Konsulencë: Zbatimi i programit te granteve te perputhshme

kosovo logo 150x150 1
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI)
Published
15/10/2020
Location
Pristina
Category
Listing Type
Tenders  
Eligibility
Non-Government Organisations, Businesses

Description

KËRKESË PËR SHPREHJE INTERESI
(SHËRBIME KONSULENCE - PËRZGJEDHJA E FIRMAVE)
(REKLAMË)

VENDI - KosovË

EMRI I PROJEKTIT- PROJEKTI I KONKURRENCËS DHE GATISHMËRISË PËR EKSPORT NË KOSOVË

NR I KREDISË 6035xk
NR I ID-SË SË PROJEKTIT 152881

TITULLI I DETYRËS: ZBATIMI I PROGRAMIT TË GRANTEVE TË PËRPUTHSHME

NR I ReferencËs: MTI/CQ/1.2.12
Data: 15 tetor 2020

OBJEKTIVAT DHE PËRSHKRIMI I PROJEKTIT

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) synon t'i financojë shërbimet e mëposhtme në kuadër të Projektit të Konkurrencës dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP) financuar nga Banka Botërore. Objektivi i Projektit CERP është ta mbështesë certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, ta fuqizojë kapacitetin e firmave të orientuara drejt eksportit si dhe t'i ulë shpenzimet e inspektimeve të biznesit. Projekti është ristrukturuar për t'iu përgjigjur nevojave të firmave që po ndryshojnë si rezultat i krizës së COVID-19.

CERP-ja përbëhet nga dy komponentët e mëposhtëm:

Komponenti 1: Përmirësimi i mjedisit biznesor dhe gatishmërisë për eksport

Nënkomponenti 1.1: Mbështetja e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) për ta përmirësuar gatishmërinë për eksport (10.40 milionë euro)

Ky nënkomponent ofron grante të përputhshme për NMVM-të të cilat eksportojnë ose kanë potencial eksporti, për t'i adresuar dështimet në treg të cilat po pengojnë investimet dhe rritjen e tyre. Në mënyrë të veçantë, grantet e përputhshme do t'i ndihmojnë firmat t'i marrin certifikimet dhe standardet e nevojshme të produkteve, t'i marrin shërbimet dhe trajnimet e nevojshme për zhvillimin e biznesit, si dhe të blejnë pajisje për prodhim dhe pajisje të vogla të nevojshme. Duke qenë se COVID-19 po dëmton në mënyrë disproporcionale NMVM-të dhe firmat eksportuese, fushëveprimi i Programit të Granteve të Përputhshme (PGP) është zgjeruar për t'i adresuar kështu nevojat e investimeve me synimin për t'i ndihmuar firmat të kthehen në nivelet e prodhimit dhe punësimit që ato i kishin para krizës, si dhe për të krijuar themele për rritjen e produktivitetit afatgjatë.

Nënkomponenti 1.2: Reformimi i sistemit të inspektimeve të biznesit (2.46 milionë euro)

Ky nënkomponent mbështet zvogëlimin e barrës administrative mbi bizneset dhe përmirësimet në efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve të inspektimit si dhe do ta financojë ngritjen e kapaciteteve, konsulencën dhe sistemet e TI-së për ta mbështetur zbatimin efektiv të ligjit të ri të inspektimeve nga Qeveria e Kosovës.

Komponenti 2: Mbështetja e Zbatimit dhe Koordinimit të Projektit 0.67 milionë euro.

Nënkomponenti 1.1 është i rëndësishëm për qëllimet e kësaj TeR. Më poshtë është një përmbledhje e aktiviteteve të projektit në kuadër të këtij nënkomponenti.

