Arkiva Kategorie: Udhëzues për karrierë

Hapat drejt ndryshimit të suksesshëm të karrierës

Hapat drejt ndryshimit të suksesshëm të karrierës

A jeni duke menduar për një ndryshim karriere? Njerëzit kërkojnë të ndryshojnë karrierën për arsye të ndryshme. Qëllimet ose vlerat e punës suaj mund të kenë ndryshuar. Ju mund të keni zbuluar interesa të reja apo mund të dëshironi të fitoni më shumë para ose të keni orar fleksibël.

Nëse po mendoni për një ndryshim të karrierës, ky shkrim ju jep disa alternativa më ndryshe. Shumë më ndryshe.

Ndiqni këto hapa kryesorë:

Filloni me ‘Pse

Shumë njerëz i urrejnë punët e tyre, por ata nuk kanë shumë informacion përtej vendit ku punojnë. Ju duhet te mendoni për fjalën ‘pse’ para se të vendosni drejt diçkaje të re. Përndryshe, ju mund të përfundoni në një pozitë tjetër, por që ende e urreni.

Mendoni për këto pyetje: Pse e dua këtë ndryshim karriere? Pse kjo karrierë e re do ta bëjë jetën time më të mirë? Cilat mund të jenë pengesat ose rreziqet?

Ndonjëherë, gjatë këtij procesi, e kupton se gjërat në të vërtetë mund të mos jenë të përkryera, siç i keni imagjinuar. E ndonjëherë tjetër, rruga do të bëhet edhe më tërheqëse dhe do të ketë kuptim edhe më të mirë.

Behu i qartë në ‘çfarë

Si duket puna apo karriera e re? Si nuk duket? Si quhet?

Gjithashtu, një pyetje shumë e rëndësishme për tu marrë parasysh: A kam ndonjë  kapital të karrierës në këtë fushë? Me fjalë të tjera, a do të jeni në gjendje të shfrytëzoni shkathtësitë, kontaktet, dhe brendin tuaj profesional për të bërë një tranzicion të suksesshëm?

Shumë njerëz e përpijnë lehtë thënien “ndiqe pasionin tënd dhe gjithçka do të jetë mirë”. Por hulumtimet shkencore tregojnë se ata që “ndjekin pasionet e tyre” kanë një probabilitet më të ulët për të gjetur përmbushje afatgjate të karrierës për dallim prej atyre që përdorin kapitalin ekzistues të karrierës kur bëjnë një ndryshim.

Ndoshta do ta keni shumë më mirë të përqendroheni në pozitat që nxisin kapitalin e karrierës që keni krijuar ndër vite dhe të mbështeteni në këto fusha të ekspertizës në rrugë të reja dhe krijuese.

Kuptoni se çfarë kërkohet për një ndryshim karrierë

A ju mungojnë shkathtësi të caktuara që ju bëjnë kandidat i duhur për një pozitë të re? A keni nevojë për certifikime? Shkollim? Licenca?

Ndonjëherë, edhe nëse e bëni këtë, është plotësisht brenda mundësive. Mund të jetë çështje e thjeshtë e ndjekjes së një kursi online dhe zhvillimit të një shkathtësie bazë, në mënyrë që të mund të thoni me vetëbesim, “Po, unë e di Excel-in” ose “Po, unë mund të punoj në një program të caktuar.”

Por ndonjëherë, ju do të keni nevojë për arsim ose certifikim më të gjerë. Ju duhet ta mendoni këtë dhe të merrni vendime nëse jeni të gatshëm të bëni investimet  që kërkon ky ndryshim i karrierës apo jo.

Ju gjithashtu duhet të listoni burimet shtesë që ju nevojiten për të nisur këtë dhe kompromiset që mund të kërkohen. A do të marrë kjo përpjekje kohën tuaj nga marrëdhëniet ose aktivitetet e tjera në jetën tuaj? A ju përkrah familja?

Duke supozuar se të gjitha këto janë në rregull, tani ju keni nevojë të ndërtoni një plan.

Zhvilloni një plan veprimi

Filloni me rezultatin final në planin tuaj të veprimit. Cili është qëllimi i juaj kryesor dhe afati kohor ideal?

Pasi ta keni këtë pjesë, zbërthejeni atë në pikat kryesore – shkathtësitë që ju duhet t’i zhvilloni, njerëzit që duhet të takoni, gjëra që duhet të përfundoni në punën tuaj aktuale, gjërat personale që duhet të kryeni para se të bëni këtë ndryshim. Cilat janë momentet vendimtare?

Caktoni vetes detyrat ditore ose javore, në mënyrë që të dini se çfarë saktësisht do të bëni kur të uleni para kompjuterit në emër të “ndryshimit të karrierës”.

Ndërsa po i kryeni këto detyra, do të vëreni gjithashtu se si disa hapa të vegjël tentojnë të kenë një efekt të topit të dëborës dhe do t’ju japin si vrull ashtu edhe besim se kjo është, në fakt, një mundësi shumë reale.

