Thirrje: rritja e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës përmes edukimit jo-formal

Ministry of Culture, Youth and Sports
Published
17/08/2021
Location
Kosovo
Listing Type
Grants  
Eligibility
Non-Governmental Organizations

Description

Njoftohen të interesuarit se afati për aplikim për anëtar të komisionit për vlerësimin e Projekteve/propozimeve me tematikë: Rritja e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës përmes edukimit joformal për aftësim digjital, ndërmarrësi dhe aftësi tjera profesionale si dhe lehtësimit të qasjes në financimin për ndërmarrësi- Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, publikuar më 26 Gusht 2021 shtyhet deri më datën 13.09.2021 ( e hënë), ora 15:00 h .

Thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

Prioriteti i parë i Qeverisë së Kosovës është punësimi dhe fuqizimi ekonomik i qytetarëve, në veçanti i rinisë kosovare. Në funksion të këtij prioriteti, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u bënë thirrje të gjitha organizatave jo-qeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës të aplikojnë për mbështetje financiare me projekte që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik dhe aftësimin profesional të të rinjve, duke inkurajuar edhe projektet të përfshirjes ekonomike të të rinjve nga mërgata.

OJQ-të në përputhje me këtë thirrje publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre në kuadër të objektives së përgjithshme:

Rritja e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës përmes edukimit jo-formal për aftësimin digjital, ndërmarrës dhe aftësime tjera profesionale, si dhe lehtësimit të qasjes në financim për ndërmarrësi

Organizatat jo-qeveritare mund të aplikojnë me një projekt që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik dhe aftësimin profesional e të rinjve:

Objektiva specifike 1: Përgatitja e të rinjve përmes trajnimit, orientimit dhe rrjetëzimit në fushat me prioritet për tregun e punës, përmes aktiviteteve si më poshtë:

  • Trajnime, punëtori dhe seminare të ndryshme të aftësimit profesional për përfshirje në tregun e punës, përfshirë në fushat IT, TIK, dizajn, sektori financiar dhe industritë prioritare për shtetin e Kosovës.
  • Trajnime, punëtori dhe seminare të ndryshme mbi vetëpunësimin, aftësitë ndërmarrëse, krijimin dhe rritjen e biznesit, etj.
  • Organizimi i ngjarjeve promovuese dhe rrjetëzuese me komunitetin e mërgatës për mundësitë e biznesit dhe punësimit të të rinjve.
  • Organizimi dhe përkrahja e panaireve për informimin e të rinjve mbi rëndësinë dhe nxitjen e tyre për kyçje në tregun e punës.
  • Organizimi i ngjarjeve promovuese me komunitetin e biznesit dhe palët tjera të interesit për mundësitë e punësimit dhe të vetëpunësimit të të rinjve.
  • Programe që ndërlidhen me objektiven specifike që dedikohen për të rinjtë e grupeve të margjinalizuara me fokus gratë e reja, komunitetet minoritare dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara.
  • Studime dhe hulumtime ndërlidhur me çështjet e të rinjve, në veçanti aftësimin dhe punësimin, si dhe tema tjera që ndërlidhen me objektiven e përgjithshme.

Objektiva specifike 2: Përkrahja e punësimit dhe nismave ndërmarrëse për fuqizimin ekonomik të të rinjve, përmes aktiviteteve si më poshtë:

  • Programe që ofrojnë mundësi për punë praktikë dhe mentorship në biznese dhe organizata.
  • Programe që ofrojnë mundësi për punë vullnetare edukative në projekte dhe organizata.
  • Programe që mundësojnë lehtësimin e qasjes në financim për ndërmarrësi te të rinjtë përmes granteve, trajnimeve, mentorimit dhe orientimit.
  • Programe që fuqizojnë bashkëpunimin direkt të të rinjve në Kosovë me të rinjtë e mërgatës përmes iniciativave të përbashkëta, me veçanti ato ndërmarrëse.
  • Përkrahja e projekteve të organizatave që merren me këshillim dhe orientim në karrierë, shkathtësim dhe ndërmjetësim të rinisë me tregun e punës.
  • Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të organizatave për administrimin e projekteve të edukimit jo-formal përmes trajnimeve, certifikimeve, hartimin e udhëzuesve, planeve të veprimit, etj.
  • Programe që ndërlidhen me objektivën specifike që dedikohen për të rinjtë e grupeve të margjinalizuara me fokus gratë e reja, LGBTIQ, komunitetet minoritare dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara.