Raundi fillestar i 31 granteve është dhënë në kuadër të Programit të Granteve të Përputhshme përmes ish-Njësisë për Menaxhimin e Granteve pranë Ministrisë. Si pjesë e ristrukturimit dhe zgjerimit të CERP të programit të grantit për të reaguar ndaj pandemisë COVID-19, zbatimi i Programit të Granteve të Përputhshme do të transferohet te një njësi e jashtme e cila mund të jetë një firmë ose Organizatë Joqeveritare (OJQ), ose kombinim i të dyjave, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Njësisë për Zbatimin e Projektit (NJZP) të CERP dhe MTI-së. Për ta lehtësuar referimin, ky entitet do ta mbajë emrin Konsulent përgjatë këtij dokumenti.

Aktivitetet e financuara deri më tani përmes Programit të Granteve të Përputhshme përfshijnë marrjen e certifikimeve dhe standardeve të nevojshme të produkteve për eksport, aktivitete të mbështetjes së biznesit për hulumtimin e tregut, dizajnin e paketimit, trajnimin profesional dhe marketingun dhe promovimin, të gjitha këto për t'i përmirësuar kapacitetet e NMVM-ve për eksport.

Aktivitetet e mbështetjes së biznesit që do të financohen nga PGP-ja e modifikuar duhet gjithashtu ta lehtësojnë qasjen në njohuri për fushat kritike për t'iu përgjigjur pandemisë COVID-19, siç janë përmirësimi i kapaciteteve të tregtisë elektronike, çështjet e vazhdimësisë së biznesit, azhurnimi i procesit dhe teknologjisë. Shoqatat Biznesore do të jenë të kualifikueshme për grante por mund potencialisht të kontraktohen për të ofruar trajnime specifike dhe shërbime këshilluese për firmat dhe/ose për të siguruar lidhje me firmat ndërkombëtare.

Karakteristikat kryesore të Programit të Granteve të Përputhshme janë si më poshtë:

  • i hapur për të gjitha NMVM-të eksportuese dhe NMVM-të me potencial eksporti, si dhe Shoqatat Biznesore.
  • organet e vlerësimit të konformitetit që janë NMVM, siç janë laboratorët që verifikojnë nëse produktet e një firme i përmbushin standardet e nevojshme për certifikim, do të ishin gjithashtu të kualifikueshme pasi përmirësimi i tyre mbështet ekosistemin e eksportimit.
  • i hapur për të gjithë sektorët dhe rajonet, megjithëse aktivitetet specifike përjashtohen, siç përshkruhet në Manualin e Granteve.
  • siguron grante për blerjen e makinerive të prodhimit, pajisjeve që përdoren për vlerësimin e konformitetit, pajisjeve të vogla dhe shërbimeve për mbështetjen e biznesit.
  • përfshin praktikat efektive të qeverisjes me miratime të pavarura, të bazuara në merita, me rol thelbësor të mbikëqyrjes nga MTI-ja.
  • ndërton sistem të fortë Monitorimi dhe Vlerësimi (MV) me tregues të performancës të cilët matin rezultatet dhe ndikimin e PGP-së.
  • e mban programin të thjeshtë dhe fleksibil për zbatim efektiv dhe shpenzime më të ulëta të transaksioneve për aplikuesit për grante, duke treguar kujdes të duhur;
  • ruan sigurinë dhe integritetin e procesit të përzgjedhjes dhe operacioneve të PGP-së, përmes kontrolleve të rregullta mbi historikun e aplikuesve për PGP.

Këto karakteristika dhe detaje të tjera të programit përshkruhen në Manualin e Granteve i cili do ta udhëzojë menaxhimin e PGP-së dhe do t'i nënshtrohet përditësimit të rregullt nga MTI-ja, në konsultim/aprovim me Bankën Botërore, pasi përvoja fitohet në terren.

FUSHËVEPRIMI I PUNËS

Firma Konsulente do t'i ketë, ndër të tjera, përgjegjësitë kryesore vijuese gjatë kohëzgjatjes së projektit. Pritshmëritë janë që ekipi të jetë në dispozicion dhe i gatshëm për ta lëshuar thirrjen e parë për projekt propozimet si veprim prioritar në janar të vitit 2021.