Monitoroni progresin

Respektoni veten mjaftueshëm për të monitoruar progresin. Monitoroni se si jeni duke avancuar dhe çfarë duhet të bëni më pas. Vendosni shënime rikujtimi, në mënyrë që të ndiqni gjërat kur duhet.

Nëse jeni duke investuar kohë dhe energji për ta bërë këtë të mundur, investoni kohën dhe energjinë për të ndjekur progresin tuaj.

Një tabelë e thjeshtë në Excel do të bëjë mrekulli. Nëse nuk jeni person i Excel-it, përdorni mjetin që ju jep më së shumti kuptim kështu që të mos e braktisni përparimin.

Zhvendosni brendin tuaj

Ju do të duhet të ndryshoni brendin tuaj profesional në mënyrë që të ju kuptojnë audienca e re e synuar. Rregulli i thjeshtë: Sa më lehtë t’i bësh ata të të kuptojnë, aq më të mira mundësitë që ata do të duan të dinë më shumë për ty.

Konkurrentët tuaj, të paktën disa prej tyre, do të duken shumë mirë në letër, sepse ata kanë qenë në atë industri ose kanë punuar në pozita të ngjashme për disa vjet.

Pra, si do ta reklamoni veten në një mënyrë që jo vetëm që ju bën të dukeni logjikshëm, por mbase ju pozicionon si një njeri i shquar?

Mobilizoni rrethin tuaj

Merrni njerëzit tuaj në bord, veçanërisht ata që e dini se do ta mbajnë anën. Po, do t’ju duhet të jeni pak diskret në lidhje me qëllimet tuaja nëse jeni ende i punësuar diku tjetër, por kjo nuk është koha për të operuar plotësisht nën radar. Zgjidh kontaktet më të besuara dhe kërko ndihmën e tyre.

Dhe kur ta bëni, jini specifik. Nëse u thua njerëzve “unë jam duke menduar për t’u bërë një ekspert i shkrimit të granteve” kjo nuk tregon çfarë ju nevojitet ose si ata mund të ndihmojnë.

Lidhuni me njerëz të duhur

Ju absolutisht duhet të njoftoni njerëz pasionant dhe të suksesshëm që punojnë në fushën e re të interesit. Mos u streso për këtë. Njerëzit janë bujarë me kohën dhe kontributin e tyre më shumë sesa mendoni, veçanërisht kur shfaqni interes për ta dhe njihni ose validoni diçka që ata bëjnë profesionalisht.

Kurrë mos harroni se askush nuk dëshiron të zihet në pritë. Mënyra më e mirë për t’u afruar është duke dhënë një kompliment ose duke vërejtur diçka që ata janë duke bërë që duket interesante ose mbresëlënëse.

Pasi të ndërtoni njëfarë raporti, atëherë mund të kërkoni një favor ose pak nga koha e tyre. Dhe pa dyshim, falënderoni të gjithë ata që ju japin informacion dhe këshilla gjatë rrugës. Më mirë akoma, zbatoni rekomandimet e tyre. Ky është falënderimi më i mirë që mund të jepni.

Rekomandim

Arsyeja që shumë njerëz ngecin në ndryshimin e karrierë është sepse ata janë te frikësuar. Ndryshimi është i frikshëm. Frika nga e panjohura është e tmerrshme. Frikë nga dështimi? Me e keqja.

Atëherë cili është sekreti i njerëzve që ja dalin matanë ?

Në shumë raste është mjaft e thjeshtë: Ata ndërmorën një hap të vogël dhe të guximshëm drejt qëllimit secilën ditë, madje edhe kur ishte e papërshtatshme.

Ata i peshuan dhe i vlerësuan gjërat dhe vendosën të merreshin plotësisht me të. Tani është radha juaj.

praktikë pune

5 përfitimet e bërjes së një praktike pune

Praktika e punës (praktike profesionale, stazh ose internship) është mundësi që u ofrohet të rinjëve ose studentëve të interesuar për të fituar përvojë pune në një industri specifike. Programi i praktikës profesionale është gjithashtu një hap i rëndësishëm për orientim dhe ndërtimin e karrierës së qëndrueshme.

Nëse po hyni për herë të parë në tregun e punës pas universitetit ose një programi të aftësimit profesional, me shumë gjasë ju nuk keni ende përvojën e kërkuar. Praktika është një mënyrë e mirë për ta përmbushur atë boshllëk duke fituar një ekspozim të vlefshëm se si funksionon një biznes në fushën tuaj të përzgjedhur profesionale.

Zakonisht, një praktikant punon në një kompani ose organizatë për një periudhë të caktuar kohore, tre deri në gjashtë muaj. Praktikat profesionale mund të jenë në kohë të pjesshme p.sh. për vetëm disa ditë ose disa orë në javë. Ato mund të jenë edhe me orar të plotë, që nënkupton që praktikantet duhet të punojnë në të njëjtën kohë si punonjësit tjerë të kompanisë.

