Ekspert/e për Strategji të Organizatës

Llogo e mdnz ne format PNG 1 e1641899878171
Me dorë në Zemër
Publikuar më
11/01/2022
Qyteti
Mitrovicë
Kategoria
Lloj listimi
Punë  

Prano njoftimet me email

Përshkrimi

sigrid e1641903246240

Termat e referencës

Ekspert/e për Strategji të organizatës

  • Projekti: Mbështetje Organizative
  • Zbatuar nga: Me dorë në Zemër
  • Financuar nga: Sigrid Rausing Trust
  • Mbështetur nga: Rrjeti i Grave të Kosovës
  • Personi kontaktues: Shqipe Qarkaj Kadriu, Drejtore Ekzekutive

Historiku

OJQ "MDNZ" u krijua në vitin 2000 nga Karitasi i Francës. Fillimisht, OJQ-ja merrej me aktivitetet e të rinjve dhe më pas zgjeroi aktivitetet e saj duke përfshirë të gjitha kategoritë e komuniteteve në të dyja brigjet e lumit Ibër.

Tani organizata punon në rritjen e pjesëmarrjes qytetare në procesin e vendimmarrjes dhe në zhvillimin e komuniteteve në përgjithësi, me një fokus të veçantë në rininë dhe gratë, në fushat e demokratizimit, arsimit, kulturës, sportit, mjedisit, mediave dhe pakicave.

Organizata ka vendosur marrëdhënie me institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile nga të dy komunitetet në qytetin e Mitrovicës dhe shërben si një urë lidhëse midis komuniteteve. Me Dorë në Zemër është një derë e hapur për shqiptarët dhe serbët. Deri më tani, organizata ka zbatuar 48 projekte, nga 60, me përfshirje të fortë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në rajonin e Mitrovicës. Në të gjitha këto projekte, aktivitetet rinore dhe gratë kanë marrë një rol të rëndësishëm. Për më tepër, organizata ka një numër prej 100 vullnetarësh të rinj, të cilët mund të aktivizohen në bazë të nevojave të një projekti të veçantë.

Organizata ka marrëdhënie partneriteti me OJQ-të nga rajoni dhe është anëtare e Platformës Pro-Peace, Rrjeti Rinor i Kosovës, Rrjeti Rinor Lokal, Këshilli Rinor i Mitrovicës, Forumi i Kosovës për Paqe dhe Shoqata e Shoqërisë Civile në Mitrovicë dhe Rrjeti Rinor Rural. Disa rrjete janë multietnike.

Për periudhën 2021 – 2022, MDNZ është përkrahur nga RrGK-ja me Mbështetje organizative. Përmes kësaj mbështetje do të punojmë në zhvillimin organizativ dhe gjithashtu në hartimin e strategjisë së organizatës për vitet 2022-2026.

Ndikimi i parashikuar i këtij veprimi është që organizata së bashku me ekspertin/en të krijoj një strategji e cila do të udhëheq punën për 5 vitet e ardhshme të organizatës. Rezultati i parashikuar i këtij veprimit, në të cilin eksperti/ekspertja do të kontribuojë, është që strategjia të jetë e realizueshme ku merren parasysh fushat në të cilat kemi punuar dhe dëshirojmë të punojmë në të ardhmen. Tjetër Rezultat i parashikuar është që MDNZ dhe anëtaret e saj të jenë më të angazhuar/a në avokim për qasje në arsim që transformon rolet tradicionale gjinore.

Për të arritur këto rezultate, MDNZ kërkon një ekspert/eksperte që: 1) bashkëpunon me MDNZ-në dhe Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) për të krijuar një strategji të organizatës që përcakton fushat e veprimit, Objektivat e këtyre fushave, Rezultatet e pritura dhe Aktivitetet përmes të cilave do të arrihen ato rezultate dhe objektiva.

Përgjegjësitë

Eksperti/Ekspertja, në konsultim të ngushtë me MDNZ-në, do të zhvillojë Strategjinë e Organizatës. Strategjia gjithashtu do të përfshijë fushat në të cilat ka punuar dhe vazhdojmë të punojmë, të bëjë identifikimin e Objektivave dhe Rezultatet e parashikuara. Strategjia do të përfshijë edhe aktivitetet që duhet të ndërmerren ashtu që të arrihen Rezultatet e parashikuara dhe Objektivat. Strategjia do të përfshijë aspektet të avokimit ashtu që të synohen ndryshime afatgjate shoqërore. Pas shkrimit të strategjisë duhet të bëhet Buxheti Organizativ i organizatës, si planifikim i mjeteve të nevojshme për të arritur realizimin e Strategjisë. Kjo Strategji do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me MDNZ-në dhe në konsultim me RrGK-në.