Firma Konsulente do të jetë përgjegjëse për hartimin e strategjisë së përshtatshme të zbatimit për PGP-në në përputhje me kriteret dhe procedurat, siç përcaktohet në Manualin e Granteve, si dhe për përgatitjen e shablloneve për marrëveshjet e granteve, kontratave me shitësit dhe instrumenteve të tjerë operacionale që do të përfshihen në Manualin e Granteve.

Strategjia e PGP-së

  • Dakordimi dhe përcaktimi i modus operandi me MTI-në/NJZP-në dhe koordinimi i strategjisë dhe operacioneve.
  • Përditësimi i Manualit të Granteve sipas nevojës në koordinim me MTI-në/NJZP-në dhe me miratimin e Bankës Botërore.
  • Koordinimi i aktiviteteve të Panelit për Përzgjedhjen e Granteve, përfshirë procedurat dhe përgjegjësitë operative.

Promovimet dhe Komunikimet e PGP-së

  • Zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie të hollësishme komunikimi dhe kontaktimi për ta siguruar të kuptuarit sa më të gjerë të mundshëm të PGP-së si dhe qasjen në të nga ana e NMVM-ve.
  • Zgjerimi i të kuptuarit të tregut dhe nevojave të përfituesve potencialë të granteve duke kryer anketa të rregullta jozyrtare dhe zyrtare, punëtori dhe aktivitete të tjera kontaktimi për komunitetin biznesor të Kosovës.
  • Zhvillimi i të kuptuarit dhe kontakteve të gjera brenda NMVM-ve dhe shoqatave biznesore në të gjithë Kosovën.
  • Mbajtja e një strategjie efektive të komunikimit dhe programit të kontaktimit duke zhvilluar materiale promovuese, punëtori për trajnime dhe takime në kuvendin komunal etj., sipas rastit, në koordinim me MTI-në/NJZP-në. Kontaktimi duhet të vazhdojë virtualisht nëse takimet fizike nuk janë të realizueshme.

Menaxhimi i operacioneve të PGP-së

  • Krijimi i të gjitha sistemeve dhe procedurave të nevojshme të menaxhimit, kontabilitetit dhe raportimit për ta menaxhuar PGP-në në mënyrë efektive, duke integruar kontrolle të brendshme efektive, ndarje të detyrave, kërkesa të rregullta të kontabilitetit dhe një sistem raportimi të aftë për të nxjerrë raporte financiare të progresit për operacionet e PGP-së, në përputhje me Manualin e Granteve.
  • Krijimi dhe mirëmbajtja e një portali për paraqitjen e aplikacioneve në internet.
  • Mbledhja e aplikacioneve përmes portalit.
  • Krijimi i Panelit për Përzgjedhjen e Granteve dhe bashkërendimin e aktiviteteve të tij në koordinim me MTI-në dhe pa asnjë kundërshtim nga BB-ja. Paneli për përzgjedhjen e granteve duhet t'i nënshtrohet kritereve të kualifikueshmërisë, kujdesit të duhur dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga NJZP-ja (pa asnjë kundërshtim nga BB-ja).
  • Së bashku me Panelin për Përzgjedhjen e Granteve, krijimi i procedurave të nevojshme për rishikimin, vlerësimin dhe përzgjedhjen e propozimeve për grante.
  • Zbatimi i procedurave dhe rregullimeve të nevojshme që sigurojnë disponueshmëri të mjaftueshme dhe me kohë të fondeve për disbursimin e granteve, në koordinim me MTI-në/NJZP-në;
  • Krijimi i të gjitha procedurave të nevojshme për pagesa për përfituesit, duke përfshirë verifikimin e kërkesës për pagesë në përputhje me fushëveprimin e nënprojekteve.
  • Përdorimi i programit të kontaktimit për t'i ndihmuar aplikuesit për grante në përgatitjen e aplikacioneve të propozimit, për t'i ndihmuar firmat në identifikimin e nevojave dhe metodave për ta rritur konkurrencën për eksport dhe për t'i përmbushur kërkesat për qasjen në grante, kur është e nevojshme. [Firmat gjithmonë do të vendosin për nevojat e tyre dhe do t'i zgjedhin furnitorët e tyre.]
  • Zbatimi i thirrjeve për propozime sipas një plani të rënë dakord me NJZP-në/MTI-në.
  • Ndihma për identifikimin e ofruesve të shërbimeve për përfituesit, monitorimin e standardeve të cilësisë, kryerjen e verifikimit të çmimeve dhe përmbajtjes së shërbimeve.
  • Krijimi i një baze të dhënash për ofruesit e shërbimeve, veçanërisht ofruesit e Shërbimeve për Zhvillimin e Biznesit (SHZHB), të kategorizuar, me tarifa, etj., për ta lehtësuar përdorimin për aplikuesit.