Praktika mund të kryhen në çdo kohë të vitit, përfshirë atë gjatë verës, dhe gjatë semestrit të rregullt shkollor apo universitar.

Disa prej avantazheve kryesore të praktikës për studentët:

  • Përvoja e punës;
  • Përvoja kërkimore dhe analitike;
  • Mentorship në punë;
  • Ndihmon në drejtimin e qëllimeve të karrierës;
  • Ndihmon në krijimin e rrjetit profesional;
  • Ndihmon në ndërtimin e një CV-je të fortë;
  • Siguroni referenca dhe rekomandime të mira;
  • Tranzicioni në një punë të përhershme;
  • Ndërton vetëbesimin.

Rëndësia dhe benefitet

Në kohën e sotme, praktikat janë shumë të rëndësishme sepse u ofrojnë studentëve orientim dhe njohuri për të punuar në fushën e tyre të dëshiruar. Ata mësojnë se si kursi i tyre i studimit apo trajnimit profesional inkorporohet në botën reale dhe ndërtojnë një përvojë të vlefshme që i bën ata kandidatë më të fortë për punë pas diplomimit apo certifikimit.

Praktikat në punë mund të jenë gjithashtu një mënyrë e shkëlqyeshme për të “provuar” një karrierë të caktuar. Për shembull, ju mund të dëshironi një punë të shpejtë në fushën e marketingut, por pas një praktike pune, mund të vëreni që kjo nuk është për ju.

Praktika profesionale është njohuri e vlefshme dhe do t’ju ndihmojë të zgjidhni rrugën tuaj të karrierës. Në disa kolegje apo shkolla, praktikat gjithashtu llogariten drejt kredisë së përgjithshme të kursit. Kjo varet nga kërkesat e shkollës individuale, por zakonisht një stazh tre-mujor llogaritet si një kredi e plotë për kursin.

Cfarë punë kryejnë praktikantët

Detyrat e përditshme të një praktikanti mund të ndryshojnë shumë, madje brenda të njëjtës industri. Në masë të madhe kjo varet nga vetë organizata apo punëdhënësi.

Në disa praktika, ju mund të përqendroheni më shumë në detyrat administrative. Por në të tjerat, ju do të jeni pjesë e rëndësishme e ekipit, duke dhënë kontribut të konsiderueshëm për kompaninë.

Praktikisht, prej praktikës duhet të përfitojnë studentët më shumë sesa kompania, përveç nëse praktikanti paguhet.

Kompensimi në praktike pune

Praktikat pa pagesë janë ato më të zakonshmet, por ka edhe shumë praktika të cilat paguhen. Kjo varet më shumë nga industria dhe pozita të cilën aplikoni. Për shembull, praktikantët editorialë në gazetari rrallë paguhen, ndërsa studentët e inxhinierisë dhe teknologjisë informative pothuajse gjithmonë paguhen.

Nëse mund ta përballoni një stazh pa pagesë, ajo mund të jetë një përvojë jashtëzakonisht e dobishme. Ju mund të merrni përvojë të dobishme në punë, të ndërtoni një portofol dhe të krijoni një rrjet të kontakteve profesionale që mund t’ju ndihmojnë pasi të keni mbaruar studimet apo certifikimin e trajnimit profesional.

Perspektiva në punë

Disa organizata dhe kompani ofrojnë oferta pune për praktikantë të jashtëzakonshëm pas përfundimit të praktikës. Për të përmirësuar shanset tuaja, bëhuni proaktivë në punën tuaj, kushtoni vëmendje detajeve, dëgjoni dhe merrni kritika, por edhe shprehni gatishmëri të merrni pjesë në projekte të veçanta.

Nëse arrini të pozicionoheni si një punëtor i zellshëm dhe i besueshëm atëherë kjo ua rrit shanset që të konsideroheni si punëtor i përhershëm i kompanisë.

Megjithatë, edhe nëse nuk arrini të siguroni punë të përhershme pas praktikës, ju mund t’i kërkoni kompanisë një referencë apo rekomandim për punë, të cilën mund ta përdorni kur të aplikoni për punë tjera më vonë.

Po aq e rëndësishme, ju tashmë keni takuar njerëzit e parë në rrjetin tuaj profesional. Mbani kontakt me ta.

Zhvillimi i shkathtësive në praktikë pune

Praktikat ose stazhet janë gjithashtu një mënyrë e shkëlqyeshme për të zhvilluar shkathtësitë në vendin e punës. Sigurisht që universiteti ose shkolla profesional ua siguron shkathtësitë e tilla si arritja e afateve, shkathtësitë kërkimore dhe analitike, por praktika në punë ju lejon të zhvilloni vetëdijen e biznesit për industrinë në të cilën dëshironi të punoni.

