Zyrtar/e i Antenës për Programin BNK Shqipëri-Kosovë

kosovo logo 150x150 1 e1604661172151
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
Published
01/11/2021
Location
Pristina
Category
Listing Type
Jobs  

Description

TERMAT E REFERENCËS / PËRSHKRIMI I PUNËS

  • Pozita: Zyrtar i Antenës, për Sekretariatin e Përbashkët Teknik (SPT), Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar,  Shqipëri – Kosovës, IPA II, 2014-2020
  • Lokacioni: Zyra e përbashkët e BNK-së në Prishtinë
  • Project: Asistenca Teknike për menaxhimin e marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë 2014 - 2020
  • Kohëzgjatja: Janar 2022 – Dhjetor 2022.

Përshkrim i përgjithshëm

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në rolin e Strukturës Operative, publikon thirrjen për shprehje të interesimit për rekrutimin e një (1) zyrtari të Antenës së Sekretariatit të Përbashkët Teknik në Prishtinë me qëllim të zbatimit të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri- Kosovë, IPA II, 2014-2020.

Zyrtari i Antenës do të vendoset në zyrën e antenës në SPT në Prishtinë për realizimin e aktiviteteve në kuadër të Programit si dhe duke vizituar përfituesit e projektit në të dy anët e kufirit.  Në zonat e lejueshme në Shqipëri programi zbatohet në Rajonin e Kukësit: Qarku i Kukësit, Hasit dhe Tropojës dhe Rajonin e Lezhës: Qarku i Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit. Në Kosovë përfshinë Rajonin Ekonomik Jugor: Komuna e Prizrenit, Dragashit, Rahovecit, Suharekës, Malishevës dhe Mamushës dhe Rajoni Ekonomik Perëndimor: Komuna e Pejës, Deçanit, Gjakovës, Istogut, Klinës dhe Junikut.

Nën mbikëqyrjen e Udhëheqësit të Sekretariatit të Përbashkët Teknik, Zyrtari i Antenës do të jetë përgjegjës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe zbatimin e programit, përfshirë këtu koordinimin e aktiviteteve specifike që kërkojnë njohuri të thellë të fushës së disponueshme të programit, në pjesën e Kosovës. Ai ose ajo, do të luajë rol themelor në  zbatimin e grant kontratës në të gjitha aspektet, përmes së cilës synohen të arrihet qëllimi dhe objektivat e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë, IPA II, 2014-2020. Qëllimi i grant kontratës së Asistencës Teknike është që të siguroj menaxhim efektiv, efikas dhe përgjegjës të programit të bashkëpunimit ndër-kufitar. Mbështetja do të sigurohet në 2 nivele:

  • Niveli Menaxhues nëpërmjet mbështetjes për Strukturat Operative dhe Strukturave të Menaxhimit të Përbashkët në mënyrë që të sigurohet zbatim efektiv, monitorim, kontroll dhe vlerësim i programit të BNK-së. Duhet gjithashtu të mbështet zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të Strukturave Operative/Komisionit të Përbashkët Monitorues.
  • Niveli Operacional nëpërmjet mbështetjes së Sekretariatit të Përbashkët Teknik (SPT) zyra e cila ndodhet në Lezhë (Shqipëri) dhe zyra e Antenës në Prishtinë (Kosovë). Asistenca Teknike do të mbështes veprimet të cilat sigurojnë përgatitjen dhe përzgjedhjen e operacioneve të cilësisë së lartë dhe shpërndarjen e informatave mbi aktivitetet e programit dhe të arriturat. Duhet të mbështes edhe dukshmërinë dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të aplikantëve potencial dhe përfituesve të grantit.

Zyrtari i Antenës duhet të ketë aftësi dhe përvojë në fushën e zbatimit, të financave dhe monitorimit të fondeve nga Bashkimi Evropian.

Zyrtari i Antenës do të mbuloj detyrat e mëposhtme:

Menaxhimin e grant kontratës:

  • Përgatit dhe zbaton aktivitete në kuadër të grant kontratës si dhe përgatit raporte periodike narrative dhe financiare sipas kërkesës;
  • Përgatit informata lidhur me zbatimin e programit në tërësi, zbatimin e grant kontratës si dhe projekteve të financuara sipas kërkesave të Udhëheqësit të SPT-së dhe Strukturave Operative.

Menaxhimi financiar i grant kontratës

  • Siguron që kërkesat për pagesa për të gjitha shpenzimet operative dhe çdo pagesë tjetër për funksionimin e Zyrës së Antenës të hartohen dhe dorëzohen me kohë në OS për pagesë në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë;
  • Përcjell dhe siguron që mos të ketë vonesa në dorëzimin e kërkesave për pagesa;
  • Mbështet SO-në në hartimin e raporteve financiare për shpenzimet e bëra në kuadër të programit;
  • Siguron që aktivitetet/shërbimet e prokurimit të programit të përfshihen në planin vjetor të prokurimit të Strukturës Operative;

Mbështet punën e Komitetit të Përbashkët për Monitorim (KPM) dhe Strukturës Operative (SO)

  • Organizon takimet e KPM-së dhe kryen funksionin e sekretariatit për këtë trup;
  • Ofron informata relevante tek SO, sipas nevojës;
  • Organizon takimet e SO-ve;
  • Merr pjesë  në  takimet  tematike  dhe  regjionale si dhe ngjarjet për  ngritjen  e kapaciteteve, nëse kërkohet.