Monitorimi dhe Vlerësimi i Granteve

  • Monitorimi dhe verifikimi i progresit: kryerja e vizitave në terren për mostra fizike dhe rishikimeve të rregullta të pajtueshmërisë me marrëveshjet kontraktuale duke përfshirë masat mbrojtëse (p.sh. në lidhje me mjedisin) gjatë kohëzgjatjes së secilit projekt; kryerja e rishikimeve fizike ose virtuale të kompletimit të shpërndarjes së pajisjeve dhe shërbimeve për ndërmarrjet përfituese.
  • Identifikimi i bazave fillestare, treguesve dhe synimeve që kërkohen për monitorim efektiv të performancës së projektit, përfshirë treguesit veçse të përfshirë në Manualin e Granteve.
  • Ndihma për ta krijuar një grup krahasues të ndërmarrjeve që nuk kanë marrë ndihmë (në konsultim me MTI-në dhe Bankën Botërore) për qëllime të vlerësimit të ndikimit.
  • Krijimi i një sistemi efektiv të MV-së duke përfshirë inputet, outputet dhe rezultatet e nxjerra nga PVP-ja. Sistemi i MV-së duhet ta furnizojë një sistem të automatizuar të Menaxhimit të Njohurive për t'u siguruar që mësimet nga PGP-ja përfshihen.
  • Rregullimet për vlerësime, raportime dhe auditime të rregullta të brendshme dhe të jashtme, siç kërkohet gjatë projektit dhe pas përfundimit të tij.
  • Përcjellja e treguesve kryesorë të progresit, përfshirë (për aq sa është e mundur) burimin e bashkëfinancimit të bërë nga përfituesi i PGP-së për t'u siguruar që “përputhja” të mos vijë nga programe të tjera të granteve që janë aktive në Kosovë.
  • Krijimi i një sistemi për menaxhim të ankesave për t'i trajtuar ankesat dhe rastet e dyshuara të mashtrimit dhe korrupsionit në lidhje me zbatimin e projektit. Ky sistem do të përfshijë udhëzime për përshkallëzimin e çështjeve të pazgjidhura në Panelin për Shqyrtimin e Ankesave të NMVM-ve, siç detajohet në Manualin e Granteve.

Kryerja e të gjitha aktiviteteve të tjera të politikave, promovimit, operimit dhe monitorimit dhe vlerësimit të kërkuara nga programi i menaxhimit të PGP-së.

STRUKTURA, REZULTATET DHE RAPORTIMI

3.1 Aranzhimet organizative

Llogaritë dhe regjistrimet që kanë të bëjnë me skemën e grantit do t'i nënshtrohen auditimit vjetor financiar dhe pajtueshmërisë.

Ky seksion duhet gjithashtu të sigurojë përcaktimin e qartë të roleve për aktivitetet vijuese:

  1. Buxhetimi, planifikimi i parave të gatshme, alokimi i buxhetit: MTI-ja është përgjegjëse të sigurojë ndarje dhe alokim adekuat të buxhetit për skemën e granteve në buxhetin kombëtar.
  2. Hartimi i thirrjes publike dhe dokumenteve shoqëruese - Konsulenti
  3. Miratimi i thirrjes publike dhe dokumenteve shoqëruese – NJZP-ja/MTI-ja
  4. Publikimi i Thirrjes për Aplikime - Konsulenti, vegëza e ofruar gjithashtu në faqen e internetit të MTI-së
  5. Udhëzime për aplikantët - Konsulenti
  6. Dorëzimi i aplikacioneve (përmes portalit online) - Konsulenti 
  7. Procesi i vlerësimit, përzgjedhjes dhe aprovimit - Paneli i Përzgjedhjes së Granteve i Konsulentit
  8. Procesi i shqyrtimit të ankesave - Paneli për shqyrtimin e ankesave - Konsulenti
  9. Hartimi i marrëveshjes për përfituesit - Konsulenti
  10. Çmimi i Grantit – MTI-ja (Nënshkrimi i kontratave)
  11. Shqyrtimi i Prokurimit - Konsulenti me mbështetjen e NJZP-së
  12. Parashikimi i Disbursimit të Grantit- Konsulenti
  13. Monitorimi i Projektit - Konsulenti
  14. Pranimi dhe përpunimi i kërkesës për pagesë nga përfituesi i grantit, duke përfshirë kujdesin e duhur për pagesë, verifikimin administrativ dhe fizik dhe përfundimin - Konsulenti
  15. Dorëzimi i raportit të disbursimeve të grantit, së bashku me dëshmitë mbështetëse, te MTI-ja për ekzekutim - Konsulenti
  16. Autorizimi dhe Ekzekutimi i Pagesës – MTI-ja
  17. Kontabiliteti dhe raportimi - Konsulenti.

Rezultatet dhe raportet

Nga Konsulenti pritet të sigurojë dëshmi të shpërndarjes së inputeve dhe rezultateve të projektit sipas një planifikimi të raportuar të dakorduar dhe progresit në shpërndarje. Pagesa e tarifave të menaxhimit do të lidhet me shpërndarjen e raporteve të kënaqshme të progresit, siç përcaktohet nga vizitat e rregullta të NJZP-së/MTI-së dhe/ose kërkesa të tjera specifike.

Të gjitha rezultatet do të dorëzohen në NJZP/MTI. Rezultatet do të përcaktohen në kontratën me Konsulentin. Rezultatet do të verifikohen në një seri raportesh fillestare, tremujore, vjetore dhe mbyllëse, si më poshtë.

3.3       Raporti fillestar

Konsulenti do të përgatisë, brenda një muaji nga nënshkrimi i kontratës, një Raport Fillestar, ndërsa Raporti i plotë duhet të finalizohet brenda tre muajve nga fillimi i kontratës. Raporti, ndër të tjera, do të përmbledh progresin e arritur gjatë fazës fillestare të programit PGP, çështjet që dalin dhe do të rekomandojë çdo përsosje të përshtatshme për hartimin e programit PGP.

3.4       Raportet tremujore të progresit dhe financave

Këto raporte të progresit, të cilat do të fillojnë pas Raportit Fillestar, do të mbulojnë, ndër të tjera:

  1. a) Aplikacionet dhe aprovimet e granteve;
  2. b) Ecurinë e programit të kontaktimit;
  3. c) Disbursimet dhe çështjet e përdorimit të PGP;
  4. d) Çështjet e prokurimit;
  5. e) Arritjet ndaj treguesve të përfshirë në Kornizën e Rezultateve të Projektit CERP;
  6. f) Raportet financiare tremujore të monitorimit të granteve, duke treguar ndër të tjera grantin e dhënë, vlerën e nënprojektit, shumën e disbursuar, të padisbursuar dhe statusin e projektit; si dhe barazimin e llogarisë, nëse ka.

Raportet tremujore të progresit do të përgatiten dhe dorëzohen në NJZP/MTI dhe jo më vonë se 30 ditë nga fundi i tremujorit.

3.5       Raporti Vjetor i Vlerësimit

Këto raporte do të përfshijnë raportin e katërt tremujor dhe përveç kësaj do të përmbajnë sa vijon:

  1. a) Progresin vjetor (raporte të konsoliduara tremujore)
  2. b) Pasqyrën financiare vjetore për operacionet e grantit
  3. c) Raportin e monitorimit dhe vlerësimit, që mbulon Treguesit Kyç të Performancës (TKP-të) në nivelin e rezultateve të tilla si: prodhimi, rritja e eksporteve, krijimi i vendeve të punës (gjithsej, të rinjtë dhe gratë); dhe çdo efekt tjetër indirekt.

