Pyetje dhe përgjigje të intervistës të bazuar në kompetenca

Pyetje dhe përgjigje të intervistës të bazuar në kompetenca

Ju mund të jeni mësuar, apo shpesh keni dëgjuar, për një format të përgjithshëm dhe tradicional të intervistës për punë ku diskutohet përvoja dhe kualifikimet e mëparshme. Sidoqoftë, intervistat e bazuara në kompetenca janë tërësisht ndryshe. Ato mbështeten në pyetjet të cilat synojnë të zbulojnë se si keni përdorur aftësitë specifike në përvojën tuaj të mëparshme dhe si ju qaseni problemeve, detyrave dhe sfidave.

Intervistuesit zakonisht i përdorin këto përgjigje për të kuptuar më mirë personalitetin tuaj, procesin tuaj të mendimit, dhe mënyrën se si mund të veproni në të ardhmen. Ato pastaj krahasohen me standarde specifike për të parë nëse kandidati është i përshtatshëm për kompaninë apo organizatën që po aplikon.

Shumica e punëdhënësve, veçanërisht ata që punësojnë shumë punëtorë, janë të interesuar të zhvillojnë teste dhe intervista të kompetencës dhe kjo bëhet për të siguruar që aplikantët jo vetëm që përmbushin aftësitë specifike të kërkuara për vendin e punës, por gjithashtu të mund të përballen me vizionin më të gjerë të kompanisë.

Si t’i qaseni pyetjeve të bazuara në kompetenca

Mënyra më e mirë për t’u përgatitur për pyetje të kompetencave është të reflektoni në përvojën tuaj të punës. Intervistuesit kërkojnë të marrin sa më shumë informacion që të jetë e mundur prej jush, prandaj sigurohuni që përgjigjet tuaja ofrojnë të gjitha detajet e nevojshme që intervistuesi të kuptojë qëllimin e përgjigjes suaj.

Shpesh, intervistuesit do të përqendrohen në raste të dështimeve ose sukseseve të së kaluarës tuaj. Pranimi i dështimeve domosdoshmërisht nuk do të reflektojë negativisht në intervistë nëse tregoni se si e korrigjuat situatën, atë që keni mësuar, dhe si planifikoni të shmangni përsëri të njëjtin gabim.

Shembuj: Pyetje dhe pergjigje

Në vijim po japim disa shembuj të pyetjeve dhe përgjigjeve të rekomanduara për intervistat e bazuara në kompetencë. Disa pyetje mund të bëhen për pothuajse çdo vend pune, ndërsa disa pyetje janë specifike për punë të caktuara.

Pyetje dhe Përgjigje për pozitë në shitje

Intervistuesi pyet: “Si e vlerësoni aftësinë tuaj të shitjes në krahasim me shitësit e tjerë?”

Përgjigjet e kandidatit: “Unë konsiderohem një prej shitësve kryesor në kompaninë tonë. Kam marrë shpërblime dhe bonuse disa herë si shitës udhëheqës në kompani.”

Koment: Kjo përgjigje arsyeton në mënyrë adekuate pyetjen e bërë.

Pyetje: “Jepni një shembull të aftësisë suaj të shitjes.”

Përgjigje: Kandidati i cili deklarohet me mungesë vetëbesimi, dhe përgjigjet: “Nuk po më kujtohet momentalisht një shembull specifik”, do të lërë një përshtypje të keqe.

Kandidati i cili deklarohet me vetëbesim do të përgjigjet: “Muajin e kaluar unë arrita një marrëveshje të rëndësishme me një firmë të njohur të kompjuterëve. Marrëveshja uli ndjeshëm shpenzimet e kompanisë për tremujorin e fundit.”

Në intervistën e bazuar në kompetenca, kandidati duhet të dëshmojë kompetencë duke dhënë shembuj specifikë.

Pyetje & Përgjigje për pozita si anëtar ekipi

Shembuj të vendeve të punë si Anëtar i Ekipit janë në fushën e programimit, shërbimi ndaj klientit, inxhinierët e projektit, ekipi i kontabilistëve, etj. Pyetjet për një pozitë si anëtar i ekipit zakonisht do të testojnë aftësinë për t’u përshtatur me ekip, për të krijuar marrëdhënie të mira, për të pranuar autoritetin, dhe për të punuar nën presion.

Pyetje: “Si do ta përshkruanit veten si anëtar i ekipit?” “Cfarë të pëlqen më shumë, të punosh në ekip apo të punosh vetëm?

“Përgjigje: “Unë jam punëtor i mirë në kuadër të ekipit. Më pëlqen shoqëria e njerëzve, më pëlqen të punoj në ekip dhe jam gjithmonë i gatshëm të ndihmoj të tjerët”.

