

Sa më shumë që arrini të keni njohuri për kontekstin në të cilin punëdhënësi vepron, po aq mirë do të jeni në gjendje t’i përshtatni përgjigjet tuaja në një mënyrë që do të jetë e rëndësishme për ta.

Shqyrtoni me kujdes përshkrimin e punës

Është e rëndësishme të kaloni pak kohë duke lexuar përshkrimin në konkurs pune dhe kërkesat, duke menduar se si përvoja dhe aftësitë tuaja ju bëjnë një kandidat apo kandidate të shkëlqyeshme për punë.

Përshkrimi i vendit të punës zakonisht është një listë e kualifikimeve dhe aftësive e që punëdhënësi kërkon te një kandidat ideal. Sa më shumë që rreshtoheni me këto detaje, aq më shumë punëdhënësi do të jetë në gjendje të shohë që jeni i kualifikuar.

Në mënyrë të veçantë, për secilën përgjegjësi ose kualifikim të shënuar, përpiquni të gjeni shembuj konkretë nga përvojat tuaja të mëhershme për të cilën mund të ofroni prova mbështetëse që ju i keni pasur.

Mundohuni të paraqisni të paktën katër ose pesë shembuj, ose histori konkrete nga puna juaj e kaluar, dhe t’i përdorni ato për të përshfaqur mënyrën se si funksiononi, çfarë keni arritur, dhe pse jeni të mirë në atë që bëni.

Lexo: Rregullat e mirësjelljes në vendin e punës

Praktikoni përgjigjet me zë të lartë

Përgatitja për intervistë përfshin identifikimin e pyetjeve që mund të ju bëhen, dhe praktikoni ato duke i përsëritur me zë të lartë.

Një prej pyetjeve që mund të ju bëhet është: Pse po mendoni të lini punën tuaj të tanishme? Çfarë ju motivon që keni aplikuar për këtë pozitë? Cilat janë pikat tuaja të forta dhe të dobëta?

Ju mund të thelloheni në pyetje tjera të ngjashme për intervistë, së bashku me sugjerime se si t’i përgjigjeni atyre.

Para intervistës, duhet të keni qëndrim të qartë pse dëshironi atë punë dhe pse jeni të kualifikuar. Ju duhet të jeni të përgatitur të shpjegoni interesimin tuaj për pozitën dhe pse jeni personi më i mirë për punën e caktuar.

Pasi të keni hartuar listën e pyetjeve që mendoni se ka të ngjarë të ju bëhen, mendoni se si do të përgjigjeni secilës prej tyre dhe filloni të praktikoni duke i thënë ato përgjigje me zë të lartë.

Ky lloj reflektimi dhe praktike para intervistës duhet të bëjë një ndryshim domethënës në atë se sa të sigurt shfaqeni kur jeni duke biseduar me intervistuesin tuaj – si dhe për përmbajtjen e përgjigjeve tuaja.

Hulumtimi i produktit ose shërbimit

Edhe nëse pozita e shpallur nuk është e lidhur drejtpërdrejt me produktin ose shërbimin e kompanisë, ju ende po kërkoni të jeni pjesë e ekipit. Është e rëndësishme të dini gjithçka për produktin ose shërbimet që kompania ofron dhe promovon.

Ju nuk duhet domosdoshmërisht të kuptoni çdo detaj, veçanërisht nëse është një produkt teknik, por duhet të keni disa njohuri bazike të produkteve ose shërbimeve kryesore që ofron kompania.

Hulumtoni kulturën e kompanisë

Kompanitë moderne zakonisht postojnë rregullisht në kanale të mediave sociale dhe artikuj në faqe interneti që shpjegojnë kulturën dhe industrinë e kompanive të tyre. Ky informacion mund t’ju japë një përshtypje të tonit dhe personalitetit të kompanisë, si dhe asaj që ata vlerësojnë.

Pavarësisht se sa e mirë duket një vend pune, është e rëndësishme që ju të përshtateni brenda kulturës së kompanisë dhe të ndani një personalitet dhe vlera të ngjashme.

Nëse keni pyetje në lidhje me mjedisin e vendit të punës, kulturën, personalitetin ose vlerat, sigurohuni që t’i bëni ato gjatë intervistës. Këto pyetje mund të variojnë nga shërbimet dhe produktet e prodhuara nga kompania, deri te politikat e tyre për pushime vjetore apo ato mjeksore. Duke e ditur që vlerat tuaja përputhen me kompaninë, ato sigurojnë një jetë të lumtur profesionale.

