Ekspert/e për Strategji të organizatës

Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës
Published
16/12/2021
Expires
06/01/2022
Location
Pristina
Category
Listing Type
Jobs  

Prano njoftimet me email

Description

Termat e referencës

Ekspert/e për Strategji të organizatës

  • Project: Mbështetje Organizative
  • Zbatuar nga:  Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës
  • Mbështetur nga: Sigrid Rausing Trust
  • Personi kontaktues: Bajramshahe Jetullahu, Drejtore Ekzekutive

Historiku

Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës është një organizatë jo-qeveritare e themeluar në vitin 2006 nga Bajramshahe Jetullahu. Znj. Jetullahu duke parë pozitën e grave në Kosovë dhe në veçanti grave të verbëra të cilat nuk gëzojnë përkrahje në shoqëri, e ka parë si të domosdoshme themelimin e një organizate e cila do të mbrojë të drejtat e grave të verbëra dhe do të kujdeset që kjo kategori e personave, përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme dhe me bashkëpuntorët tanë, të gëzojnë të drejtat e garantuara me ligje dhe të bëhet inkuadrimi i tyre në shoqërinë tonë.

Që nga viti 2006, Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës ka arritur suksese të mëdha. Ne kemi arritur që të thyejm barriera të ndryshme qoftë nga ato ku familjet kanë hezituar të dalin në publik me një përson të verbër për shkak të problemit të tij/saj shëndetësor deri tek socializimi i tyre në shoqëri.

Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës gjatë këtyre viteve punë ka realizuar projekte të ndryshme si përshembull: Orientimi i përsonave të verbër në hapsirë dhe orientimi i përsonave të verbër në objekte, trajnime psikologjike, zbutjen e analfabetizmit, fuqizimin ekonomik të gruas së verbër përmes trajnimeve artizanale, projekte avokuese dhe lobuese për të drejtat e përsonave të verbër

Rreth thirrjes:

Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe respektimi i ligjeve në fuqi duhet të jetë prioritet i institucioneve të Republikes së Kosovës. Institucionet tona duhet të shërbejnë si shembull për qytetarët por, fatkeqesisht nuk gjendet mbështetje adekuate në respektimin dhe avansimin e të drejtave për këtë kategori të shoqërisë. Madje, në disa raste kemi gjetur edhe shkelje ligjore nga vetë ligjvënësit.

Për periudhën nëntor 2021 deri 15 maj 2022, KGVK-ja është përkrahur financiarisht nga Sigrid Rausing Trust dhe mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës për mbështetje organizative të rritjes së kapaciteteve të KGVK-së. Ndikimi i parashikuar përmes mbështetjes organizative është ngritja e kapaciteteve të KGVK-së, kjo përmes shkrimit të Strategjisë së organizatës tonë, i cili do të shërbej si dokument bazë i organizatës dhe udhërrëfyes i punës tonë për 5 vitet e ardhme.

Rezultati i pritur është: ofrimi i shërbimeve më cilësore për personat e vërbër dhe me të pame të dobësuar në Republikën e Kosovës, avokimi dhe lobimi tek institucionet e Republikes së Kosovës për permirsimin e ligjeve dhe kushteve për komunitetin e personave të verbër dhe me të pame të dobësuar. Rezultat i parashikuar është që KGVK-ja dhe antarët e saj të jenë më të angazhuar në avokim dhe lobim për të drejtat që u garantohen sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fuqi.

Për të arritur këto rezultate, KGVK kërkon një ekspert/eksperte që: 1) bashkëpunon me KGVK-në dhe anëtaret e saj për të ofruar mbështetjen profesionale për krijimin e strategjisë të punës të KGVK-së dhe 2) Krijimin e planit të avokimit të KGVK-së për periudhen 2022-2026.

Përgjegjësitë

Eksperti/Ekspertja, në konsultim të ngushtë me KGVK-në, do të zhvillojë Strategjinë e Organizatës. Strategjia gjithashtu do të përfshijë fushat në të cilat ka punuar dhe vazhdojmë të punojmë, të bëjë identifikimin e Objektivave dhe Rezultatet e parashikuara. Strategjia do të përfshijë edhe aktivitetet që duhet të ndërrmiren ashtu që të arrihen Rezultatet e parashikuara dhe Objektivat. Strategjia do të përfshijë aspektet të avokimit ashtu që të synohen ndryshime afatgjate shoqërore. Pas shkrimit të strategjisë duhet të bëhet Buxheti Organizativ i organizatës, si planifikim i mjeteve të nevojshme për të arritur realizimin e Strategjisë. Kjo Strategji do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me KGVK-në dhe në konsultim me RrGK-në. Drafti i parë i Strategjisë duhet ti dërgohet për komente dhe sygjerime KGVK-së dhe Rrjetit të Grave të Kosovës.

