Subvencionimi i Bizneseve të Dëmtuara nga Pandemia

komuna e gjakoves logo e1558704218300
Komuna e Gjakovës
Publikuar më
20/10/2020
Qyteti
Gjakovë
Kategoria
Lloj listimi
Grante  
Kriteret
Biznese

Përshkrimi

THIRRJE PËR APLIKIM, UDHËZUESI DHE KRITERET PËR APLIKANTËT E SUBVENCIONEVE

HYRJE

Me qëllim të përkrahjes së sektorit privat që është dëmtuar si pasojë e mos zhvillimit apo zvogëlimit të aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë, Komuna e Gjakovës me shpërndarjen e rezervave buxhetore 2020 me Vendimin të Asamblesë Komunale nr. 01- 011/01-18666 të datës 26.08.2020 ka ri-alokuar 200,000 € në kategorinë e subvencioneve (kodi i programit 480/48016) sipas të cilës është krijuar ky program i veçantë për të ndihmuar bizneset lokale për të tejkaluar pasojat e pandemisë COVID 19.

Situata e krijuar nga pandemia COVID 19 ka shtyrë qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Komunat e Kosovës që të ndërmarrin masa për rimëkëmbje ekonomike. Me qëllim të adresimit të kësaj sfide Qeveria e Kosovës ka hartuar Programi për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili derivon nga Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023, i aprovuar në Qeveri më 05.06.2020 me nr.01/02, ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik të vendit. Rrjedhimisht, me vendimin numër 01/23 të datës 13.08.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Planin Operacional për Zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Pasi që COVID-19 tashmë ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim, të ardhura dhe eksporte, ky program ka për qëllim mbështetjen e bizneseve lokale për tejkalimin e vështirësive të krijuara nga stagnimi i aktiviteteve të tyre ekonomike.

QËLLIMI I “PROGRAMI LOKAL MBËSHTETËS PËR BIZNESET E DËMTUARA NGA PANDEMIA COVID 19“

Qëllimi i përgjithshëm i këtij programi është mbështetja financiare e sektorit privatë me qëllim të tejkalimit të pasojave të pandemisë COVID 19.

Synimet specifike të këtij programi janë:

  1. Parandalimi i dështimit/mbylljes së bizneseve nga pasojat e pandemisë COVID 19;
  2. Përkrahja e zhvillimit të bizneseve lokale me potencial rritjeje;

VLERA E SUBVENCIONIT

Vlera totale e këtij fondi është 200,000 €

Shuma e subvencionimit që një bizneset aplikuese mund të përfitojnë është nga 500.00 € deri në 3,000.00 €, varësisht prej pikëve të marra nga komisioni vlerësues.

RREGULLAT PËR APLIKIM

Kualifikimi i aplikantëve: kush mund të aplikojë?

Për t'u kualifikuar për grant, aplikantët duhet:

  • Të jenë shtetas të Kosovës.
  • Të jetë ndërmarrje mikro apo të vogla në pronësi 100% private, të regjistruara dhe operacionale në Komunën e Gjakovës (ndërmarrjet mikro kanë prej 0-9 punëtor, ndërsa ndërmarrjet e vogla prej 10-49 punëtor);
  • Të jetë i regjistruar para datës 31.12.2019 dhe atë për aktivitetet e parapara me veprimin e propozuar para aplikimit për subvencionim;

Aplikantët që nuk kualifikohen

Aplikantë potencialë nuk mund të marrin pjesë në këtë program apo të përfitojnë subvencionim nëse gjenden në ndonjërën prej situatave që renditen si më poshtë:

  • Kanë bankrotuar apo janë në mbyllje, janë nën administrim të gjykatave, kanë hyrë në marrëveshje me kreditorë, kanë pezulluar aktivitetet afariste, i janë nënshtruar procedurave në lidhje me këto çështje, ose janë në situata analoge që lindin nga procedurat e përcaktuara me legjislacion apo rregullore vendore;
  • Ata, apo personat që kanë autorizim përfaqësimi, vendim-marrjeje apo kontrolli mbi ta, janë dënuar për një vepër që ka të bëjë me sjelljen profesionale me aktgjykim të një autoriteti kompetent (pra kur nuk ka mundësi apelimi);
  • Ata, apo personat që kanë autorizim përfaqësimi, vendim-marrjeje apo kontrolli mbi ta, kanë qenë subjekt i një aktgjykimi të prerë e të plotfuqishëm për mashtrim, korrupsion, përfshirje në organizatë kriminale, shpëlarje të parave apo ndonjë aktivitet tjetër të paligjshëm, ku aktiviteti i tillë i paligjshëm është dëmtues për interesat financiarë të Kosovës;
  • Përfituesit (pronarët e bizneseve që kanë përfituar) nga skemat tjera të Komunës së Gjakovës të vitit 2020 nuk kanë të drejtë aplikimi për këtë

