Ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës

64x64 kosovo logo
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Publikuar më
13/04/2021
Qyteti
Kosovë
Kategoria
Lloj listimi
Grante  
Të drejtë aplikimi:
Organizatat Jo-Qeveritare

Përshkrimi

Prishtinë, 13.04.2021

Thirrje për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve në zbatim të objektives: “Ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bazuar Strategjinë Kosovare për Rini 2013-2023 si dhe Rregulloren MF - Nr. – 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve fton të gjitha Organizatat Jo-Qeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e trajnimeve, të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në përgatitjen dhe rritjen e punësimit për të rinjtë.

Objektivë i përgjithshëm i Thirrje Publike është ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës, përmes trajnimeve për personat e papunësuar, me qëllim të pajisjes me njohuri dhe shkathtësi pune ose ndërmarrëse.

Organizatat jo-qeveritare mund të aplikojnë me një projekt që kontribuojnë në përgatitjen për punë apo vetëpunësim për të rinj përmes aktiviteteve si në vijim:

  • Trajnime për ndërmarrësi dhe për themelimin e bizneseve start-up për të rinj;
  • Promovimi dhe ndërgjegjësimi i rinisë për orientim në karrierë dhe treg adekuat të punës;
  • Organizimi dhe përkrahja e panaireve për informimin e të rinjve mbi rëndësinë dhe nxitjen e tyre për kyçje në tregun e punës;
  • Përkrahja e Organizatave Rinore që merren me këshillim dhe orientim në karrierë, shkathtësim dhe ndërmjetësim të rinisë me tregun e punës;
  • Organizimi i ngjarjeve promovuese me komunitetin e biznesit dhe palët tjera të interesit për mundësitë e punësimit dhe të vetëpunësimit të të rinjve;

Buxheti i paraparë për këtë thirrje është 300,000 Euro. Shuma minimale për një projekt  është 5,000 Euro, ndërsa shuma maksimale është 15,000 Euro. 

Kriteret e përgjithshme për OJQ-të:

Për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojë kriteret e përgjithshme minimale të përcaktuara me dispozitat në vijim:

  • OJQ-të aplikuese të jenë të regjistruara në Ministrinë e Administratës Publike (për të dëshmuar këtë kërkesë, OJQ-ja aplikuese duhet të dërgojë kopjen e certifikatës së regjistrimit me rastin e aplikimit;
  • Të jetë e pajisur me Numër Fiskal, të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. Me rastin e aplikimit OJQ-ja duhet të dëshmojë këtë kërkesë përmes kopjes së certifikatës së numrit fiskal;
  • OJQ-të aplikuese duhet të kenë kryer të gjitha detyrimet tatimore ndaj ATK-së. Ndonëse mund të ketë detyrime të pashlyera në momentin e aplikimit, OJQ-ja që përfiton nga fondet publike para nënshkrimit të kontratës, duhet të dëshmojë se ose ka kryer obligimet tatimore ose ka arritur ndonjë Marrëveshje me ATK-në për kryerjen e tyre në të ardhmen. Ekzistenca e borxheve dhe obligimeve tjera të pashlyera nuk guxon të ndikojë në implementimin e projektit, prandaj zgjidhja e çfarëdo detyrimi të tillë para nënshkrimit të kontratës është e domosdoshme;
  • OJQ-ja aplikuese nuk duhet të ketë pranuar mjete financiare për realizimin e të njëjtave aktivitete në vitin përkatës fiskal. Prandaj, me rastin e aplikimit kërkohet një deklaratë e cila e shmang financimin e dyfishtë për aktivitetet e njëjta;
  • Të kenë dorëzuar një projekt-propozim sipas formularit të aplikacionit të projektit, së bashku me formularin e propozim buxhetit.

Kriteret Specifike:

Në mënyrë që aplikacioni të konsiderohet i kompletuar, aplikuesi duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta minimale të parapara me dispozitat në vijim:

  • Të dorëzojnë brenda afatit të thirrjes projekt-propozimin i cili ndër të tjera përmban të dhënat për qëllimin, objektivat specifike, aktivitetet, kalendarin e realizimit, rezultatet e synuara, përfituesit e drejtpërdrejtë dhe të dhënat tjera sipas formularit përkatës të përcaktuar sipas thirrjes publike;
  • Projekt-propozimi të jetë i shoqëruar me një propozim buxhet, sipas formatit të përcaktuar sipas thirrjes publike dhe Manualit për zbatimin e Rregullores;
  • Të dorëzojë të dhëna për personelin kyç, duke siguruar CV-të e tyre së bashku me një deklaratë pranimi nga ana e tyre se do të punojnë për projektin, në rast të përfitimit të mbështetjes financiare;
  • Të dëshmojnë se kanë mision dhe përvojë në realizimin e projekteve të ngjashme duke dorëzuar statutin e OJQ/Shoqatës, apo dëshmi të realizimit të projekteve të ngjashme në të kaluarën;
  • I gjithë dokumentacioni duhet të përmbaj një kopje fizike dhe i njëjti në mënyrë elektronike në CD
  • Të mos ketë projekt të hapur në MKRS.

Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret e përgjithshme dhe specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pakompletuar dhe si i tillë nuk mund të kualifikohet për mbështetje financiare.

Kriteret e vlerësimit përmbajtjesor janë të ndarë në disa fusha të vlerësimit:

Kapaciteti institucional i organizatës 30 pikë

Relevanca e projektit/programit 30 pikë

Impakti i përgjithshëm i  projektit 20 pikë

Kostimi/Buxhetimi i shpenzimeve për projekt 20 pikë

Gjithsej 100 pikë

Për arsye të shtrirjes regjionale dhe më qëllim të përfshirjes më të mirë të të rinjve, organizatave fituese mund t’ju kërkohet  ta ndryshojnë vendin e realizimit të projektit. 

Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzuesin për Aplikim, janë në dispozicion në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (www.mkrs-ks.org).

Dokumentet e kompletuara mund të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës.

Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është  deri më 05 Maj 2021, ora 15:00.

Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike mund të sqarohen në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: burim.mexhuani@rks-gov.net

Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendarin tregues i zbatimit të thirrjes publike janë të detajuara në Udhëzuesin për Aplikim.

VINI RE: Mbështetur në vendimin e mbledhjes së pestë të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/05 të datës 05.04.2021 dhe Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 dhe sipas konstatimit të ekspertëve shëndetësor nga IKSHPK dhe OBSH, situata epidemiologjike në Kosovë është e  rënduar, prandaj, duhet të respektohen me përpikëri të gjitha masat e rekomanduara në këtë vendim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mbajtjen  e aktiviteteve në hapësirat të mbyllura, Qendra Rinore dhe objekte të tjera publike, sipas pikës 34 të vendimit  të sipërpërmendur për Institucionet vartëse të MKRS-së dhe masave tjera për ruajtjen e distancës, mbajtjen e maskës në mënyrë të drejtë dhe mbajtjen e higjienës personale dhe të duarve

link icon Shpallja e plotë.

Listime të ngjashme