Për më tepër, praktikat ju lejojnë të zgjidhni problemin, të organizoni kohën tuaj në mënyrë efektive dhe të tregoni se mund të punoni në një ekip që është diçka ndryshe nga një prezantim seminarik në shkollë ose universitet.

shkathtësitë e buta

Si t’i zhvilloni shkathtësitë e buta në 2020?

Shkathtësitë e buta (soft skills) përfshijnë aftësi të përgjithshme që kërkojnë shumica e punëdhënësve kur rekrutojnë, dhe janë të nevojshme për shumicën e vendeve të punës. Ato nganjëherë quhen shkathtësi të transferueshme ose shkathtësi punësimi.

Përderisa shkathtësitë e forta (apo hard skills) janë shkathtësi të nevojshme për të bërë një punë specifike, përgjithësisht të fituara përmes punës, mësimit ose trajnimit profesional, shkathtësitë e buta janë ato të llojit që ju i fitoni përmes përvojës në jetë apo mënyra sesi ju:

  • komunikoni dhe silleni me të tjerët;
  • merrni vendime;
  • organizoni veten dhe punoni.

Punëdhënësit zakonisht kërkojnë njerëz me shkathtësi të buta që i përshtaten kulturës së kompanisë së tyre. Aplikimi dhe intervista juaj e punës duhet të dëshmojnë se shkathtësitë tuaja të buta përputhen me të tyre.

Sipas një studimi, shtatë karakteristikat kryesore të suksesit në një prej kompanive kryesore në botë si Google janë të gjitha shkathtësi të buta:

  • të jesh një trajner i mirë;
  • të komunikoni dhe dëgjoni mirë;
  • të keni parasysh vlerat dhe këndvështrime të ndryshme;
  • të jeni mbështetës ndaj kolegëve;
  • të mendoni në mënyrë kritike dhe të zgjidhni problemet;
  • të krijoni lidhshmëri me ide komplekse.

Ju mund të dëshironi të zhvilloni shkathtësi të reja të buta ose keni nevojë për këshilla se si të tregoni se i keni ato kur jeni në një intervistë pune.

Në vijim do të përqëndrohemi në 5 shkathtësitë më të mira të punëdhënësve që kërkojnë. Lexoni këshillat tona se si mund t’i zhvilloni këto shkathtësitë dhe të dalloheni nga kandidatët e tjerë në procesin e intervistimit.

Shkathtësitë e komunikimit

Komunikimi është një shkathtësi e rëndësishme për një gamë të gjerë të punëve dhe sektorëve, si:

  • Komunikim dixhital dhe IT – komunikim i qartë me email;
  • Marketing – komunikime të mira për audiencën tuaj;
  • Shërbime – që kanë të bëjnë me klientët;
  • Përkujdesje dhe punë sociale – ndihmë dhe kujdes për njerëzit;

Zhvilloni shkathtësitë tuaja të komunikimit duke takuar njerëz të rinj dhe duke punuar me ta. Ju mund të:

  • Bashkoheni me një ekip sportiv ose klub të arteve krijuese;
  • Të punoni si vullnetar;
  • Të mbani një fjalim në publik;
  • Të merrni pjesë në një kurs online;
  • Apo të bëni një prezantim në punë.

Nëse dëshironi të ndërtoni vetëbesimin tuaj, mund të praktikoni dhe zhvilloni shkathtësitë tuaja të komunikimit me familjen dhe miqtë si:

  • Organizoni një aktivitet – si p.sh. një kuiz;
  • Situata praktike – “si do të trajtonit një ankesë të klientit”;
  • Praktikoni duke shkruar email-a ose letra;
  • Praktikoni me zë një intervistë pune.

Shkathtësitë drejtuese apo të lidershipit

Shpesh punëdhënësit i asociojnë shkathtësitë e mira drejtuese me shkathtësitë e menaxhimit.

Edhe nëse nuk jeni në pozitë menaxheriale, ju sigurisht keni pasur përvojë lidershipi, si:

  • Menaxhimi i kohës;
  • Menaxhimi i konfliktit;
  • Zgjidhja e problemeve;
  • Mentorimi.

Nëse dëshironi të zhvilloni aftësitë tuaja drejtuese ju mund të:

  • Mentorni një student;
  • Organizoni kalendarin tuaj duke krijuar një orar kohor;
  • Zgjidhin konfliktin mes miqve ose kolegëve;
  • Motivoni të tjerët – ju mund ta bëni këtë duke organizuar aktivitete, argëtim ose edukim si një kuiz;
  • Mësoni aftësi për të tjerët – ju mund të krijoni manuale udhëzimesh ose video për t’i ndarë me familjen dhe miqtë.

Shkathtësitë pozitive

Qëndrim (attitude) është diçka që shumë punëdhënës e vlerësojnë. Punëdhënësit kërkojnë njerëz që shohin zgjidhje, jo probleme.

Kjo shkathtësi e butë është mund të reflektohet gjatë një interviste për punë. Ju mund të tregoni që keni një qëndrim të mirë dhe jeni të lumtur që takoni njerëz.