Pyetjet më të zakonshme për një intervistë pune

  • Cilat janë pikat tuaja të forta?
  • Cilat janë dobësitë e tua?
  • Pse jeni të interesuar të punoni për kompaninë tonë?
  • Ku e shihni veten në pesë vitet e ardhshme?
  • Pse dëshironi të lini organizatën tuaj të tanishme?
  • Cfarë ju dallon prej kandidatëve tjerë?
  • A jeni të gatshëm të udhëtoni?
  • Na tregoni për një arritje në punën e mëhershme për të cilën jeni krenar.
  • Na tregoni për një situatë kur keni bërë një gabim në punë.
  • Cila është puna juaj e ëndrrave?
  • Si keni dëgjuar për këtë konkurs?
  • Diskutoni mbi përgatitjen tuaj arsimore dhe profesionale.
  • Përshkruani veten.
  • Na tregoni si e keni trajtuar një situatë të vështirë në punë.
  • Pse duhet t’ju ​​punësojmë?
  • Pse po kërkoni një punë të re?
  • A do të punonit gjatë festave apo në fundjavë?
  • Si do të vepronit me një klient të zemëruar apo të irrituar?
  • Cilat janë pritjet dhe kërkesat tuaja për pagë?
  • A e dini kush janë konkurrentët e kompanisë tonë?
  • Cili ka qenë dështimi juaj më i madh në punë?
  • Cfarë ju motivon?
  • Na trego për një situatë kur nuk jeni pajtuar me mbikqyrësin tënd.
  • Si e përballoni presionin?
  • Cilat janë qëllimet e karrierës suaj?
  • Cilat ishin pikat e forta / të dobëta të shefit tuaj të mëparshëm?
  • Cili ishte libri i fundit që keni lexuar për argëtim?
  • Cili është hobi i juaj?
  • Cila është uebfaqja juaj e preferuar?
  • Cilat janë disa nga përvojat tuaja të lidershipit?
  • A do të punonit 40+ orë në javë?
  • Cfarë pyetjesh keni për neve?

Para se të hyni në intervistë

  • Sigurohuni që telefoni juaj është i fikur
  • Përdorni teknika të frymëmarrjes për të qetësuar veten
  • Buzëqeshni dhe përshëndetni intervistuesin tuaj me besim
  • Kërkoni pak ujë nëse ju nevojitet

Gjatë intervistës

  • Jeni të sjellshëm dhe përdorni gjuhën e duhur për një situatë zyrtare;
  • Dëgjoni me kujdes pyetjet dhe mendoni para se të filloni përgjigjet;
  • Nëse nuk e kuptoni pyetjen, pyeteni intervistuesin që ta përsëris atë ose ta shpjegojë më shumë;
  • Përdorni metodën STAR për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me aftësitë tuaja, për shembull të flisni për situatën në të cilën keni qenë, detyrën që keni pasur të bëni, veprimin që keni ndërmarrë dhe rezultatin që keni arritur;
  • Jeni sa më shumë pozitiv për përvojat e të së kaluarës – nëse keni hasur në situata të vështira, tregoni ato që keni mësuar;
  • Thuaje gjithmonë vetëm të vërtetën;
  • Në fund, falënderoni punëdhënësin për kohën e tyre;
  • Pas intervistës, shkruani disa nga pyetjet më të vështira që ju janë bërë – kjo mund t’ju ndihmojë të përgatiteni për intervista të ardhshme.

Mënyrat për të lënë përshtypje të mirë

Përgatitja për intervistë pune përfshin edhe disa mënyra se si mund të tregoheni pozitiv gjatë intervistës.

Disa prej teknikave më të mira janë:

  • Jeni i përpikët – mbërritja vonë në vendin e intervistës do të rrisë nivelin e stresit te ju, dhe do t’i japë punëdhënësit një përshtypje të keqe të parë për juve. Kështu që mundohuni gjithmonë që të arrini në kohën e duhur.
  • Pozitiviteti dhe entuziazmi – jeni të sjellshëm dhe profesional me cilindo person që takoni përpara ose pas intervistës edhe nëse ndjeheni i stresuar. Gjatë intervistës, përgjigjuni në pyetjet në mënyrë pozitive, jeni entuziastë për punën dhe shmangni të flisni keq për punëdhënësit tuaj të mëparshëm ose profesorëve.
  • Gjuha e trupit – jepni një shtrëngim duarsh të fortë për intervistuesin tuaj para dhe pas intervistës. Gjatë intervistës, mos harroni të buzëqeshni shpesh dhe të mbani kontaktin me sy.
  • Qartësia – përgjigjuni të gjitha pyetjeve në mënyrë të qartë dhe koncize, duke evidentuar aftësitë, përvojat dhe arritjet tuaja më të rëndësishme.
  • Sic e thamë më lartë, është krejtësisht e pranueshme të ndaloni përpara se të përgjigjeni një pyetjeje të vështirë për t’i dhënë vetes kohë për të menduar, ose duke kërkuar sqarim nëse nuk jeni të sigurt se çfarë do të thotë një pyetje. Kur përgjigjeni, mos flisni shumë shpejt.

Pas intervistës

Nëse u është ofruar pozita e punës, njoftoni kompaninë në kohën e duhur nëse doni ta pranoni ofertën apo jo. Ju gjithashtu mund të pyetni për datën e fillimit të punës.

Nëse vendosni të mos e pranoni punën, refuzoni pozitën me edukatë, pasi mund të dëshironi të punoni për ta në të ardhmen.

Nëse nuk ju ofrohet puna:

  • Bëhuni pozitiv – ky është një shans për të mësuar nga përvoja juaj;
  • Mendoni për gjërat që nuk shkuan aq mirë dhe ato që mund të bëni për të përmirësuar herën tjetër;
  • Merrni disa praktika intervistimi – ju mund të kërkoni nga miqtë, familja, kolegët ose një këshilltar të karrierës për t’ju ndihmuar.

/Kastori/