Thirrje për blerjen e veprave të artit të artistëve vendor

kosovo logo 150x150 1 e1604661172151
Ministry of Culture, Youth and Sports
Published
12/10/2021
Location
Kosovo
Category
Listing Type
Grants  

Description

Thirrje publike për blerjen e veprave të artit të artistëve vendor - Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

Bazuar në Vendimin me Nr. 11/24, të datës 11.08.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të ruajtjes, mbështetjës dhe promovimit  të krijimtarisë vendore bashkëkohore, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike shpall konkurs publik për blerjen e veprave të artit vizual dhe audiovizual për pasurimin e fondit aktual shtetëror të artit.

Pasurimi i fondit shtetëror të artit të Kosovës ka për qëllim ruajtjen dhe mbështetjen institucionale të praktikave artistike multi-disiplinare, që në vetëvete përmbajnë trajta të ndryshme estetike, dhe që tregojnë përkushtim dhe ngrisin në diskutim diskurse të rëndësishme të kohës, duke kontribuar drejt një ekosistemi kulturor të barabartë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë. Përmes pasurimit të këtij fondi publiku vendor dhe ndërkombetar do të ketë qasje në vepra artistike bashkëkohore të krijuara në Kosovë.

1. Objektivat e Thirrjes Publike  

  1. Të kontribuojë drejt diversifikimit të trashëgimisë së arteve pamore, duke krijuar hapësirë të shprehjes artistike për komunitetet me prapavi të ndryshme kulturore;
  2. T’i ofrojë publikut të gjerë vendas dhe ndërkombëtar qasje në veprat e fondit shtetëror të artit të Kosovës;
  3. Të krijojë mundësi për individë, institucione të pavarura dhe publike për të prezentuar fondin shtetëror  të artit të Kosovës në kuadër të programeve të kuruara vendore dhe ndërkombëtare;
  4. Të konfirmojë rëndësinë e veçantë që arti e ka në shoqëri;
  5. Të mbledhë, ruaj dhe mirëmbajë veprat e artit që janë krijuar nga artistë vendor të cilat reflektojnë mbi aktualitetet e kohës.

2. Artistët në përputhje me këtë thirrje publike mund të aplikojnë me vepra nga disiplina të ndryshme të arteve pamore:

  • Pikturë
  • Skulpturë
  • Vizatim
  • Grafikë
  • Tekstil
  • Qeramikë
  • Dizajn industrial
  • Art digjital
  • Video art
  • Performancë
  • Instalacion
  • Other

Vlera totale e planifikuar e thirrjes publike është 247,000 euro.

Shuma minimale për blerjen e veprës është 1,500 euro, ndërsa shuma maksimale është 7,000 euro.

Thirrja publike do të jetë e hapur 30 ditë kalendarike. Afati për dorëzimin e aplikimit përfundon me datën 8 nëntor, 2021, në orën 16:00.

3. Materialet që duhet dorëzuar për aplikim:

  • Për pikturë, grafikë, skulpturë, fotografi, dizajn industrial, etj: reproduksion i veprës i shtypur me ngjyra, në formatin A3, me kualitet të lartë (minimum 600 x 800 dpi);
  • Për video, instalacion dhe art digjital: të dorëzohen video materiale (10 min. maksimalisht), foto-dokumentim, render i instalacionit, të ruajtura në formatin digjital në USB;
  • Për performancë: video-dokumentim i performancës dhe fotografi nga procesi i punës të ruajtura në formatin digjital në USB;
  • Aspektet formale të veprës: formati, përmasa, materiali i përdorur, teknika, data e punimit dhe data e përfundimit, si dhe detajet tjera të veprës (dokument i shtypur);
  • Përshkrimi i praktikës artistike (dokument i shtypur 80-100 fjalë);
  • Koncepti artistik i veprës (dokument i shtypur 80-100 fjalë);
  • Biografia (dokument i shtypur 500 fjalë);
  • Referenca dhe vlerësime profesionale të veprës artistike nga profesionistë të fushës (dokument opsional, maksimalisht 150 fjalë). 

Vërejtje: Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pakompletuar dhe si i tillë nuk do të kualifikohet për shqyrtim të mëtejshëm. Vlen të theksohet që, me rastin e aplikimit, veprat e artit nuk pranohen fizikisht.

4. Kriteret e përgjithshme:

Për t’u kualifikuar për blerjen e veprave artistike, aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme si në vijim:

  • Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
  • Të aplikojnë me vetëm një vepër artistike;
  • Të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit dhe organizatës buxhetore Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës (Aplikuesi nuk lejohet të jetë i punësuar në MKRS ose institucionet vartëse të saj);
  • Të ofrojë dëshmi për autorësinë e veprës artistike;

Aplikimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilët janë në dispozicion në ueb-faqen e MKRS-së: www. mkrs-ks.org.

Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen personalisht  ose me postë, në adresën e mëposhtme:

Ministry of Culture, Youth and Sports
Sheshi Nëna Terezë
Zyra e Arkivës, Nr. 22
10000, Pristina
Republic of Kosovo

Procesi i vlerësimit të aplikacioneve do të udhëhiqet dhe vendoset nga një juri vlerësuese që do të përbëhet nga profesionistë të fushës. Kjo juri do të emërohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Aplikimi do të konsiderohet i plotë nëse përmban të gjitha format e aplikimit dhe anekset e detyrueshme dhe dokumentacionin siç kërkohet në thirrjen publike si në vijim:

  1. Formulari për aplikim i shtypur (Obligative);
  2. Forma e buxhetit e shtypur (Obligative);
  3. Dokument që vërteton shtetësinë e Republikës së Kosovës i shtypur (Obligative);
  4. Deklarata e autorësisë së veprës artistike i shtypur (Obligative);
  5. Deklarata për datën e krijimit të veprës i shtypur (Obligative);
  6. Për pikturë, dizajn, grafikë, fotografi, skulpturë, instalacion etj: reproduksioni i veprës i shtypur me ngjyra, në formatin A3, me kualitet të lartë (minimum 600 x 800 dpi) (Obligative);
  7. Për video, instalacion dhe art digjital: materialet të dorëzohen në formatin digjital të ruajtura në USB (Obligative);
  8. Për performancë: fotografi nga procesi i punës dhe video-dokumentim i performancës të ruajtura në USB (Obligative);
  9. Aspektet formale të veprës: formati, përmasa, materiali i përdorur, teknika, data e punimit dhe data e përfundimit, si dhe detajet tjera të veprës - dokument i shtypur (Obligative);
  10. Referenca dhe vlerësime profesionale të veprës artistike, të cilat duhet të përmbajnë maksimalisht 150 fjalë - dokument i shtypur (Opsionale);
  11. Biografia të përmbajë maksimalisht 500 fjalë - dokument i shtypur (Obligative);
  12. Përshkrimi i praktikës artistike dhe koncepti artistik i veprës, të cilat duhet të përmbajnë maksimalisht 80-100 fjalë (Obligative);
  13. Kopja e letërnjoftimit (Obligative);

Do të konsiderohen për blerje veprat e aplikantëve të cilët kanë dorëzuar aplikimin e tyre brenda afatit të paraparë me këtë thirrje publike, dhe të cilët i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të thirrjes publike.

Të gjitha çështjet që lidhen me thirrjen publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: jehona.shyti@rks-gov.net.

Shpallja e plotē.

Prano njoftimet me email