Punëdhënësit duan dikë që është i lumtur në punë dhe që shoqërohet me anëtarët e tjerë të ekipit.

Për të zhvilluar aftësitë tuaja pozitive ju mund të:

  • Motivoni një ekip;
  • Përpiquni të nxjerrni sa më mirë nga një situatë e vështirë;
  • Krijoni network – qoftë për punë apo edukim, kjo tregon një qëndrim të mirë për të mësuar dhe për tu zhvilluar;
  • Bëhu pjesë e një ekipi – tregohu se je lojtar i ekipit.

Shkathtësitë e fleksibilitetit

Fleksibiliteti u dëshmon punëdhënësve se jeni person i adaptueshëm në situata të ndryshme. Kjo gjithashtu tregon që ju mund ta pranoni ndryshimin dhe të përshtateni për një kohë të shkurtër dhe se jeni të gatshëm të shkoni përtej asaj që duhet të bëni.

Për të zhvilluar shkathtësitë e buta të fleksibilitetit ju mund të:

  • Duhet të riaranzhoni agjendën tuaj për shkak të një emergjence;
  • Duke bërë më shumë se një punë në një kohë;
  • Bëni diçka jashtë zonës tuaj të komfortit;
  • Ndryshoni planet tuaja për të ndihmuar dikë.

Shkathtësitë për zgjidhjen e problemeve

Punëdhënësit kërkojnë shkathtësitë e buta për zgjidhjen e problemeve sepse kjo tregon se ju mund t’i zgjidhni ato.

Për të zhvilluar shkathtësitë tuaja për zgjidhjen e problemeve ju mund të:

  • Luani lojëra logjike;
  • Zhvilloni shkathtësitë tuaja të komunikimit;
  • Mësoni të bëni analizën e të dhënave;
  • Provoni të mendoni dhe zhvilloni plane për problemet që keni.

Shkathtësitë e buta dhe punëdhënësit

  • Hulumtoni punëdhënësin – cila është kultura e kompanisë. Shikoni në faqen e tyre të internetit dhe shihni se cilat janë vlerat e kompanisë së tyre;
  • Shikoni përshkrimin e punës që po aplikoni. Ju duhet të jeni në gjendje të gjeni disa nga aftësitë e buta që ata kërkojnë;
  • Përdorni metodën STAR për t’ju ndihmuar të tregoni shkathtësitë e buta në përgjigjet dhe shembujt tuaj.
Udhëzuesi juaj për të zgjedhur karrierën

Udhëzuesi juaj për të zgjedhur karrierën

Shpesh të menduarit për atë se cfarë dëshirojmë të ‘bëjmë’ në të ardhmen shkakton një sens paniku tek ne. Sigurisht, ky është një vendim i rëndësishëm dhe ndodh që shumë njerëz të mos zgjedhin karrierën e tyre derisa të fillojnë të punojnë. Gjithashtu, ka shumë të atillë që në të vërtetë ndryshojnë drejtimin pas shumë viteve.

Tani për tani, ju thjesht do të dëshironit të përqendroheni në ngushtimin e opsioneve në fusha të caktuara të punës, ose llojet e gjërave që kënaqeni duke bërë. Edhe nëse e keni vendosur mendjen për një karrierë të caktuar, prapë ia vlen të kaloni kohë duke marrë parasysh nëse vendimi i juaj është zgjedhja e duhur. Udhëzuesi për karrierën ka për qëllim të ju ndihmojë në këtë drejtim.

Cfarë të pelqen të bësh?

Kjo mund të duket e thjeshtë, por gjëja e parë që duhet të merrni parasysh kur vendosni për karrierën është ajo që ju pëlqeni të bëni. Mendoni për interesimin tuaj, llojin e punës që do t’ju përshtatej, dhe aftësitë që keni.

A preferoni punë analitike, si matematika ose shkencat, apo jeni më shumë në fushën krijuese? A ju pëlqejnë gjëra të tilla si hulumtimi, planifikimi ose leximi, ose preferoni detyra më praktike, fizike, që ju lejojnë të përdorni duart tuaja për të ndërtuar, krijuar ose rregulluar gjëra? Ndoshta ju kënaqeni duke ndihmuar njerëzit ose mbase keni treguar aftësi për të qenë të organizuar dhe metodik. A ju pëlqen të punoni si pjesë e ekipit ose individualisht, ose ka ndonjë demografi të caktuar që ju tërheq (fëmijët, të moshuarit ose kafshët, për shembull)?

Cfarë lloji i ambientit të punës ju tërheq?

Një tjetër gjë për tu marrë parasysh është ambienti në të cilin e shihni veten duke punuar. A jeni më shumë në shtëpi pas tavolinës apo jashtë në diell? Dëshiron të punosh gjatë ditës, gjatë fundjavave, gjatë natës ose në telefon? Dëshiron të udhëtosh brenda vendit ose jashtë shtetit për punë, ose do të preferonit të qëndronit në një vend? E shihni veten duke punuar në industri private apo në sektorin publik? Disa nga këto kushte do të varen nga vendi i caktuar i punës që ju zgjedhni, ndërsa të tjerët janë goxha standarde për profesionin në përgjithësi.

