Bursa për nxënësit e shkollave për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

  • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
  • Kosovë
  • 20/09/2022
Bursa Arsim

Përshkrimi

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shpall:

KONKURS
Për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për vitin shkollor 2022/2023

1. Kushtet e përgjithshme për ndarjen e bursave:

Bursat ndahen për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të regjistruar në klasën e 10-të, 11-të, 12-të,  të arsimit të mesëm të lartë, gjimnaze dhe shkolla profesionale në Republikën e Kosovës, për vitin shkollor 2022/2023.

2. Qëllimi i projektit të bursave:

Qëllimi i projektit për ndarjen e bursave është ofrimi i mbështetjes financiare për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit  mbështet politika dhe programe të cilat sigurojnë arsimim kualitativ edhe për nxënësit e komuniteteve.

Objektivat kryesore të projektit janë:

  • Përfshirja e nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike të Republikës së Kosovës;
  • Sigurimi i iniciativave, përfshirë ndarjen e bursave për të reduktuar braktisjen e mësimit tek nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian;
  • Rritja e numrit të nxënësve të cilët do të ndjekin arsimin e mesëm të lartë, përmes mbështetjes financiare me bursa;
  • Ngritja e suksesit  të nxënësve duke iu ofruar mbështetje financiare.

3. Dokumentet e nevojshme për aplikim në platformën online eKosova:

  • Vërtetimi nga shkolla se nxënësi është në njërën nga klasat e shkollës së mesme të lartë në shkollat publike të Republikës së Kosovës për vitin shkollor 2022/2023;
  • Dëftesa për kryerjen e shkollës së mesme të ulët (6-9) - arsimit të obligueshëm, ose dëftesa mbi përfundimin e vitit paraprak të shkollës së mesme të lartë (10 dhe 11);
  • Për raste sociale – Vërtetimi nga Qendra për Punë Sociale i cili vërteton se familja merr ndihmë sociale dhe Vërtetimi nga Qendra për Punësim për statusin e punësimit për të dy prindërit (apo kujdestarin) që të dy prindërit janë të papunë;
  • Në rast se prindi është në marrëdhënie pune të ngarkohet vërtetimi nga punëdhësi që është në marrëdhënie pune;
  • Për fëmijët jetimë – të dorëzohet vërtetimi nga Qendra për Punë Sociale;
  • Vetëdeklarimi për përkatësinë etnike nga aplikuesi
  • Kopja e letërnjoftimit ose pasaportës (personale dhe/ e prindit apo e kujdestarit ligjorë);
  • Kopjen e llogarisë personale apo të prindit.
  • Të gjitha dokumentete e ngarkuara në platformën online në eKosova duhet të duken qartë.

Vërejtje:

Llogarija bankare duhet te jete rrjedhëse dhe aktive nuk pranohen llogari të kursimeve  apo e pensionistëve.

4. Kriteret për ndarjen e bursave:

Përzgjedhja e fituesve të bursave do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara në vijim:

  • Suksesi i bazuar në notë mesatare nga shkolla/klasa paraprake;
  • Vërtetimi për gjendjen socio – ekonomike të nxënësit (punësimin e prindit, statusin familjar dhe jetesën) – vërtetimi nga Qendra për Punë Sociale;
  • Vendbanimi;
  • Gjinia e nxënësit (kandidatët femra kanë përparësi në përzgjedhje);
  • Mungesa e përkujdesit prindëror (sipas dëshmisë).

Kandidatët rangohen sipas numrit të tërësishëm të pikëve të fituara nga kriteret e përcaktuara me këtë konkurs.

5. Afati i aplikimit dhe përzgjedhja e përfituesve:

Afati për aplikim fillon më 20.09.2022 dhe mbaron më  10.10.2022

Rezultatet do të shpallen më së largu deri më 28 tetor 2022 në ueb faqen e MASHTI-it http://masht.rks-gov.net/publikimet.

6. Lartësia dhe numri i bursave:

Lartësia e bursave është 30 euro në muaj, apo 300 euro për një vit mësimor.

Numri i përfitueseve të bursave për vitin shkollor 2022/2023 është 500.

Pagesa e bursave bëhet gjatë vitit mësimor, përmes xhirollogarisë, në bazë të kësteve të përcaktuara nga Komisioni i MAShTI, në 1 apo më shumë këste. 

7. Mënyra e aplikimit:

Aplikacioni do te jete i hapur në platformën online eKosova nga data 20.09.2022 deri më 10.10.2022 në ora: 24:00. Fillimisht kandidati që aplikon për bursë duhet të regjistrohet në platformën online në eKosova.

Vegëza për aplikim:

https://ekosova.rks-gov.net/Services/SubService?service=415

Në vegëz gjeni video udhëzuesin për mënyrën e aplikimit dhe dokumentin sqarues lidhur me hapat e aplikimit.

Për ndihmë rreth regjistrimit dhe aktivizimit të llogarisë në eKosova na kontaktoni përmes: Tel: 038 200 30 900; 0800 30 900 apo e-mail: ekosova@rks-gov.net

Për sqarime shtesë rreth kritereve të konkursit vizitoni faqen https://masht.rks-gov.net tel: +383 38 200-20081 apo në e-mail: nazan.safqi@rks-gov.net

Kandidatët e pakënaqur mund të ushtrojnë ankesë brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes së rezultateve në web faqen e MAShTI.

Ankesa mund t'i paraqitet komisionit për ankesa dhe parashtresa në MASHTI. Ankesa duhet të jetë e arsyetuar dhe të ketë të bashkëlidhura dokumentet që e argumentojnë ankesën. Përgjigjja në ankesë do të jepet brenda 30 ditësh nga dita e pranimit.

Sipas vendimit të Komisionit përzgjedhës për ndarjen e bursave, MAShTI nxjerr vendim për përfituesit e bursave. Bursa jepet pa obligim për kthim. MASHTI-i, do ta bëjë monitorimin e vijueshmërisë së nxënësve përfitues. Shfrytëzuesit të bursës do t’i ndërpritet bursa në rast se është përfitues i ndonjë burse tjetër, nëse braktis shkollimin, apo ka numër të paarsyeshëm të mungesave në vijueshmëri të mësimit dhe nëse ka rënie të madhe të suksesit.

Komuna

Kosove