Anëtar/e të SHC për përzgjedhjen e kandidatit për AP

kosovo logo 150x150 1 e1604661172151
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës
Publikuar më
27/04/2021
Qyteti
Prishtinë
Kategoria
Lloj listimi
Punë  

Përshkrimi

THIRRJE PËR APLIKIM TË ANËTARIT TË SHOQËRISË CIVILE PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATIT PËR AUDITOR TË PËRGJITHSHËM

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK) është duke kërkuar një përfaqësues të shoqërisë civile për të qenë pjesë e Komisionit Përzgjedhës për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Kandidatit për Auditor të Përgjithshëm.

Bazuar në nenin 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar dhe kontrollon:

  • veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
  • përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal;
  • veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve publike dhe personave juridikë të tjerë, tek të cilët Shteti ka një pjesë të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga Shteti.

Bazuar në nenin 136 paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 4 të Ligjit Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, si dhe Rregulloren (P) Nr. 01/2018 për Procesin e Propozimit të Emërimit të Auditorit të Përgjithshëm të Republikës të Kosovës, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka shpallur konkurs për përzgjedhjen e kandidatit për Auditor të Përgjithshëm, gjithashtu është në proces të emërimit të Komisionit Përzgjedhës për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Kandidatit për Auditor të Përgjithshëm, pjesë e të cilit duhet të jetë edhe një përfaqësues i shoqërisë civile, ekspert në fushën e kontabilitetit, auditimit, financave publike ose administratës publike.

Komisionit Përzgjedhës për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Kandidatit për Auditor të Përgjithshëm, detyrat dhe përgjegjësit i ka të përcaktuara në Ligjin Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren (P) Nr. 01/2018 për Procesin e Propozimit të Emërimit të Auditorit të Përgjithshëm të Republikës të Kosovës e miratuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës (29.03.2018).

Me këtë thirrje kërkojmë që kandidatët që aplikojnë të plotësojnë këto kritere:

  1. Të kenë përvojë të dëshmuar në fushën përkatëse të kontabilitetit, auditimit, financave publike ose administratë publike.
  2. Të jenë të angazhuar në një organizatë të shoqërisë civile e cila për të paktën 3 vite të fundit ka fushë të veçantë të veprimtarisë fushën përkatëse (kontabilitetit, auditimit, financave publike ose administratë publike).

Për të nominuar një kandidat/e, OSHC-ja duhet të dorëzojë dokumentet e mëposhtme:

  1. Një CV të kandidatit/es së nominuar
  2. Letër motivimi (max. 1 faqe) si dëshmi për përvojën e tyre në OSHC dhe përvojën e  kandidatit në fushën përkatëse
  3. Certifikatën e regjistrimit të OJQ-së, dhe (max. nje faqe) përshkrim për misionin dhe veprimtarinë e organizatës.

Procesi i Nominimit dhe Përzgjedhjes

Platforma CiviKos do të lehtësoj procesin e përzgjedhjes të përfaqësuesit të shoqërisë civile në këtë Komision Përzgjedhës për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Kandidatit për Auditor të Përgjithshëm.

Dokumentet e kompletuara duhet të dorëzohen përmes email: info@civikos.net, ose përmes postes në adresën: Platforma CiviKos Rr. Bedri Pejani 7/A 10000 Prishtinë.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve është data: 30.04.2021 ora 17:00

SHENIM: Kjo thirrje është e hapur për te gjitha organizatat e shoqërisë civile të regjistruara në Kosovë dhe nuk limitohet në anëtarësinë në Platformën CiviKos.

Në Rast të Procedurave të Votimit

Në rast se kemi më shumë se 1 kandidat që i plotësojnë kriteret atëherë do të shkohet me procedura të votimit, sipas Rregullores së Punës të CiviKos. Kandidati që merr më së shumti vota do të jetë pjesë e Komisionit Përzgjedhës për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Kandidatit për Auditor të Përgjithshëm.

Pas përfundimit të nominimit, paneli i përbërë nga një përfaqësues i Sekretariatit të Platformës CiviKos, një anëtar i Bordit të CiviKos dhe një përfaqësues i  Zyrës së Presidentes do të verifikojë nëse kandidatët e nominuar i plotësojnë kriteret e kërkuara. Të gjithë kandidatët që konstatohet që i plotësojnë kriteret e kërkuara do të përfshihen në listën përfundimtare për votim.

Menjëherë pas përpilimit të listës përfundimtare për votim, të gjitha OShC-të e regjistruara mund të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar brenda një afati prej 5 ditësh nga hapja e procesit të votimit. Votuesit mund të hedhin votën e tyre me e-mail, postë të rregullt ose personalisht në zyrën e CiviKos. Votuesit mund të votojnë në mënyrë anonime me hedhjen e votës së tyre në kutinë e votimit në zyrën e CiviKos-it. Në cilëndo mënyrë të votimit, fletëvotimit duhet t’i bashkëngjitet edhe kopja e certifikatës së regjistrimit të organizatës.

Procesi i votimit do të organizohet dhe menaxhohet nga një komision i përbërë nga personeli i Sekretariatit të Platformës CiviKos. Pas zgjedhjeve, Komisioni shqyrton dhe numëron fletëvotimet dhe përcakton se cili(a) kandidat(e) ka marrë numrin më të madh të votave. Nëse dy kandidatë marrin numrin e barabartë të votave, vendi si përfaqësues i OShC-ve do të përcaktohet me short në mes tyre.

Për të reflektuar diversitetin shoqëror dhe të shoqërisë civile në Kosovë, inkurajohet nominimi i femrave, anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë dhe grupeve të nënpërfaqësuara.

link icon Shpallja e plotë.