A ka profesion që përputhet me rrugën tuaj të synuar të karrierës?

Tani që e dini se çfarë ju pëlqen të bëni (dhe si dëshironi ta bëni atë), është koha që me të vërtetë të eksploroni mundësitë. Mund të përdorni përshkrimet e ndryshme të punës për të gjetur atë që ju përshtatet dhe të hulumtoni karrierën e disponueshme.

Nëse nuk mund të gjeni një punë që përputhet me interesat dhe aftësitë tuaja, mbani mend se vendet e punës ndryshojnë vazhdimisht – veçanërisht në fushat siç janë komunikimi, IT dhe inxhinieria. Do të gjeni gjithashtu që përgjegjësitë e punës ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vendit të punës – për shembull, detyrat e punës në fushën e marrëdhënieve me publikun në sektorin publik do të jenë shumë të ndryshme nga ato në industrinë e modës.

Mos harroni se ju mund të zgjedhni edhe rrugën e pavarur dhe të punoni në mënyrën që ju përshtatet, ndoshta edhe duke filluar biznesin tuaj, ku shihni se ka hendek në këtë fushë.

Sa angazhim jeni gati të bëni?

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e karrierës, duhet të merrni parasysh sa angazhim jeni të gatshëm të bëni për të arritur qëllimin tuaj përfundimtar. Filloni duke lexuar profilet e punës që keni hulumtuar, si dhe eksploroni pro-të dhe kontra-t e fushave tuaja të dëshiruara të studimit apo punësimit. Disa profesione mund të mos kenë kërkesa zyrtare dhe ofrojnë praktikë dhe trajnim për aplikantët.

Nëse po konsideroni një karrierë në fusha të tilla si arkitektura, mjekësia ose drejtësia, ju do të keni para vetes disa vite studime universitare me periudha të detyrueshme përvoje praktike dhe kërkesa të rrepta të akreditimit.

Mbani në mend se tregu i punës është konkurrues dhe ndërsa disa profesione nuk kërkojnë kualifikime specifike, shanset tuaja për të fituar punësim zakonisht rriten nëse keni ndërmarrë studim ose përvojë pune në këtë fushë.

Rregullat e mirësjelljes në vendin e punës

Rregullat e mirësjelljes kanë rëndësi të madhe në bashkëveprimin tonë të përditshëm në vendin e punës dhe mund të bëjë ndryshim akoma më të madh në mundësitë tona të përparimit në karrierë. Por jo të gjithë e dinë se çfarë do të thotë të kesh mirësjellje.

Në vijim po japim një listë të rregullave që duhet të respektohen dhe aplikohennë vendin e punës – dhe kudo tjetër.

Thuaj të lutem dhe faleminderit.

Nëse kërkoni diçka, ose kërkoni nga dikush që të bëjë diçka, thoni “të lutem”. Nëse dikush bën diçka për ju, ose ju jep diçka, thoni “faleminderit”.

Thuaj përshëndetje dhe mirupafshim.

Përshëndetni njerëzit kur t’i takoni apo hasni. Në mëngjes thoni “Mirëmëngjesi”. Në mënyrë të ngjashme, kur të largoheni, thuani “Mirupafshim” ose “Ditën e Mirë”.

Mos i injoroni njerëzit në ashensor.

Kjo është gjëja më e çuditshme që hasni në vendin e punës. Ju jeni në ashensor me njerëz që i njihni në kompaninë tuaj (por nuk punoni së bashku) dhe ata shmangin lidhjen me sy sikur nuk jeni aty. Edhe nëse nuk e pëlqeni dikë, duhet t’i përshëndetni në ashensor.

Ofroni kafe.

Nëse jeni duke porositur kafe, pyetni njerëzit përreth jush nëse dëshirojnë kafe ose çaj.

Thuaj “më fal”.

Nëse dikush ua zë rrugën, nëse ecni mes dy personave që bisedojnë, nëse keni nevojë të ndërprisni një bisedë, thoni “më falni”.

Mos ndërhyni.

Në mënyrë ideale, ju nuk duhet të ndërprisni njerëzit kur flasin. Lërini të mbarojnë. Nëse duhet të ndërprisni, thoni “më falni” ose “më falni që ju ndërpreva”.

Thuaj “më vjen keq.”

Po ashtu thuaj “më vjen keq” nëse me qëllim ose pa dashje e lëndon dikë, ose nëse je i pasjellshëm, ose nëse bën një gabim që i kushton dikujt tjetër në çfarëdo mënyre. Ndonjëherë jemi të pasjellshëm dhe e kuptojmë se kemi bërë një gabim, jemi shumë të turpëruar për të thënë ndonjë gjë dhe thjesht vazhdojmë më tej sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mos e bëj atë. Nëse vepra ishte shumë e keqe, blini një dhuratë të vogël si kafe ose çokollatë.

