
- 3 shpallje aktive (Shiko)
Përshkrimi
Prishtinë, 16 mars 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton të gjithë kandidatët të cilët janë të interesuar të aplikojnë për certifikimin e interpretëve dhe përkthyesve gjyqësor për çiftin e gjuhëve: shqip – serbisht dhe anasjelltas; shqip – anglisht dhe anasjelltas si dhe serbisht – anglisht dhe anasjelltas se:
Meqenëse, kandidatët e caktuar për shkak të Grevës së administratës në gjykata, kanë hasur në vështirësi për sigurimin e Certifikata nga Evidenca Penale, që sipas konkursit duhet të dorëzohet së bashku me aplikacionin, me qëllim që procesi për certifikimin e kandidatëve për përkthyes të mos ndërpritet, Ju informojmë se mund të aplikoni edhe pa këtë dokument me kusht që të njëjtin ta sjellni ndërkohë (para certifikimit).
---
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, bazuar në paragrafin 1, 2 dhe 3 të nenit 4 të Rregullores nr. 07/2019 për Certifikimin e Interpretëve dhe Përkthyesve Gjyqësor dhe në mbështetje të nenit 3 dhe nenit 4 të Rregullores nr. 02/2022 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Rregullores nr. 07/2019 për certifikimit e interpretëve dhe përkthyesve gjyqësor, shpall
KONKURS
PËR CERTIFIKIMIN E INTERPRETËVE DHE PËRKTHYESVE GJYQËSOR PËR ÇIFTIN E GJUHËVE
- SHQIP - SERBISHT DHE ANASJELLTAS
- SHQIP - ANGLISHT DHE ANASJELLTAS
- SERBISHT - ANGLISHT DHE ANASJELLTAS
KRITERET DHE KUALIFIKIMET
Për t’u certifikuar për interpret dhe/ ose përkthyes gjyqësor, kandidati duhet t’i plotësojë këto kushte të përgjithshme:
- të jetë shtetas i Kosovës;
- të ketë diplomë universitare;
- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- të mos jetë i dënuar për vepër penale, në përjashtim të veprave penale të kryera nga pakujdesia;
- të ketë së paku dy (2) vite përvojë pune si interpret ose përkthyes.
VËREJTJE:
NË APLIKACIONIN PËR CERTIFIKIM, KANDIDATI DUHET TË PËRCAKTOHET SE A DËSHIRON T’I NËNSHTROHET PROVIMIT VETËM PËR PËRKTHYES GJYQËSOR, QË DO TË THOTË PROVIMIT ME SHKRIM, APO EDHE CERTIFIKIMIT PËR INTERPRET GJYQËSOR, QË DO TË THOTË EDHE PJESËS SË PROVIMIT ME GOJË
Kandidatët në momentin e aplikimit për certifikim, duhet të paraqesin këto dokumente:
- Diplomën universitare të vlefshme në Republikën e Kosovës;
- Dëshmi për përvojën e punës;
- Certifikata e nënshtetësisë;
- Certifikatë mbi zotësinë e veprimit;
- Certifikatën nga evidenca penale lëshuar nga gjykata;
- Certifikatën shëndetësore për vlerësimin e aftësive psiko-fizike; dhe g. Dëshminë për pagesën.
Kandidatët e interesuar për aplikim duhet të paraqesin të gjitha dokumentet e lartshënuara, në fotokopje të noterizuara, si kusht për aplikim. Mungesa e secilit dokument të cekur nga pika “a deri në pikën g”, paraqet bazë për diskualifikim të menjëhershëm të kandidatit për tu marrë në konsideratë nga ana e komisionit.
Provimi me gojë, për kandidatët që kanë paraqitur kërkesën për interpret gjyqësor, organizohet 7 (shtatë) ditë pas publikimit të rezultateve me shkrim. Kandidatët që nuk e kalojnë testin me shkrim nuk mund t’i nënshtrohen provimit me gojë.
APLIKACIONI PËR CERTIFIKIM
Aplikacionin për certifikim për përkthyes dhe interpret gjyqësor mund ta shkarkoni në ueb faqen e KGJK-së www.gjyqesori-rks.org.
Formulari për pagesë merret në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (tërheqja e fletëpagesës bëhet prej orës 10:00 – 15:00) dhe i bashkëngjitet dokumenteve tjera përkatëse. Kandidati i cili aplikon për t’u certifikuar si përkthyes apo interpret gjyqësor për një çift gjuhësh duhet të paguajë taksën prej pesëdhjetë (50) euro, e cila pagesë duhet të dorëzohet bashkë me aplikacionin.
Kandidati i cili certifikohet si përkthyes gjyqësor obligohet ta paguajë taksën shtesë prej njëqind (100) euro, ndërsa kandidati i cili certifikohet si përkthyes dhe interpret gjyqësor për një çift gjuhësh paguan taksën prej njëqind e pesëdhjetë (150) euro. Kjo pagesë duhet të bëhet brenda 7 ditësh, nga shpallja e listës së kandidatëve në faqen zyrtare të KGJK-së. Kandidatët që nuk i kryejnë obligimet, konsiderohen që kanë hequr dorë nga aplikimi, respektivisht certifikimi.
Konkursi është i hapur prej datës 03.03.2022 dhe mbyllet me 17.03.2022.
Aplikacioni për certifikim, bashkë me dokumentet e tjera të kërkuara, dorëzohen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Të gjithë kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar, të plotësojnë Aplikacionin për certifikim dhe t’i dorëzojnë në formë fizike, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas shpalljes së konkursit për përkthyes dhe interpret gjyqësor. Aplikacionet e paraqitura pas këtij afati nuk do të merren parasysh.
Certifikimi i kandidatëve të interesuar për interpret dhe përkthyes gjyqësor në çiftin e gjuhëve bëhet me qëllim të lehtësimit të komunikimit me anë të interpretimit në procedurë gjyqësore, ose në rastet kur interpretimi është i nevojshëm për zhvillimin e procedurës gjyqësore dhe/ose përkthimit të dokumenteve të shkruara gjyqësore dhe jo gjyqësore.
Për më tepër te gjithë kandidatet e interesuar rreth kuptimit të drejtë të obligimit dhe detyrave të tyre mund t’i referohen Rregullores nr. 07/2019 për Certifikimin e Interpretëve dhe Përkthyesve Gjyqësor dhe Rregullores nr. 02/2022 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Rregullores nr. 07/2019 për certifikimit e interpretëve dhe përkthyesve gjyqësor.