Detyrat

  • Hartimi i Strategjisë së Organizatës,
  • Përpilimi i Buxhetit Organizativ në bashkëpunim të ngushtë me MDNZ-në,
  • Diskutimi i strategjisë me MDNZ-në, duke e rishikuar atë në përputhje me informatat kthyese.
  • Krijimi i një plani të punës për përcjelljen, mbështetjen dhe monitorimin e punës për realizimin e Strategjisë (në komunikim të ngushtë me MDNZ-në).
  • Komunikimi i rregullt me stafin e MDNZ-së dhe informimi i tyre për aktivitetet.
  • Në të gjitha punët, duhet të merren parasysh çështjet ndër-sektoriale të gjinisë dhe mjedisit, aty ku kjo është e rëndësishme.

Fushëveprimi

Eksperti/ekspertja do të jetë i/e nevojshme gjatë gjithë këtij veprimi të mbështetur nga RrGK. Zona gjeografike do të përfshijë rajonin e Mitrovicës, me fokus në zonat ku janë vendosur grupet e synuara. Vëllimi i punës do të ndryshojë në bazë të nevojave të organizatës.

Plani kohor

Plani i përafërt kohor do të jetë si në vijim:

  • Shpallja e pozitës 11 Janar 2022
  • Afati i fundit për aplikimet  25 Janar  2022
  • Zgjedhja e ekspertit/ekspertes 28 Janar 2022
  • Plani i punës Mbetet të konfirmohet
  • Raporti përfundimtar Mbetet të konfirmohet

Ditë pune të planifikuara

Kjo kontratë do të përfshijë më së shumti deri në 10 ditë pune duke filluar nga 28 Janari 2022, që do të faturohen në bazë të kohës së punës së realizuar, ndërsa Raporti përfundimtar do të vendoset në bashkepunim të ngushtë me ekspertin/en e përzgjedhur dhe Rrjetin e Grave të Kosovës. Ditët e punës do të specifikohen në planin e punës në diskutim me stafin e MDNZ-së.

Koordinimi/përgjegjësia

Eksperti do t'i raportojë Drejtores Ekzekutive të MDNZ-së, Shqipe Qarkaj - Kadriu, dhe stafin tjetër të MDNZ-së.

Kualifikimet e ekspertit/ekspertes

Eksperti/ekspertja duhet të flasë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe angleze. Eksperti/ekspertja e përzgjedhur duhet të demonstrojë në aplikacionin e tij/saj që posedon, të paktën:

  • Një diplomë BA në fushën e studimeve gjinore dhe/ose sociologjisë apo shkencave sociale.
  • Njohuri në shkrimin e Strategjive të organizatave jo qeveritare,
  • Përvoja së paku dy vjeçare në organizata jo-qeveritare, duke përfshirë përvojën si në hartimin e strategjisë ashtu edhe në analizën gjinore;
  • Përvojë dhe një qasje të përshtatshme në punën e afërt me grupet potencialisht të margjinalizuara dhe/ose të cenueshme (p.sh., ku përfshihen gratë, personat me aftësi të ndryshme dhe në zonat rurale); dhe
  • Shkathtësi të shkëlqyera në shkrim.

Dorëzimi i ofertave

Ekspertët/ekspertet e kualifikuar të interesuara, duhet të dërgojnë pakon e aplikimit duke përfshirë:

  • CV-në;
  • Letrën e motivimit që shpjegon kualifikimet dhe kapacitetet për realizimin e këtyre detyrave;
  • Një përshkrim të shkurtër të qasjes së propozuar ndaj detyrave të renditura më lart (jo më shumë se një faqe);
  • Informatat e kontaktit për të paktën dy referenca; dhe
  • Tarifën ditore të propozuar nga eksperti/ekspertja, në përputhje me tarifat paraprake të verifikueshme në mënyrë të pavarur për punë të ngjashme të kryera nga eksperti/ekspertja.

Ekspertët e interesuar dhe të kualifikuar duhet të kenë parasysh se MDNZ është një organizatë jofitimprurëse që kërkon oferta në përputhje me tarifat ditore vendore.

Ju lutemi, dorëzoni dokumentet e kërkuara deri më 25 janar 2022, në orën 17:00 në e-mailin medorenezemer@gmail.com duke shkruar në subjekt “Ekspert/e për Shkrimin e Strategjisë”.

Vlerësimi i kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen nga një komision prej tre personash, si në vijim:

  • 30% Përvoja
  • 30% Përshkrimi i propozuar
  • 30% Intervista (aftësi e komunikimit)
  • 10% Kostoja më e ulët

Shpallja e plotë.

women network e1620114611735Llogo e mdnz ne format PNG 1 e1641899878171

 

Listime të ngjashme