
Përshkrimi
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, u bën:
THIRRJE PUBLIKE
Për të gjitha Organizatat Jo-Qeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe individët që veprojnë në Komunën e Prizrenit, programi i punës i cili është i fokusuar në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, dhe që përfshijnë aktivitete të realizuara në Komunën e Prizrenit, të aplikojnë për mbështetje financiare:
Në fushën e kulturës:
LOT: 1
U dedikohet organizatave kulturore që veprojnë në Komunën e Prizrenit dhe që operojnë gjatë tërë vitit dhe kanë aktivitete kulturore të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilat kontribuojnë në mënyrë të dëshmuar në zhvillimin kulturor, ekonomik dhe shoqëror, të Komunës së Prizrenit. Organizatat kulturore që posedojnë struktura të qarta qeverisëse, si dhe strategji afatmesme organizative dhe programore.
Synimet specifike të LOT 1:
- Përkrahja e programit vjetor të organizatave; Promovimi kulturor të Komunës së Prizrenit;
- Krijimi i produkteve të reja kulturore;
- Zhvillimi i turizmit kulturor;
- Ofrimi i programeve edukative për publikun e Komunës së Prizrenit;
- Krijimi i përmbajtjes për periferinë e qytetit , zonat rurale dhe grupet e nën përfaqësuara;
- Ndërtimi i partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare.
Kjo kategori e organizatave, përveç dokumenteve të kërkuara nga të gjitha organizatat, duhet të ofrojnë edhe:
- Raportin vjetor të punës 2021;
- Strategjinë e Organizatës;
- Strukturën Organizative – Organogramin.
LOT: II
U dedikohet organizatave kulturore dhe individëve që zhvillojnë dhe organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore dhe festivale me karakter afatshkurtër në nivelin komunal apo rajonal. Aktivitete që kanë për qëllim pasurimin e kalendarit vjetor kulturor të qytetit, aktivitete që kontribuojnë në shumëllojshmërinë artistike dhe aktivitete që begatojnë jetën e komuniteteve në fushën e kulturës.
Synimet specifike të LOT II:
- Manifestime: Shënimi i datave historike, shënimi i festave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shënimi i datave të tjera me rëndësi në Komunën e Prizrenit;
- Mbështetja e aktiviteteve vjetore të organizatave dhe operatorëve kulturor;
- Muzikë: Kompozimi i veprës së re, audio incizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj;
- Shoqëritë Kulturore - Artistike: Mbështetje e aktiviteteve në promovimin e krijimtarisë lokale artistike, shënimi i datave historike kombëtare dhe ndërkombëtare dhe datave tjera me rëndësi për Komunën e Prizrenit;
- Teatër: Prodhimi i shfaqjes, promovimi dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare; Kinematografi: Film dokumentar, film i shkurtër, fuqizim i kinematografëve të rinj në ruajtjen e traditave lokale dhe trashëgimisë kulturore të Komunës së Prizrenit;
- Art Vizual - Figurativ: Krijimi i veprës së re, fuqizimi i artistëve të rinj, ekspozita të organizuara në hapësira publike;
- Mbështetja e aktiviteteve kulturore të personave me nevoja të veçanta.
Në fushën e rinisë:
Synimet specifike:
- Mbështetja e aktiviteteve rinore, promovimi i vullnetarizmit, integrimi i grupeve rinore dhe atyre të margjinalizuara, mbështetja e ideve-projekteve si dhe promovimi i talentëve;
- Edukimi jo formal: Trajnime, Punëtori, Debate, Hulumtime, për të rinjtë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në nxitjen e aktiviteteve rinore dhe luftimin e dukurive negative tek të rinjtë;
- Mbështetja për përfshirjen sociale dhe organizimi i ngjarjeve promovuese dhe rekreative;
- Mbështetja e aktiviteteve rinore të personave me nevoja të veçanta.
Në fushën e sportit:
Lot I
U dedikohet subjekteve apo klubeve të Komunës së Prizrenit, që operojnë gjatë gjithë vitit dhe që posedojnë struktura të qarta udhëheqëse si dhe strategji organizative dhe programore.
- Të kenë në gjirin e tyre ekipin e seniorëve, të femrave, juniorëve, kadetëve dhe pionierëve;
- Të kenë në gjirin e tyre së paku 4 trajner të licencuar nga Federata gjegjëse;
- Të kenë traditë të gjatë të veprimtarisë, për çdo dhjetë vjet traditë 5 pikë;
- Të kenë në gjirin e tyre së paku 200 sportistë të regjistruar pranë federatës gjegjëse;
- Të sjellin dëshmi për rezultatet e tyre në 10 vitet e fundit;
- Të aplikojnë me projekt njërën prej fushave të poshtëshënuara.
Lot II
- Të kenë në gjirin e tyre së paku tri ekipe (p.sh .. seniorët, juniorët, kadetët ose pionierët);
- Të kenë në gjirin e tyre së paku 2 trajner të licencuar;
- Të kenë traditë të gjatë të veprimtarisë, çdo dhjetë vjet traditë 5 pikë;
- Të kenë në gjirin e tyre së paku 100 sportistë të regjistruar;
- Të sjellin dëshmi për rezultatet e tyre në 5 vitet e fundit;
- Të aplikojnë me projekt njërën prej fushave të poshtëshënuara;
Lot III
- Të gjithë të interesuarit tjerë, individë, klube dhe OJQ;
- Të aplikojnë me një projekt njërën prej fushave të poshtëshënuara.
Synimet specifike:
- Masivizimi i sportit për të rinj, përkrahja e projekteve me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve të sportit për të rinj në nivel lokal dhe rajonal;
- Edukimi i të rinjve përmes sportit (projekte edukative për grup-mosha të reja);
- Aktivitete edukative me qëllim të evitimit të dhunës dhe dukurive negative në sportit dhe kultivimi i vlerave fisnike të sportit.