Sektorët apo temat

Të gjitha veprimtaritë e bizneseve private kanë të drejtë aplikimi me përjashtim të:

  • Tregtia (me pakicë e shumicë), ndërtimtaria, bujqësia (aktivitet e të cilëve ndërlidhet me fushveprimtarinë e bujqësisë që financohet nga MBPZHR dhe fondet tjera) dhe shëndetësia janë sektorë që NUK KUALIFIKOHEN.

Numri i aplikimeve

Një aplikant nuk mund të dorëzojë më shumë se një aplikacion në këtë program.

SI TË APLIKOHET DHE PROCEDURAT QË DUHEN NDJEKUR

Mënyra e aplikimit

Aplikantet ftohen të plotësojnë formularin e aplikimit duke përdorur formularin e aplikimit i cili gjendet në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës, në linkun (https://kk.rks-gov.net/gjakove/category/konkurset-njoftimet/aplikacione/), apo të merret si kopje fizike pranë Qendrës për Informim në objektin e Komunës.

Dokumentet e nevojshme për aplikim:

  • Shtojca 1 Formulari i aplikimit Dokumentet tjera shtesë:
  • Letërnjoftimi i pronarit të biznesit;
  • Certifikatën e regjistrimit të biznesit me të gjitha informatat përcjellëse (certifikata duhet të jetë e re, lëshuar nga ARBK sipas numrit unik identifikues);
  • Listën e punëtorëve për vitin 2019 dhe 2020 të lëshuar nga ATK (mund të nxjerrët online nga ueb-faqja e ATK-së).
  • Deklarata vjetore e qarkullimit e raportuar në ATK për vitin 2019 dhe 2020;
  • Vërtetimin e Tatimit në Pronë (s’paku të ketë të paguar obligimet deri më 31/12/2019);
  • Licenca valide të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës (vlejnë vetëm për bizneset e transportit të udhëtarëve);
  • Konfirmimi bankar i llogarisë së biznesit.

Vërejtje:

  • Nëse njëri nga dokumentet e kërkuara mungon atëherë aplikuesi diskualifikohet menjëherë.
  • Dokumentet e listuara me lart duhet te jene me dukshmëri të qartë;
  • Ndryshimet në Certifikatë Biznesit nuk lejohen pas datës së hapjes së kësaj thirrje;

Ku dhe si të bëhet aplikimi

Aplikimi bëhet në formë fizike përmes Zyrës së Arkivit në Komunën e Gjakovës, ku dhe protokollohet çdo dosje e aplikimit. Aplikimet përmes postës apo online nuk pranohen.

Afati për aplikim

Afati për aplikim është nga 19 deri 30 Tetor 2020, në ora 15:00. Pas këtij afati aplikacionet nuk pranohen.

Informata të mëtutjeshme për aplikimin

Për çdo paqartësi, mund të dërgohen pyetje shtesë në email-in vijues: gjakova.biz@rks- gov.net më së voni deri më 23 Tetor 2020 deri në ora 16:00, si dhe duhet të tregojë qartë referencën për programin. Komuna nuk ka për obligim të ofrojë qartësime të mëtutjeshme ndaj pyetjeve që dorëzohen pas këtij afati.

KRITERET E VLERËSIMIT

Për t'u para-selektuar, aplikacioni duhet të arrijë së paku 60 pikë. Pas vlerësimit, aplikantët do të renditen sipas pikëve të tyre në bazë të të cilave komisioni vendosë për vlerën e subvencionit që një biznes përfitues mund të marrë.

Pjesa / Elementet e notimit Pesha e përgjithshme / Piket maksimale

  1. Relevanca e veprimtarisë së ndërmarrjes 10
  2. Gjendja financiar dhe operacional e ndërmarrjes 20
  3. Qëndrueshmëria e ndërmarrjes 20
  4. Niveli i humbjeve të shkaktuara nga COVID 19 30
  5. Numri i punëtorëve mes 2019 / 2020 20

GJITHSEJ PIKE (MAKSIMUM) 100

Shpallja e plotë.