Mbajeni derën.

Kur kaloni nëpër një derë, gjithmonë shikoni prapa vetes dhe shihni nëse dikush tjetër po vjen. Nëse dikush është, mbaje derën hapur. E njëjta gjë vlen edhe kur futeni në ashensor dhe shihni që dikush po vjen.

Fikni telefonin kur jeni në zyrë.

Është në rregull nëse harroni një herë, por mos u bëni personi që mban telefonin në vëllimin më të lartë dhe merr telefonata gjatë gjithë ditës.

Mos e kontrolloni telefonin tuaj në takim ose kur dikush flet.

Shumica prej nesh jemi pak fajtorë për këtë. Disa thjesht vjedhin një vështrim herë pas here, ndërsa të tjerët shikojnë në ekran kur dikush po flet. Është më mirë t’i kushtoni vëmendje të plotë personit para jush.

Mos u ankoni.

Ankesat helmojnë atmosferën, ju bën të tingëlloni si një amator dhe mund të dëmtojë ndjenjat e dikujt.

Mos jepni këshilla të pakërkuara.

Ne jetojmë në një botë ku njerëzit janë gjithmonë duke u thënë të tjerëve se si të jetojnë. Ata ju tregojnë se çfarë duhet dhe nuk duhet të hani dhe vishni, si të jeni të lumtur, si të ushtroni në gym dhe si të menaxhoni marrëdhëniet tuaja. Kjo është e pasjellshme.

Mos bëni vërejtje personale për pamjen ose veshjen e dikujt.

Vërejtjet personale konsiderohen të vrazhda. Nuk është mirë të komentosh peshën ose pamjen e dikujt (përveç nëse jeni miq të mirë). Kini kujdes.

Si të shkruani një email profesional?

Si të shkruani një email profesional? kastori
Si të shkruani një email profesional?

Emaili, ose posta elektronike, në ditët e sotme është një nga format më të përdorura të komunikimit si brenda ashtu edhe jashtë vendit të punës. Për arsye të shumta, ju do të përdorni email-in pa marrë parasysh pozitën ose industrinë ku punoni. Për shembull, ju do të duhet të thirrni një takim të rëndësishëm, të shkëmbeni informacione, të transmetoni një dokument të rëndësishëm, të dërgoni një aplikacion për punë, ose të përgjigjeni në pyetjet e tjerëve.

Konsideroni udhëzimet e mëposhtme dhe disa prej praktikave më të mira për t’ju ndihmuar si të shkruani një korrespodencë elektronike efektive dhe profesionale.

Gjashtë hapat për të shkruar një email profesional

Nëse nuk jeni të sigurt se si të filloni një email, udhëzimet në vijim mund t’ju ndihmojnë të krijoni një mesazh profesional.

1. Identifikoni qëllimin tuaj

Para se të shkruani një email, pyesni veten se çfarë dëshironi që pranuesit e korrespodencës të bëjnë pasi ta lexojnë atë. Pasi të keni përcaktuar qëllimin e emailit tuaj, ju mund të siguroni që gjithçka që përfshini në mesazhin tuaj ta mbështesë këtë veprim. Për shembull, nëse doni që pranuesi i emailit të rishikojë një raport që keni bashkangjitur, njoftojini ata se cili është raporti, pse keni nevojë që ata ta rishikojnë atë, çfarë lloj reagimesh ju nevojiten, dhe kur keni nevojë për përgjigje apo detyrën e përfunduar.

2. Konsideroni audiencën tuaj

Kur shkruani një mesazh përmes email-it, sigurohuni që toni i juaj në email përputhet me audiencën. Për shembull, nëse i shkruani një menaxheri të biznesit që nuk e keni takuar kurrë, mbani emailin serioz dhe pa ndonjë shaka ose informaliteti. Nga ana tjetër, nëse i dërgoni email një kolegu me të cilin keni një marrëdhënie të mirë, mund të përdorni një qasje më pak zyrtare, apo më shumë miqësore.

3. Mbajeni konciz

Audienca juaj mund të ketë pak kohë për të lexuar emailin tuaj, kështu që shkruajeni sa më shkurtër që të jetë e mundur, pa lënë anash informacionin kryesor. Mundohuni të mos adresoni shumë tema përnjëherë, pasi kjo mund ta bëjë mesazhin tuaj të gjatë, sfidues për ta lexuar, dhe vështirë për të ndërmarrë ndonjë veprim. Kur të redaktoni emailin, largoni çdo informacion që nuk është i rëndësishëm për temën që po adresoni. Përdorni fjali të shkurtra, të thjeshta, duke hequr fjalët plotësuese dhe informacionin e çuditshëm. Kjo do ta bëjë mesazhin më të shkurtër dhe më të lehtë për t’u lexuar.