Pyetje: “Më jep një shembull të një kontributi që ke dhënë në ekipin tënd të punës.

“Përgjigje: “Kohët e fundit kam punuar me pesë programues në një projekt për një kompani të madhe ushqimore. Kam dhënë kontribut të rëndësishëm në suksesin e ekipit dhe në realizimin e projektit. Në fund të projektit mora një letër falënderimi për kontributin në suksesin e ekipit”.

Pyetja: “Si veproni me punën nën presion?

“Përgjigje: “Mendoj që punoj mirë edhe nën presion. Për shembull, numri i punëtorëve në departamentin tonë u shkurtua kohët e fundit ndërsa sasia e punës që m’u dha gati u dyfishua. Menaxherët kërkuan nga unë që të punojë jashtë orarit dhe kam arritur të veproj me efikasitet dhe në mënyrë profesionale gjatë një kohe të ngarkuar dhe stresuese. Kam dëshmuar efikasitet dhe profesionalizëm përkundër stresit”.

Koment: Nëse jepni shembull kjo përforcon kompetencën që e përshkruan një kandidat.

A jeni përballur ndonjëherë me konflikt gjatë punës në ekip?

Shumë punëdhënës duan të dinë që ju mund të krijoni marrëdhënie të shëndetshme, të zgjidhni probleme dhe të punoni në ekip. Në përgjigjen tuaj, theksoni aftësitë tuaja për zgjidhjen e konflikteve, aftësitë komunikuese dhe gjykimin. Kujtoni një shembull ku keni tejkaluar një pengesë grupore me bashkëpunëtorët tuaj.

Shembull: “Unë punoja me një ekip si zyrtar i marketingut për të ndihmuar në krijimin e fushatave efektive për klientët tanë. Një herë, ne nuk mund të arrinim marrëveshje se si të reklamojmë produktin e një klienti të caktuar. Kishim një javë për të bërë prezantimin dhe kaluam tërë kohën duke diskutuar për secilin plan dhe përfundimisht formuam një fushatë nga sugjerimet më të mira të secilit anëtar të ekipit. Klienti ishte i lumtur dhe fushata doli e suksesshme.

Pas asaj përvoje, sa herë që kishte mospajtim brenda grupit, ne u fokusuam për të bërë kompromise dhe vendime në grup. Si rezultat, dinamika e ekipit tonë u përmirësua, dhe numri i shitjeve u rrit me 7% gjatë tre muajve të ardhshëm.”

A keni pasë rast kur mbikëqyrësi ka kërkuar të bëni diçka me të cilën nuk keni qenë dakord?

Në disa situata, juve mund të ju jepet një detyrë që nuk ndjeheni rehat ta kryeni ose nuk mund ta kuptoni vlerën. Kjo pyetje ju lejon të shfaqni aftësinë tuaj për të analizuar një sfidë dhe për të shprehur në mënyrë efektive mendimet tuaja. Mundohuni të shpjegoni kohën kur keni vënë në dyshim udhëzimet e menaxherit tuaj dhe si arritët në një zgjidhje.

Shembull: “Gjatë punës time të mëparshme për një kompani të shitjeve të automjeteve, menaxheri ynë vendosi një kuotë të lartë shitjes. Unë mendoja që kuota e shitjes e bënte të vështirë ofrimin cilësor të shërbimeve. Doja të isha i sinqertë dhe i drejtë për të gjithë klientët e mi, edhe nëse kjo nënkuptonte të jesh fleksibil për çmimin. Unë kërkova një takim me menaxherin, ku shpreha shqetësimin tim për aftësinë për të përmbushur kuotën dhe për t’i bërë klientët e lumtur.

Menaxheri im e kuptoi arsyetimin tim, por prapë donte që unë të plotësoja kuotën për të rritur përfitimin. Përfundimisht, ne vendosëm se do të ishte e dobishme nëse unë do të punoja pak kohë me kolegun që kishte performancë më të lartë për të mësuar rreth taktikave që ai përdorte. Pas dy ditësh, unë arrita të mësoj disa strategji efektive për të ndihmuar në rritjen e shitjeve të mia. Nuk e arrita kuotën dy muajt e parë, por arrita ta tejkaloj atë me 5% për tetë muaj radhazi.”

Pyetje të bazuara në kompetencë për pozita udhëheqëse

Pyetje: “Si ju shikojnë njerëzit si menaxher?

“Përgjigje: “Unë shikohem si menaxher që udhëheq dhe që është autoritativ; njerëzit i besojnë gjykimit tim. Unë dëgjoj pikëpamjet e të tjerëve me mendje të hapur, dhe marr vendime kur të jetë nevoja. Unë jap kontribut domethënës në arritjen e qëllimeve të organizatës”.

Koment: Një kandidat i përshtatshëm beson në vetvete dhe nuk është tepër modest.