3.6       Raporti i Përfundimit të Projektit

Ky raport do të përmbajë si vijon:

  1. a) Raportet e konsoliduara vjetore, përfshirë informacionin përkatës financiar
  2. b) Vlerësimin e brendshëm të rezultateve të PGP-së bazuar në të inpute, outpute, rezultate dhe ndikime, duke marrë parasysh kundër faktin e projektit dhe
  3. c) Një përmbledhje e mësimeve të përvojës për projektet e ardhshme të PGP-së.

KOHËZGJATJA E PARASHIKUAR

Pritet që periudha e konsulencës të jetë 24 muaj. Financimi i PGP-së është rreth 10.4 milion euro, dhe subjekt i modifikimit.

Detyra do të realizohet nga muaji nëntor 2020 deri në muajin tetor 2022 (duke mos përfshirë një zgjatje të mundshme). Prandaj, propozimi (teknik dhe financiar) nga firma e suksesshme (dhe gjithashtu drafti i kontratës) do të përgatitet bazuar në kohëzgjatjen e tillë të kontratës.

KRITERET E KUALIFIKIMIT

Kriteret e përdorura në përzgjedhjen e Firmës Konsulente përfshijnë:

  • Konsulenti i suksesshëm duhet të regjistrohet në Kosovë si kusht për nënshkrimin e kontratës sipas legjislacionit, ose në rast të një konsorciumi, të paktën një nga anëtarët e konsorciumit duhet të regjistrohet në Kosovë.
  • Dëshmia që Konsulenti ose ndonjë prej anëtarëve të konsorciumit nuk është nën hetim ose nën ndonjë administrim të dhunshëm të padetyruar, të lëshuar nga gjykata kompetente.
  • Dëshmia që Konsulenti ose ndonjë prej anëtarëve të konsorciumit nuk ka asnjë obligim ndaj Administratës Tatimore të Kosovës ose vendit të tyre përkatës për aplikantët ndërkombëtarë, të dëshmuar me certifikatë tatimore ose marrëveshje për shlyerjen e obligimeve.
  • Konsulenti dhe/ose ndonjë nga anëtarët e konsorciumit me së paku 5 vjet përvojë pune në zhvillimin e sektorit privat të dëshmuar me listë të referencave. Përvoja e punës me sektorin privat në Kosovë është e dëshirueshme.
  • Regjistri gjurmues i dëshmuar i Konsulentit dhe/ose cilitdo prej anëtarëve të konsorciumit në zbatimin dhe monitorimin me sukses të Programeve të Granteve të Përputhshme.
  • Qarkullimi prej të paktën 700 mijë euro për tri vitet e fundit kalendarike (2017, 2018 dhe 2019).
  • Të paktën pesë vjet operimi të dëshmuara me dëshmi/regjistrim nga regjistri i biznesit. Kjo është e zbatueshme për secilin anëtar në rast të një konsorciumi.
  • Numri, niveli i përvojës dhe njohurive të personelit të propozuar, duke demonstruar një përzierje të përshtatshme të aftësive në:
    • Diagnostifikimin e biznesit, në veçanti për NMVM-të dhe eksportuesit
    • Kuptimi i sektorit të eksportit
    • Financat e biznesit
    • Trajnimi i fuqisë punëtore dhe menaxhimit për NMVM-të
    • Monitorimi dhe vlerësimi i performancës
    • Menaxhimi i të dhënave
    • Komunikimet dhe kontaktimi

Shënim * CV-të e stafit nuk i nënshtrohen vlerësimit (pasi ato do të jenë objekt i negociatave për kontratë me Konsulentin që renditet i pari).

