
Përshkrimi
Në bazë të Rregullores MF- nr – 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, Divizioni i arsimit gjithëpërfshirës nxjerr këtë:
Thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve të OJQ-ve që përkrahin dhe promovojnë nxënësit me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti.
Divizioni i arsimit gjithëpërfshirës, u bën thirrje të gjitha organizatave joqeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës së të cilave është i fokusuar në përkrahjen dhe promovimin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti, të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në promovimin e këtyre nxënësve.
OJQ-të, në përputhje me këtë thirrje publike mund të aplikojnë me projektet e tyre për fushën prioritare si në vijim:
- Ngritja e kapaciteteve për identifikimin, përkrahjen dhe promovimin e fëmijëve/nxënësve me aftësi të jashtëzakonshëm , talente dhe dhunti.
Organizatat joqeveritare mund të aplikojnë në një ose dy projekte që kontribuojnë në përkrahjen e këtyre fëmijëve/nxënësve .
Aktivitetet në realizimin e objektivës së thirrjes publike :
- Trajnimin e mësimdhënësve, trajnerëve, psikologëve dhe profesionistëve të tjerë për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti;
- Aktivitete specifike mësimore dhe jashtmësimore me fëmijë/ nxënës me aftësi të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti.
- Hartimi i materialeve vetëdijesuese për identifikimin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti.
- Ngritja e kapaciteteve të DKA-ve për identifikimin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti.
Vlera totale e planifikuar e thirrjes është 170.000.00 €.
Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 10.000 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 50.000 €.
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është 24 ditë pune dhe përfundon me datën 17.06.2022.
OJQ-të mund të aplikojnë me më së shumti me një ose dy projekte në kuadër të kësaj thirrje. Periudha e zbatimit të projektit është prej 8-10 muaj duke filluar nga muaji shtator 2022.
Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të që janë të regjistruara në regjistrin e organizatave joqeveritare në Republikën e Kosovës dhe të cilat veprojnë në Republikën e Kosovës së paku një (1) vit para datës së publikimit të thirrjes publike. OJQ-të aplikuese duhet të dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në ndonjërën nga fushat prioritare të thirrjes publike. OJQ-të duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislacionit për OJQ-të në Republikën e Kosovës dhe në përputhje me rregullat e kontabilitetit si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike.
Para nënshkrimit të kontratës, OJQ duhet të paraqesë prova se personi përgjegjës në OJQ dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale si dhe prova se OJQ-ja ka zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara, nëse është e aplikueshme.
Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me udhëzimet për aplikuesit, janë në dispozicion në faqen e internetit të MASHTI. https://masht.rks-gov.net/.
Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, rruga “Agim Ramadani”, nr. 10000, Prishtinë, zyra në katin përdhes nr. 4.
Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendari tregues i zbatimit të thirrjes, janë të detajuara në Udhëzimet për aplikuesit e thirrjes publike.
Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë thirrje publike, të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të thirrjes publike.
Të gjitha çështjet që lidhen me thirrjen publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën;
Besmira.Thaqi@rks-gov.net