
Përshkrimi
NJOFTIM PËR ZGJATJE TË KONKURSIT
Në përputhje me paragrafin 3 të nenit 15 ( Dorëzimi i Aplikacioneve) të Rregullores nr. 04/2015 për procedurat e rekrutimit, emërimit dhe periudhës provuese të stafit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht për shkak të mos arritjes së numrit të balancuar të kandidatëve, sipas përfaqësimit etnik, gjegjësisht përfshirjes së ultë të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë, ju njoftojmë se afati për pranimin e aplikacioneve për pozitat: 2. Zyrtar për Multimedia dhe Ueb faqe dhe 3. Përkthyes nga shqipja në anglisht e serbisht dhe anasjelltas, zgjatet edhe për 7 ditë kalendarike, deri më datën më datën 07 prill 2022, ora 16.00.
Data e fundit për pranimin e aplikacioneve është 7/04/2022, deri në ora 16.00.
Gjykata Kushtetuese inkurajon veçanërisht pjesëtarët e Komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës që të aplikojnë për pozitat e rishpallura përmes Konkursit të zgjatur.
Aplikuesit të cilët kanë dorëzuar aplikacionet për punësim në 15 ditët e para të konkursit nuk kanë nevojë ta përsërisin aplikimin.
---
Në mbështetje të nenit 12 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 03/L-121; në mbështetje të rregullit 19 dhe 20 të Rregullores së punës Nr. 01/2018 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës; si dhe në mbështetje të Rregullores Nr. 04/2015, për Procedurat e rekrutimit, të emërimit dhe të punës provuese të stafit të Gjykatës Kushtetuese, Sekretariati shpall:
KONKURS
Për plotësimin e tri (2) vendeve të lira të punës
2.
Pozita: Zyrtar për Multimedia dhe Ueb-faqe
Kodi: SP-ZKI -06
Numri i pozitave: 1 (një)
Kohëzgjatja e emërimit: I karrierës (pa afat)
Puna provuese: 1 (një) vit
Përshkrimi i përgjithshëm i pozitës:
Nën mbikëqyrjen e drejtorit të Zyrës për Komunikim dhe Informim (ZKI), Zyrtari për Multimedia dhe Ueb-faqe monitoron shkrimet dhe video-materialet informative në mediat/rrjetet sociale përkitazi me punën e Gjykatës, menaxhon sektorin e njoftimeve në ueb-faqen e Gjykatës dhe me faqet e Gjykatës në mediat/rrjetet sociale, përgatit dhe publikon video-materiale informative në ueb-faqen e Gjykatës dhe në faqet e Gjykatës në mediat/rrjetet sociale, identifikon mundësitë për promovimin e punës së Gjykatës në mediat/rrjetet sociale.
Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore:
- Monitorimi i shkrimeve dhe i video-materialeve informative të publikuara në mediat/rrjetet sociale përkitazi me punën dhe aktivitetet e Gjykatës;
- Përgatitja e raporteve periodike përkitazi me çështjet e trajtuara në mediat/rrjetet sociale rreth punës dhe aktiviteteve të Gjykatës;
- Postimi dhe përditësimi i njoftimeve përkitazi me punën dhe aktivitetet e Gjykatës Kushtetuese në ueb-faqen e Gjykatës dhe në faqet e Gjykatës në mediat/rrjetet sociale;
- Transmetimi i drejtpërdrejt i konferencave për shtyp, i seancave dëgjimore, i video intervistave dhe i video-materialeve të tjera informative në faqet e Gjykatës në mediat/rrjetet sociale, në konsultim me drejtorin e ZKI;
- Menaxhimi i seksionit të komenteve dhe pyetjeve në faqet e Gjykatës në mediat/rrjetet sociale;
- Përgatitja dhe disenjimi i tabelave statistikore dhe video-materialeve informative të metrazhit të shkurt/gjatë përkitazi me punën dhe aktivitetet e Gjykatës, dhe promovimi i tyre në faqet e Gjykatës në mediat/rrjetet sociale;
- Identifikimi i mundësive dhe hartimi i propozimeve për promovimin e punës dhe aktiviteteve të Gjykatës në mediat/rrjetet sociale;
- Kryen punë të tjera profesionale sipas kërkesës së drejtorit të Zyrës për Komunikim dhe Informim.