5.1 Plotësimi me staf i Njësisë së Menaxhimit dhe ekskluziviteti

Propozimi duhet të përfshijë të paktën pozitat kryesore vijuese (të ndara sipas nivelit ndërkombëtar/rajonal dhe me kohë të plotë/me kohë të pjesshme): Menaxheri i PGP; Zëvendës Menaxheri i PGP/Zyrtari Kryesor i Granteve; Kontabilistë; Zyrtar i Monitorimit dhe Vlerësimit Analist biznesi, Zyrtar i Prokurimit.

Për më tepër, Firma Konsulente, në koordinim me MTI-në/NJZP-në, do të krijojë një Panel Përzgjedhës të Granteve me minimum tre pjesëmarrës, të cilët nuk janë pjesë e ekipit të zbatimit të entitetit. Firma Konsulente duhet të ketë parasysh që buxheti i menaxhimit/operimit duhet të jetë i kufizuar në përqindjen e duhur të buxhetit total në dispozicion.

Gjeni më poshtë kualifikimet minimale të stafit:

Menaxheri i PGP

  • Së paku 10 vjet përvojë pune në zhvillimin e biznesit, mundësisht që ka përvojë në punën me menaxhimin e Grantit,
  • Diplomë universitare në ekonomi, menaxhim biznesi ose financa ose një fushë tjetër përkatëse,
  • Aftësi të shkëlqyera strategjike të planifikimit të biznesit,
  • Aftësi të provuara për menaxhimin e njerëzve dhe detyrave,
  • Përvojë në lehtësimin dhe koordinimin me qeverinë, sektorin privat dhe donatorët,
  • Shkathtësi të forta për të shkruar dhe prezantuar në anglisht. Njohja e gjuhës shqipe është e dëshirueshme.

Zëvendës Menaxheri i PGP-së/Zyrtari Kryesor i Granteve

  • Të paktën 5 vjet përvojë të dëshmuar në këshillimin e menaxhimit të biznesit, diagnostikimin, etj.
  • Përvojë në komunikimin me bizneset,
  • Aftësi të provuara për menaxhimin e njerëzve dhe detyrave,
  • Diplomë universitare në ekonomi, administrim biznesi dhe fusha të tjera përkatëse,
  • Shkathtësi të forta për të shkruar dhe prezantuar në anglisht. Njohja e gjuhës shqipe është e dëshirueshme.

Kontabilist

  • Të paktën 5 vjet përvojë pune në kontabilitet dhe menaxhim financiar,
  • Diplomë universitare në ekonomi, menaxhim biznesi ose financë ose kontabilitet, ose një fushë tjetër përkatëse,
  • Aftësi e demonstruar në planifikimin dhe buxhetimin efikas, mbajtjen e librave, monitorimin financiar dhe raportimin financiar,
  • Aftësi kompjuterike, njohuri të shkëlqyera të MS Office dhe aplikacioneve moderne të kontabilitetit,
  • Rrjedhshëm në anglisht. Njohja e gjuhës shqipe është e dëshirueshme.
  • Shkathtësi të shkëlqyera komunikimi dhe punë ekipore.

Zyrtari i Monitorimit dhe Vlerësimit

  • Të paktën 5 vjet përvojë në monitorimin e performancës së firmave
  • Përvojë në menaxhimin e të dhënave të treguesve të performancës dhe në analizimin dhe prezantimin e rezultateve
  • Përvojë pune me NMVM-të
  • Diplomë universitare në ekonomi, administrim biznesi, apo ndonjë fushë tjetër përkatëse
  • Të flasë rrjedhshëm gjuhën angleze. Njohja e gjuhës shqipe është e preferueshme.

Analist i biznesit

  • Të paktën 5 vjet përvojë në sektorin privat dhe projektet e zhvillimit të sektorit privat, veçanërisht me NMVM-të dhe/ose firmat eksportuese
  • Diplomë universitare në ekonomi, administrim biznesi, apo ndonjë fushë tjetër përkatëse
  • Të flasë rrjedhshëm gjuhën angleze. Njohja e gjuhës shqipe është e preferueshme.

