
- 1 listim aktiv (shiko)
Përshkrimi
Thirrje për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve në zbatim të objektives: “Ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës”
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bazuar Strategjinë Kosovare për Rini 2013-2023 si dhe Rregulloren MF - Nr. – 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve fton të gjitha Organizatat Jo-Qeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e trajnimeve, të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në përgatitjen dhe rritjen e punësimit për të rinjtë.
Objektivë i përgjithshëm i Thirrje Publike është ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës, përmes trajnimeve për personat e papunësuar, me qëllim të pajisjes me njohuri dhe shkathtësi pune ose ndërmarrëse.
Organizatat jo-qeveritare mund të aplikojnë me një projekt që kontribuojnë në përgatitjen për punë apo vetëpunësim për të rinj përmes aktiviteteve si në vijim:
- Trajnime për ndërmarrësi dhe për themelimin e bizneseve start-up për të rinj;
- Promovimi dhe ndërgjegjësimi i rinisë për orientim në karrierë dhe treg adekuat të punës;
- Organizimi dhe përkrahja e panaireve për informimin e të rinjve mbi rëndësinë dhe nxitjen e tyre për kyçje në tregun e punës;
- Përkrahja e Organizatave Rinore që merren me këshillim dhe orientim në karrierë, shkathtësim dhe ndërmjetësim të rinisë me tregun e punës;
- Organizimi i ngjarjeve promovuese me komunitetin e biznesit dhe palët tjera të interesit për mundësitë e punësimit dhe të vetëpunësimit të të rinjve;
Buxheti i paraparë për këtë thirrje është 300,000 Euro. Shuma minimale për një projekt është 5,000 Euro, ndërsa shuma maksimale është 15,000 Euro.
Kriteret e përgjithshme për OJQ-të:
Për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojë kriteret e përgjithshme minimale të përcaktuara me dispozitat në vijim:
- OJQ-të aplikuese të jenë të regjistruara në Ministrinë e Administratës Publike (për të dëshmuar këtë kërkesë, OJQ-ja aplikuese duhet të dërgojë kopjen e certifikatës së regjistrimit me rastin e aplikimit;
- Të jetë e pajisur me Numër Fiskal, të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. Me rastin e aplikimit OJQ-ja duhet të dëshmojë këtë kërkesë përmes kopjes së certifikatës së numrit fiskal;
- OJQ-të aplikuese duhet të kenë kryer të gjitha detyrimet tatimore ndaj ATK-së. Ndonëse mund të ketë detyrime të pashlyera në momentin e aplikimit, OJQ-ja që përfiton nga fondet publike para nënshkrimit të kontratës, duhet të dëshmojë se ose ka kryer obligimet tatimore ose ka arritur ndonjë Marrëveshje me ATK-në për kryerjen e tyre në të ardhmen. Ekzistenca e borxheve dhe obligimeve tjera të pashlyera nuk guxon të ndikojë në implementimin e projektit, prandaj zgjidhja e çfarëdo detyrimi të tillë para nënshkrimit të kontratës është e domosdoshme;
- OJQ-ja aplikuese nuk duhet të ketë pranuar mjete financiare për realizimin e të njëjtave aktivitete në vitin përkatës fiskal. Prandaj, me rastin e aplikimit kërkohet një deklaratë e cila e shmang financimin e dyfishtë për aktivitetet e njëjta;
- Të kenë dorëzuar një projekt-propozim sipas formularit të aplikacionit të projektit, së bashku me formularin e propozim buxhetit.
Kriteret Specifike:
Në mënyrë që aplikacioni të konsiderohet i kompletuar, aplikuesi duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta minimale të parapara me dispozitat në vijim:
- Të dorëzojnë brenda afatit të thirrjes projekt-propozimin i cili ndër të tjera përmban të dhënat për qëllimin, objektivat specifike, aktivitetet, kalendarin e realizimit, rezultatet e synuara, përfituesit e drejtpërdrejtë dhe të dhënat tjera sipas formularit përkatës të përcaktuar sipas thirrjes publike;
- Projekt-propozimi të jetë i shoqëruar me një propozim buxhet, sipas formatit të përcaktuar sipas thirrjes publike dhe Manualit për zbatimin e Rregullores;
- Të dorëzojë të dhëna për personelin kyç, duke siguruar CV-të e tyre së bashku me një deklaratë pranimi nga ana e tyre se do të punojnë për projektin, në rast të përfitimit të mbështetjes financiare;
- Të dëshmojnë se kanë mision dhe përvojë në realizimin e projekteve të ngjashme duke dorëzuar statutin e OJQ/Shoqatës, apo dëshmi të realizimit të projekteve të ngjashme në të kaluarën;
- I gjithë dokumentacioni duhet të përmbaj një kopje fizike dhe i njëjti në mënyrë elektronike në CD
- Të mos ketë projekt të hapur në MKRS.
Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret e përgjithshme dhe specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pakompletuar dhe si i tillë nuk mund të kualifikohet për mbështetje financiare.
Kriteret e vlerësimit përmbajtjesor janë të ndarë në disa fusha të vlerësimit:
- Kapaciteti institucional i organizatës 30 pikë
- Relevanca e projektit/programit 30 pikë
- Impakti i përgjithshëm i projektit 20 pikë
- Kostimi/Buxhetimi i shpenzimeve për projekt 20 pikë
- Gjithsej 100 pikë
Për arsye të shtrirjes regjionale dhe më qëllim të përfshirjes më të mirë të të rinjve, organizatave fituese mund t’ju kërkohet ta ndryshojnë vendin e realizimit të projektit.
Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzuesin për Aplikim, janë në dispozicion në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (www.mkrs-ks.org).
Dokumentet e kompletuara mund të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës.
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është deri më 02 Mars 2021, ora 15:00.
Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike mund të sqarohen në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: burim.mexhuani@rks-gov.net
Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendarin tregues i zbatimit të thirrjes publike janë të detajuara në Udhëzuesin për Aplikim.