Kualifikimet minimale, përvoja e punës dhe aftësitë:
- Diplomë universitare në fushën e komunikimit dhe gazetarisë, shkencat sociale apo në fusha të tjera relevante;
- Së paku 4 (katër) vjet përvojë punë profesionale në lëmin e komunikimit dhe monitorimin e mediave/rrjeteve sociale në institucione apo në organizata ndërkombëtare;
- Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe dhe angleze në të folur dhe në të shkruar; Njohuria e gjuhës serbe është përparësi;
- Aftësi të shkëlqyeshme të punës me kompjuter, me programe/aplikacione për përpunimin e materialeve foto dhe video, në përdorimin e internetit dhe të platformave/rrjeteve sociale;
Kandidati për pozitën e Zyrtarit për Multimedia dhe Ueb-faqe duhet të ketë: aftësi komunikimi të zhvilluara mirë; aftësi për të punuar me efikasitet nën presion kohor; aftësi të shkëlqyeshme organizative dhe planifikuese; aftësi për caktimin e prioriteteve dhe për përfundimin e disa detyrave njëkohësisht; aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur, si dhe në një mjedis ekipor; aftësi të shkëlqyeshme për përdorimin e kompjuterit, postës elektronike, internetit dhe veçanërisht të platformave/rrjeteve të ndryshme sociale; si dhe të ketë përvojë në përdorimin e programeve kompjuterike për përgatitjen e foto/video materialeve informative;
3.
Pozita: Përkthyes nga shqipja në anglisht e serbisht dhe anasjelltas
Kodi: SP-DPP-06
Numri i pozitave: 1 (një)
Kohëzgjatja e emërimit: I karrierës (pa afat)
Puna provuese: 1 (një) vit
Përshkrimi i përgjithshëm i pozitës:
Përkthimi me shkrim dhe i atypëratyshëm i teksteve, i materialeve, i shkresave, i dokumenteve dhe i ligjeve nga shqipja, anglishtja e serbishtja dhe anasjelltas, si dhe ofrimi i përkrahjes cilësore për përkthimin, duke u përkujdesur për dukjen e dokumentit të përkthyer në përputhshmëri me dokumentin origjinal, nën mbikëqyrjen e drejtorit të Departamentit të Përkrahjes Profesionale. Përkthimi i atypëratyshëm nga shqipja, anglishtja e serbishtja dhe anasjelltas gjatë takimeve dhe seancave të punës në Gjykatën Kushtetuese.
Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore:
- Përkthen me shkrim materiale dhe dokumente të Gjykatës Kushtetuese nga gjuha shqipe në atë angleze e serbe dhe anasjelltas;
- Përkthim i atypëratyshëm gjatë takimeve dhe gjatë seancave të Gjykatës nga gjuha shqipe në atë angleze e serbe dhe anasjelltas;
- Përkujdeset për strukturën e fjalëve dhe të fjalive në dokumentet e përkthyera;
- Ndihmon dhe bashkëpunon me redaktorët/lektorët e Gjykatës në përcaktimin dhe në harmonizimin e terminologjisë së teksteve të përkthyera;
- Ndihmon dhe shoqëron gjyqtarët në takime pune dhe vepron si përkthyes/shpjegues; dhe
- Kryen edhe punë të tjera, sipas kërkesës së drejtorit të Departamentit të Përkrahjes Profesionale.
Kualifikimet minimale dhe përvoja e përgjithshme:
- Përgatitje universitare, preferohet në fushën Filologjike dhe Juridike;
- Së paku 2 (dy) vjet përvojë përkatëse profesionale në përkthime.
Përkthyesi duhet të jetë energjik, të ketë shkathtësi të mira ndërnjerëzore dhe të jetë i gatshëm të punojë me orar fleksibil të punës. Shkathtësia dhe aftësia në përdorimin e kompjuterit dhe të softuerëve aplikativë, si: MS Word, duke përfshirë përpunimin e avancuar të tekstit, MS Excel dhe MS Outlook, është e domosdoshme.
Informata të përgjithshme për kandidatët:
Përcaktimi i pagës për pozitën e shpallur, bëhet në përputhje me Rregulloren e punës dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ofron mundësi të barabarta punësimi dhe mirëpret aplikacionet nga pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë dhe nga kandidatët femra. Politika e përfaqësimit gjinor dhe e të gjitha komuniteteve të Kosovës do të zbatohet gjatë procedurës së rekrutimit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Procedura e konkurrimit
Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin aplikacionin përkatës, të shoqëruar nga një biografi profesionale, një letër motivuese dhe dokumentacionin përkatës për përgatitjen shkollore dhe për përvojën e kërkuar të punës.
Forma e aplikacionit mund të merret në kopje fizike në recepcionin e Gjykatës Kushtetuese dhe mund të shkarkohet nga ueb-faqja e Gjykatës Kushtetuese: www.gjk-ks.org.
Aplikacioni, me të gjitha dokumentet, mund të dërgohet nëpërmjet e-mailit në adresën: gjk.burimetnjerezore@gjk-ks.org, nëpërmjet shërbimit postar, apo të dorëzohet në Departamentin e Administratës dhe Burimeve Njerëzore të Gjykatës Kushtetuese (DABNJ) në kopje fizike.
Konkursi mbetet i hapur 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e publikimit në ueb-faqen e Gjykatës si dhe shpalljes publike duke filluar nga data 16/03/2022 deri më datën 30/03/2022, që konsiderohet ditë e fundit e mbylljes së konkursit.
Shënim:
Aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen dhe aplikacionet e mangëta refuzohen.