Ftese publike per projekte per edukim

kosovo logo gov square e1558603204655
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Publikuar më
30/06/2020
Qyteti
Kosovë
Kategoria
Lloj listimi
Grante  

Përshkrimi

FTESË PUBLIKE PËR PROJEKT PËR EDUKIM

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bazuar në Strategjinë për Rini 2019-2023 dhe Planin e Veprimit për Rini 2019-2023 si dhe Rregulloren MF - Nr – 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve fton të gjitha Organizatat Jo-Qeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e Edukimit të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në Edukimin e të rinjve përmes edukimit jo-formal (trajnimeve, seminareve, punëtorive, tryezave të rrumbullakëta, panaireve, konferencave, vizitave studimore) etj.

Qëllimi kryesor i kësaj Ftese Publike është Promovimi i vlerave demokratike dhe qytetarisë aktive tek të rinjtë përmes edukimit dhe krijimit i kulturës së të mësuarit gjatë gjithë jetës duke ju ofruar të rinjve aftësitë dhe njohuritë që ata kanë nevojë për të përparuar në një shoqëri të globalizuar.

Ngritja e kapaciteteve tek të rinjtë përmes edukimit jo formal mbështet zhvillimin e tyre, duke ndihmuar në transformimin e potencialit, kreativitetit, talentit, iniciativës dhe përgjegjësisë sociale, nëpërmjet përvetësimit të njohurive, aftësive, qëndrimeve dhe vlerave.

Aktivitetet e edukimit Jo formal , do të përdoren për të ndihmuar të rinjtë e moshës  15-24 vjeç që të zhvillojnë shkathtësi, kompetenca dhe qëndrime. Këto aktivitete planifikohet të jenë mirë të organizuara e të strukturuara, të mbështetura në kritere të përcaktuara përmes trajnimeve, punëtorive, kurseve, seminareve, debateve, konferencave, tryezave diskutuese etj, në disa nga tematikat si në vijim:

Tematikat:

  • Edukimin mbi të drejtat e njeriut;
  • Edukim për Lidership;
  • Edukim për advokim dhe lobim;
  • Organizimi i TEDx, ku organizon ngjarje të stilit të TED-it diku dhe kudo - duke festuar idetë e nxitura në nivel lokal dhe duke i ngritur ato në një fazë globale. Ngjarjet TEDx duhet prodhuar në mënyrë të pavarur nga konferencat TED, por bazuar në formatin dhe rregullat e TED
  • Edukim për tolerancën, paqen dhe reduktimin e konflikteve;
  • Edukim për qytetari demokratike;
  • Organizimin e konferencave ku përfitojnë të rinjtë;
  • Organizimin e panaireve;
  • Edukim mbi Shkathtësitë e komunikimit;
  • Edukim mbi zhvillimin e teknikave të shkathtësive Debatuese;
  • Shkathtësitë e mendimit Kritik;
  • Shkathtësitë e Zgjidhjes së problemit;
  • Përmisimi i aftësive të të folurit në publik (public speaking);
  • Sallone;

Buxheti total tentativ i paraparë për këtë thirrje është 120,000 Euro dhe përmes tij planifikohet të përkrahen 10-20 organizata.

Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 1.500,00 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 15.000,00 euro.

OJQ-të në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me vetëm një projekt.

OJQ-të të cilat kanë përfituar nga DiR gjatë vitit 2020 nuk mund të aplikojnë me projekt.

Kriteret e përgjithshme për OJQ-të:

Për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojë kriteret e përgjithshme minimale të përcaktuara me dispozitat në vijim:

  • të jenë të regjistruar si OJQ sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës.
  • të jenë të pajisur me numër fiskal sipas kërkesave të legjislacionit tatimor të Republikës së Kosovës;
  • të kenë kryer të gjitha detyrimet nga mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të financimit;
  • të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
  • të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Kriteret Specifike

Në mënyrë që aplikacioni të konsiderohet i kompletuar dhe të hyjë në fazën e vlerësimit nga aspekti përmbajtjesor, aplikuesi duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta minimale të parapara me dispozitat në vijim:

  • të dorëzojnë brenda afatit të thirrjes projekt propozimin i cili ndër të tjera përmban të dhënat për qëllimin, objektivat specifike (jo përshkrim i objektives së ftesës), aktivitetet, kalendarin e realizimit, rezultatet e synuara, përfituesit e drejtpërdrejtë dhe të dhënat tjera sipas formularit përkatës të përcaktuar sipas thirrjes publike;
  • projekt propozimi të jetë i shoqëruar me një propozim buxhet, sipas formatit të përcaktuar sipas thirrjes publike dhe Manualit për zbatimin e kësaj Rregulloreje.
  • të dorëzojë të dhëna për personelin kyç, duke specifikuar detyrat e tyre, siguruar CV-të e tyre së bashku me një deklaratë pranimi (para marrëveshje) nga ana e tyre se do të punojnë për projektin;
  • të dorëzojë CV dhe kopjet e diplomave të trajnerëve (minimalisht 2 trajnerë të përfshirë në trajnime) me një deklaratë pranimi (para marrëveshje) nga ana e tyre se do të punojnë për projektin;
  • i gjithë dokumentacioni duhet të përmbaj një kopje fizike dhe i njëjti në mënyrë elektronike në CD

Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret e përgjithshme dhe specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pakompletuar dhe si i tillë nuk mund të kualifikohet për mbështetje financiare.

Kriteret e vlerësimit nga aspekti përmbajtjesorë:

Me rastin e vlerësimit të projekt-propozimeve të vlerësojë me sa vijon:

  1. A posedon OJQ-ja përvojë të mjaftueshme dhe kapacitete profesionale për të kryer aktivitetet e planifikuara të projektit /programit (duke përfshirë personelin, pajisjet dhe aftësinë për të udhëhequr me buxhetin si dhe referenca për projekte të ngjashme)?
  2. A posedojnë trajnerët e angazhuar në projekt përvojë të mjaftueshme dhe kapacitete profesionale për të kryer aktivitetet e planifikuara të projektit /programit (a kanë aftësitë e duhura dhe aftësitë për zbatimin e projektit, si dhe njohuri në lidhje me çështjet që trajtohen në këtë ftesë publike)?
  3. A ka një strukturë të qartë brenda OJQ-së që do të merret me menaxhimin e projektit (a është e përcaktuar qartë ekipi i projektit dhe detyrimet e anëtarëve të ekipit) ?
  4. Sa relevant është projekt-propozimi për qëllimet dhe fushat prioritare të Ftesës Publike (a ndërlidhen projekti me aktivitetet e parapara në Strategjinë për Edukimin e të rinjve përmes edukimit jo-formal dhe politikat prioritare)?
  5. A janë objektivat e projektit/programit të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe realisht të arritshme?
  6. A janë aktivitetet e projektit / programit të qarta, të arsyeshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme?
  7. A janë përcaktuar qartë rezultatet dhe nëse aktivitetet çojnë në arritjen e rezultateve?
  8. A ka arritur projekti/programi të përcaktojë në mënyrë të qartë përdoruesit (numrin, moshën, gjininë, fokusin rajonal etj)? A përcakton dhe në çfarë mase adreson problemet dhe nevojat e tyre projekti?
  9. A janë kostot e projektit/programit reale në lidhje me rezultatet specifike dhe kohëzgjatjen e pritshme të projektit?
  10. A janë kostot e projektit në përputhje me aktivitetet e planifikuara të projektit/programit?

Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është  deri më 21 korrik 2020

OJQ -të mund të aplikojnë me më së shumti një (1) projekt në kuadër të kësaj thirrje dhe vetëm në një (1) nga fushat prioritare sipas thirrjes.

Periudha e zbatimit të projektit është maksimum deri ne dhjetor të 2020.

Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të që janë të regjistruara në regjistrin e organizatave jo-Qeveritare në Republikën e Kosovës. OJQ-të duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislacionit për OJQ-të në Republikën e Kosovës dhe në përputhje me rregullat e kontabilitetit si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike.

Para nënshkrimit të kontratës, OJQ duhet të paraqesë prova se personi përgjegjës në OJQ dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale, si dhe prova se OJQ-ja ka zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara.

Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet për Aplikantët, janë në dispozicion në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (www.mkrs-ks.org).

Dokumentet e kompletuara mund të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Departamenti i Rinisë.

Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës

Dokumentacioni i shtypur dhe ai elektronik në CD duhet të vendosen në një zarf të mbyllur me mbishkrimin (Aplikim për projekte për edukim global dhe krijimit i kulturës së të mësuarit gjatë gjithë jetës si dhe emrin e OJQ-së).

Dokumentacioni në formë elektronike (në CD) duhet të ketë të njëjtën përmbajtje, pra të jetë identik me versionin e shtypur.

Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendarin tregues i zbatimit të ftesës publike janë të detajuara në Udhëzuesin për Aplikim.

Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë ftese publike, dhe të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të ftesës publike.

MKRS do të mbaj një sesion informuese për të gjithë aplikantët potencial: 15 korrik 2020, ora 11:00 - në zyrat e MKRS/DiR 

Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: flora.salihu@rks-gov.net

Shpallja e plote e thirrjes.

Listime të ngjashme

04/08/2020
04/08/2020
Roje Pyelli (6)   Prizren
01/08/2020
30/07/2020