Detyrat

  • Hartimi i Strategjisë së Organizatës,
  • Përpilimi i Buxhetit Organizativ në bashkëpunim të ngushtë me KGVK-në,
  • Diskutimi i strategjisë me KGVK-në, duke e rishikuar atë në përputhje me informatat kthyese nga KGVK-ja dhe RrGK-së.
  • Krijimi i një plani të punës për përcjelljen, mbështetjen dhe monitorimin e punës për realizimin e Strategjisë (në komunikim të ngushtë me KGVK-në).
  • Komunikimi i rregullt me stafin e KGVK-së dhe informimi i tyre për aktivitetet.
  • Në të gjitha punët, duhet të merren parasysh çështjet ndër-sektoriale të gjinisë dhe mjedisit, aty ku kjo është e rëndësishme.

Fushëveprimi

Eksperti/ekspertja do të jetë i/e nevojshme për 10 ditë pune të parapara për të shkruar strategjinë e organizatës. Duke filluar nga data e përzgjedhjes, përkatësisht nga 14 Janar 2022 dhe data e përfundimit do të bëhet në bashkëpunim me planin e punës të zhvilluar në bashkëpunim me KGVK-në. Zona gjeografike do të përfshijë të gjithë Kosovën, me fokus në zonat ku janë vendosur grupet e synuara. Vëllimi i punës do të ndryshojë në bazë të nevojave të organizatës.

Plani kohor

Plani i përafërt kohor do të jetë si në vijim:

  • Shpallja e pozitës 16 Dhjetor 2021
  • Afati i fundit për aplikimet 6 Janar 2022
  • Zgjedhja e ekspertit/ekspertës 14 Janar  2022
  • Plani i punës, materialet e tjera të nevojshme Mbetet të konfirmohet
  • Raporti përfundimtar Mbetet të konfirmohet

Ditë pune të planifikuara

Kjo kontratë do të përfshijë më së shumti deri në 10 ditë pune duke filluar nga 14 Janar 2022 deri më 28 Janar 2022, që do të faturohen në bazë të kohës së punës së realizuar. Ditët e punës do të specifikohen në planin e punës në diskutim me stafin e KGVK-së.

Koordinimi/përgjegjësia

Eksperti do t'i raportojë Drejtoreshës ekzekutive të KGVK-së, Bajramshahe Jetullahu, dhe do të veprojë në koordinim të ngushtë me Menaxherin e KGVK-së, Korab Mehmetaj, antarët e KGVK-së që do të jenë pjesë e punës.

Kualifikimet e ekspertit/ekspertës

Eksperti/ekspertja duhet të flasë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe angleze. Eksperti/ekspertja e përzgjedhur duhet të demonstrojë në aplikacionin e tij/saj që posedon, të paktën:

  • Një diplomë BA në fushën e studimeve gjinore dhe/ose sociologjisë.
  • Njohuri në shkrimin e Strategjive të organizatave jo qeveritare,
  • Përvoja së paku dy vjeçare në organizata jo-qeveritare, duke përfshirë përvojën si në hartimin e strategjisë ashtu edhe në analizën gjinore;
  • Përvojë dhe një qasje të përshtatshme në punën e afërt me grupet potencialisht të margjinalizuara dhe/ose të cenueshme (p.sh., ku përfshihen gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe në zonat rurale); dhe
  • Shkathtësi të shkëlqyera në shkrim.

Dorëzimi i ofertave

Ekspertët/ekspertet e kualifikuar të interesuara, duhet të dërgojnë pakon e aplikimit duke përfshirë:

  • CV-në;
  • Letrën e motivimit që shpjegon kualifikimet dhe kapacitetet për realizimin e këtyre detyrave;
  • Një përshkrim të shkurtër të qasjes së propozuar ndaj detyrave të renditura më lart (jo më shumë se një faqe);
  • Informatat e kontaktit për të paktën dy referenca; dhe
  • Tarifën ditore të propozuar nga eksperti/ekspertja, në përputhje me tarifat paraprake të verifikueshme në mënyrë të pavarur për punë të ngjashme të kryera nga eksperti/ekspertja.

Ekspertët e interesuar dhe të kualifikuar duhet të kenë parasysh se KGVK është një organizatë jofitimprurëse që kërkon oferta në përputhje me tarifat ditore vendore.

Ju lutemi, dorëzoni dokumentet e kërkuara deri më 6 Janar 2022, në orën 17:00 në e-mailin kgvk_b@hotmail.com duke shkruar në subjekt “Ekspert/e për Shkrimin e Strategjisë”.

Vlerësimi i kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen nga një komision prej tre personash, si në vijim:

  • 30% Përvoja
  • 30% Përshkrimi i propozuar
  • 20% Intervista (aftësi e komunikimit)
  • 20% Kostoja më e ulët.