Zyrtari i prokurimit

  • Diplomë universitare;
  • Përvojë në prokurimin publik (jo më pak se 5 vjet)
  • Të flasë rrjedhshëm gjuhën angleze. Njohja e gjuhës shqipe është e preferueshme.

Paneli i Përzgjedhjes së Grantit

Minimalisht, tre pjesëmarrës që nuk janë pjesë e ekipit zbatues. Ekspertiza e tyre duhet të mbulojë kolektivisht:

  • Zhvillimin e NMVM-ve dhe diagnostifikimn e biznesit
  • Përvojën me grante
  • Të kuptuarit e nevojave për ndërtimin e potencialit të eksportit
  • Përvojën në sektorin privat
  • Përvojën ndërkombëtare me diagnostikimin e sektorit privat
  • Të kuptuarit e financave të biznesit, përvoja e kapitalit sipërmarrës është një plus

Paneli do të përbëhet nga tre anëtarë, duke përfshirë të paktën një nga sektori privat, një nga akademia (institucion i lartë universitar) dhe një ekspert ndërkombëtar. MTI-ja do të jetë anëtare vëzhguese. Anëtarësimi do t'i nënshtrohet miratimit nga MTI-ja dhe Banka Botërore. Paneli i Përzgjedhjes së Granteve duhet t'i nënshtrohet kritereve të pranueshmërisë, kujdesit të duhur dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga NJZP (pa asnjë kundërshtim nga BB).

MTI-ja në përgjithësi pret që stafi i Konsulentëve të mos punojë në projekte të tjera në Kosovë. Në rastet kur stafi i Konsulentëve është i përfshirë edhe në projekte të tjera në terren, Konsulenti duhet të shpjegojë në propozimin e tij teknik se çfarë masash do të marrë për të siguruar konfidencialitetin e të dhënave dhe informacioneve dhe konfliktin e mundshëm të interesit të menaxhuar nga ekipi i caktuar në projekt.

5.2 Niveli i përpjekjeve

Niveli maksimal i vlerësuar i përpjekjeve është 350 ditë pune të nevojshme për të kryer detyrat/caktimet përkatëse.

Konsulenti do t’i kryejë shërbimet nga muaji nëntor i vitit 2020 deri në muajin tetor të vitit 2022 pas nënshkrimit të kontratës.

5.2 Procesi i përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes do të bazohet në kriteret e mëposhtme:

  • Regjistrin gjurmues të demonstruar të shërbimeve me ndikim të rritjes në kompanitë lokale përmes ofrimit të mundësive të financimit, zhvillimit të biznesit dhe shërbimeve të menaxhimit të granteve……………………………………………………………………………… (50%)
  • Përvoja përkatëse e punës me zbatimin e projekteve të ngjashme ………………... (30%)
  • Disponueshmëria e stafit të kualifikuar të Konsulentëve …………................................................ (20%)

Konsulenti do të përzgjidhet në përputhje me procedurat e përcaktuara në Udhëzimet e Bankës Botërore: Përzgjedhja dhe Punësimi i Konsulentëve sipas Kredive dhe Granteve të IBRD dhe IDA nga Huamarrësit e Bankës Botërore, janar 2011 i rishikuar në korrik të vitit 2014, sipas përzgjedhjes bazuar në metodën e Kualifikimit të Konsulentëve (CQ).

Pas përzgjedhjes së suksesshme, MTI-ja do t’i informojë të gjithë aplikantët për statusin e përzgjedhjes. Firma e interesuar Konsulente ose JV mund të marrin informacione të mëtejshme në adresën më poshtë gjatë orarit të punës: 08:00-16:00 (nga e hëna deri të premten).

Shprehja e interesit duhet të dorëzohet në formë të shkruar ose me e-mail, në adresën më poshtë deri më 29 tetor 2020.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
Personi kontaktues: Afërdita Selmani
Adresa: Rr. “Muharrem Fejza”, p.n. Lagjja e Spitalit
10000 Prishtinë/Republika e Kosovës
Email: aferdita.a.selmani@rks-gov.net

Shpallja e plote.