Roli i hulumtimit dhe raportimit për angazhimin qytetar

Kosovo 2.0 e1604661277326
Kosovo 2.0
Publikuar më
18/11/2020
Qyteti
Online
Kategoria
Lloj listimi

Përshkrimi

Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP ju ftojnë që më 15 dhe 16 dhjetor të merrni pjesë në punëtorinë për zhvillimin e aftësive të hulumtimit dhe shkrimit mbi procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Kjo punëtori është pjesë e serisë së punëtorive me tema të ndryshme, e organizuar në kuadër të projektit “Angazhimi qytetar”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Pse procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian?

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është fokusuar në integrimin e saj në BE si hap që do të ndikonte në stabititetin ekonomik dhe do të fuqizonte përpjekjet për shtetndërtim. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit shënoi një prej hapave themelorë në ndërtimin e marrëdhënieve konkrete ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Sidoqoftë, për t’u njohur si shtet kandidat për anëtarësim në BE, Kosova ende duhet të bëjë një rrugë të gjatë, veçanërisht në përmbushjen e obligimeve kontraktuale si përmirësimi i qasjes në drejtësi, garantimi i gjyqësorit të pavarur dhe procese të tjera.

Në anën tjetër, për pjesën më të madhe të qytetarëve në vend, integrimi në BE kryesisht shihet si rrugë drejt liberalizimit të vizave — një proces që do t’i jepte fund izolimit të gjatë të qytetarëve të Kosovës. Publiku kryesisht bazohet në raportimet e mediave për të kuptuar rezultatet e takimeve të shumta në Bruksel dhe gjetiu, por fatkeqësisht shumë prej çështjeve të rëndësishme mbulohen sipërfaqësisht nga mediat kryesore, duke e bërë të vështirë për qytetarët t’i kuptojnë me të vërtetë këto procese. Të kuptuarit e këtyre dinamikave është në veçanti e rëndësishme kur shkruhen dhe miratohen politika dhe ligje të reja që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Organizatat think tank dhe mediat luajnë rol qenësor në informimin e qytetarëve për punën dhe performancën e institucioneve dhe ndikimin e drejtëpërdrejtë që puna e tyre ka në jetët tona. Në këtë mënyrë, qytetarët janë më të informuar dhe më të aftë që aktivisht të reagojnë dhe të përfshihen në këto procese.

Për punëtorinë:

Ftojmë gazetarët, hulumtuesit, aktivistët, studentët dhe personat e rinj të interesuar, të cilët janë entuziastë për të diskutuar rreth çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në BE, duke përfshirë ndër të tjera negociatat për anëtarësim, politikat fiskale dhe orientimin strategjik për integrim në BE, si dhe mbulimin medial e raportimin për këto çështje.

Gjatë ditës së parë të punëtorisë do të fitoni më shumë njohuri rreth qasjes teorike e analitike të hulumtimit për Integrimin Evropian dhe mbledhjes së të dhënave e shkrimit të një punimi hulumtues, me ndihmën e trajnerëve tanë:

  • Krenar Shala — Hulumtues
  • Berat Thaqi — Analist i Politikave në Institutin GAP.

Në ditën e dytë të punëtorisë do të mësoni se si ta transformoni punimin hulumtues në artikull gazetaresk dhe ta ktheni në rrëfim, me ndihmën e trajnerëve:

  •  Jack Butcher — Zëvendës kryeredaktor në K2.0.
  •  Dafina Halili — Gazetare dhe redaktore kontribuese në K2.0.

Për ta mbajtur distancën fizike për shkak të COVID-19, kjo punëtori do të organizohet përmes platformës Zoom. Përkthimi në gjuhën angleze dhe serbe do të ofrohet përmes grupeve në Viber.

Për t’u regjistrur në punëtori, ju lutemi klikoni këtu.

Do të përzgjidhen gjithsej 25 njerëz. Të gjithë aplikuesit do t’i njoftojmë përmes email-it për statusin e aplikimit të tyre.

Afati i fundit për regjistrim është 7 dhjetor 2020.

Listime të ngjashme