Përgatit dokumentet kryesore të programit

  • Ofron mbështetje në përgatitjen e planeve vjetore te punës;
  • Ofron mbështetje në përgatitjen e raporteve vjetore dhe finale të zbatimit;
  • Ofron mbështetje në rishikimin e dokumenteve të programit.

Organizon aktivitete në kuadër të thirrjeve për propozime dhe ngritjes së kapaciteteve për aplikantet potencial

  • Ofron mbështetje për Strukturat Operative dhe Autoritetin   Kontraktues   në  përgatitjen   e  thirrjeve  për propozime dhe të gjithë dokumentacionit përcjellës;
  • Organizon trajnime për aplikantët potencial dhe aplikantët e pasuksesshëm;
  • Organizon sesione informuese dhe forume për kërkim të partnerëve (PSF);
  • Shërben si zyrë ndihmëse  për  përkrahjen  e  kandidatëve  potencial/ofrimin e  përgjigjjeve brenda afateve relevante  në të gjitha pyetjet e aplikuesve  të interesuar që ndërlidhen  me thirrjen për propozime;
  • Ndihmon në procesin e vlerësimit varësisht nga kërkesat e Autoritetit Kontraktues;
  • Mban informata statistikore për secilën thirrje për propozim dhe projektet e zbatuara;

Ngritja e kapaciteteve për përfituesit e projektit

  • Përgatit dhe zbaton pakon për ngritjen e kapaciteteve për përfituesit;
  • Organizon seminare zbatuese për përfituesit;
  • Organizon trajnime mbi prokurimin dhe financat për përfituesit;
  • Organizon trajnime për përfituesit mbi publicitetin dhe vizibilitetin;
  • Organizon trajnime për përfituesit mbi raportimin;
  • Shërben si zyrë ndihmëse për përfituesit.

Monitorimin e projekteve të financuara nga programi

  • Mban dosjet për secilin projekt të financuar në kuadër të programit;
  • Ndihmon në pranimin, analizimin  dhe përcjelljen  e raporteve  të pranuara  të progresit nga përfituesit;
  • Përgatit një orar indikativ të vizitave monitoruese;
  • Organizon vizitat monitoruese,   harton  raporte për  vizitat  monitoruese,   dhe përcjell projektet gjatë implementimit të tyre;
  • Mban informata relevante te projektit të përditësuara  në formën elektronike.

Vizibiliteti, promovimi dhe komunikimi

  • Ndihmon në organizimin  e ngjarjeve  të vizibilitetit  të  ndërlidhura me thirrjet  për propozime dhe promovim të programit;
  • Ndihmon në organizimin e fushatave për ngritjen e vetëdijësimit publik dhe ngjarjeve promovuese;
  • Mbështet SPT-në në përgatitjen e planeve vjetore të komunikimit dhe vizibilitetit.
  • Ndihmon në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e ueb-faqes dhe rrjeteve sociale së programit;
  • Ndihmon në përgatitjen dhe prodhimin e materialeve promovuese, sipas planit të punës së SPT-së dhe/apo planit të veprimit për komunikim;

Other

  • Kryen detyra të tjera që i caktohen nga Udhëheqësi i SPT-së dhe Strukturat Operative.

Qualifications

Kualifikimet dhe aftësitë minimale

  • Diplomë universitare në ekonomi, financa publike, biznes, shkenca sociale, administratë publike ose fusha të ngjashme.
  • Të jetë i/e rrjedhshëm/me në të shkruar dhe folur në gjuhën shqipe dhe angleze.

Përvojë e përgjithshme profesionale

  • Së paku 5 vjet përvojë e përgjithshme profesionale në menaxhimin e programeve/projekteve të financuara nga BE ose donatorë të tjerë;
  • Së paku 2 vite përvojë profesionale në financa;
  • Përvoja e mëparshme në aktivitetet e informacionit dhe komunikimit në projektet e financuara nga donatorët ndërkombëtarë dhe veçanërisht në programet e financuara nga BE-ja do të jetë një avantazh.

Përvojë specifike profesionale

  • Përvoja në lidhje me monitorimin e projekteve mundësisht në Monitorimin e Orientuar në Rezultat (ROM) të kontratave të granteve të financuara nga BE-ja është një avantazh.
  • Të jetë i informuar mbi funksionimin e administratës publike në Kosovë do të ishte e mirëseadrhur.

Kërkesa të tjera

  • Zyrtari i Antenës duhet të ketë shtetësinë e Kosovës

Procedura e aplikimit dhe dokumentet që duhet të dorëzohen:

  • Curriculum Vitae (CV)e formatit Europass në gjuhën angleze;
  • Një kopje të diplomës universitare;
  • Kopje të certifikatave të trajnimeve të ndjekura;
  • Dokumente mbështetëse për secilën përvojë të deklaruar.

Kandidatët e interesuar duhet t'i dorëzojnë dokumentet e aplikimit në formë elektronike nga data 01 nëntor 2021 deri më 15 nëntor 2021 deri në ora 16:00h në adresën elektronike në vijim:

Adresa e postës elektronike: blerdon.pajaziti@rks-gov.net        

Subjekti: "Aplikacioni për Zyrtar i Antenës për Programin BNK Shqipëri - Kosovë”.

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do të kontaktohen.

Shënim: Aplikacionet e dërguara pas afatit kohor nuk do të merren parasysh.

Full announcement

Prano njoftimet me email