Pavarësisht temës primare të projektit, një pjesë e aktiviteteve duhet të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë kundër infektimit me virusin COVID-19. Të gjitha materialet promovuese të projektit duhet që në mënyrë të shkruar të kujtojnë masat kundër infektimit me COVID-19 siç janë mbajtja e maskës, mbajtja e distancës fizike dhe pastrimi i duarve.

4. Vlera totale e planifikuar e thirrjes është 500,000.00 euro.

Objektiva specifike 1: Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 5,000.00 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 30,000.00 euro.

Objektiva specifike 2: Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 5,000.00 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 50,000.00 euro.

5. Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është deri më datën 07.09.2021.

6. OJQ-të mund të aplikojnë me më së shumti një (1) projekt në kuadër të kësaj thirrje dhe vetëm në një (1) nga objektivat specifike sipas thirrjes.

Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të që janë të regjistruara në regjistrin e organizatave jo-Qeveritare në Republikën e Kosovës dhe të cilat veprojnë në Republikën e Kosovës para datës së publikimit të thirrjes publike. OJQ-të duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislaconit për OJQ-të në Republikën e Kosovës dhe në përputhje me rregullat e kontabilitetit si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesve të mbështetjes financiare publike.

Të drejtë aplikimi në këtë thirrje kanë edhe OJQ-të që kanë qenë përfituese të mbështetjes financiare nga thirrjet publike të MKRS-së për vitin 2021 dhe që kanë  projekt tjetër në zbatim me MKRS-në.

Para nënshkrimit të kontratës, OJQ duhet të paraqes prova se OJQ-ja ka zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara, nëse është e aplikueshme.

7.Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet për Aplikantët, janë në dispozicion në faqen e internetit të ofruesit të mbështetjes financiare (www.mkrs-ks.org).

Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:

Ministry of Culture, Youth and Sports
Ish-Ndërtesa e Partive Politike, Zyra e Arkivit, nr. 22,
Sheshi Nëna Terezë, Nr 35, 10000 Prishtinë

Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendarin tregues i zbatimit të thirrjes janë të detajuara në Udhëzimet për aplikuesit e thirrjes publike.

Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë thirrje publike dhe të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të thirrjes publike.

8. Të gjitha çështjet që lidhen me thirrjen publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: imran.rasimi@rks-gov.net

VINI RE: Mbështetur në vendimin e mbledhjes së pestë të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/05 të datës 05.04.2021 dhe Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 dhe sipas konstatimit të ekspertëve shëndetësor nga IKSHPK dhe OBSH, situata epidemiologjike në Kosovë është e  rënduar, prandaj, duhet të respektohen me përpikëri të gjitha masat e rekomanduara në këtë vendim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mbajtjen  e aktiviteteve në hapësirat të mbyllura, qendra rinore dhe objekte të tjera publike, sipas pikës 34 të vendimit  të sipërpërmendur për Institucionet vartëse të MKRS-së dhe masave tjera për ruajtjen e distancës, mbajtjen e maskës në mënyrë të drejtë dhe mbajtjen e higjienës personale dhe të duarve.

Të gjitha materialet promovuese të projektit duhet që në mënyrë  të shkruar të kujtojnë masat kundër infektimit dhe COVID-19 siç janë mbajtja e maskës, mbajtja e distancës fizik.

Full announcement

Prano njoftimet me email