4. Redaktoni emailin

Një e-mail pa gabime tregon profesionalizëm. Para se të dërgoni e-mailin, sigurohuni që keni kontrolluar gabimet drejtshkrimore, gramatikore ose sintaksore. Gjithashtu, kontrolloni që keni përfshirë ndonjë dokument që mund t’i jeni referuar në mesazh. Nëse është një mesazh i rëndësishëm për palët e interesit, mund të kërkoni nga mbikëqyrësi juaj i drejtpërdrejtë ose një koleg i besueshëm që ta lexojë atë përpara se ta dërgoni.

5. Përdorni etiketimet e duhura

Gjithmonë përfshini në mesazh përshëndetje të sjellshme për t’u dukur miqësore dhe të sjellshëm. Për më tepër, jini të vëmendshëm për audiencën dhe kohën e tyre.

6. Mos harroni të bëni follow-up

Shumica e njerëzve marrin shumë posta elektronike gjatë ditës, kështu që mund të harrojnë t’i përgjigjen mesazhit tuaj. Nëse pranuesi i emailit nuk është përgjigjur brenda dy ditëve të punës, ju mund të dërgoni një email rikujtues miqësor.

Formati i postës elektronike

Janë pesë elementë që duhet të merren parasysh kur shkruani email.

1. Tema ose subjekti

Kjo është një frazë e shkurtër që përmbledh arsyen e mesazhit tuaj ose qëllimin e komunikimit tuaj. Eshtë e rëndësishme të përfshini një fjali kur dërgoni email profesional në mënyrë që audienca juaj ta di saktësisht se çfarë të presë dhe të jetë në gjendje ta lokalizojë me lehtësi mesazhin nëse është e nevojshme. Për shembull:

Rikujtim: Prezantimi i Produkteve Marketingu Digjital

2. Përshëndetja hyrëse

Kjo është fjalia e parë e emailit tuaj, dhe në përgjithësi është përshëndetje. Për shembull:

Përshëndetje z. Kushtrim,

3. Përmbajtja

Ashtu si përmbajtja e një letre, këtu duhet të shkruani mesazhin tuaj të plotë. Për shembull:

Faleminderit shumë që morët pjesë në prezantimin e produktit të ri këtë pasdite. Ne kemi bashkangjitur një dokument të videos të incizimit të plotë, që ju mund ta ndani me ekipin tuaj. Ju lutem më tregoni nëse keni ndonjë pyetje.

4. Përfundimi

Kjo është fjalia e fundit e emailit dhe duhet të përmbyll mesazhin tuaj. Kjo është gjithashtu kur ju mund të përsërisni çdo kërkesë që keni bërë në përmbajtjen e mesazhit tuaj. Për shembull:

“Siç u dakorduam, shihemi të Mërkurën. Faleminderit përsëri!”

5. Nënshkrimi

Nënshkrimi është aty ku ju e identifikoni veten me emrin, titullin dhe çdo informacion tjetër të rëndësishëm për komunikimet tuaja. Shumica e programeve të emailit ju lejojnë të vendosni një nënshkrim (apo signature) të caktuar që shtohet automatikisht në fund të çdo emaili që dërgoni.

Sinqerisht,

Alban Krasniqi
Inxhinier i Lartë i Softuerëve
Kompania ABC

Shembuj të postave elektronike profesionale

Këtu janë tri shembuj të postave elektronike profesionale:

1. Email për një klient të ri

Subjekti: Mundësia e kontratës hulumtuese UX

Pershendetje Kushtrim,

Shpresoj që ky email ju gjen mirë.

Jemi duke menaxhuar një projekt të ri-përcaktimit të aplikacionit këtu në Kompaninë ABC dhe jemi në kërkim të një eksperti të aftë të UX për të ndihmuar në analizimin e disa grupeve të të dhënave të testimit të përdorshmërisë.

Ky është një angazhim tre-mujor që fillon më 1 shkurt, dhe vlerësojmë se do të zgjasë afro 15 orë në javë. Të gjitha punët mund të kryhen në distancë, por ju jeni të mirëseardhur të përdorni hapësirën tonë të punës.

Ju lutem më tregoni nëse jeni të interesuar në këtë konsulencë dhe pastaj mund të diskutojmë detajet më shumë.

Pres përgjigjen tuaj.

Alban Krasniqi
Inxhinier i Lartë i Softuerëve
Kompania ABC

2. E-mail për disa persona

Subjekti: Takimi i marketingut është anuluar

Përshëndetje ekipi,

Ju njoftoj që takimi i strategjisë së marketingut, i planifikuar këtë pasdite, është anuluar.

Kërkoj falje për njoftimin e kohës së fundit. Ne do të takohemi në kohën tonë të planifikuar rregullisht të mërkurën e ardhshme.

Faleminderit!

Alban Krasniqi
Inxhinier i Lartë i Softuerëve
Kompania ABC

3. Email përcjellës

Subjekti: Re: Takimi hyrës

Përshëndetje Tringa,

Deshta vetëm të ju rikujtoj në lidhje me datën e takimit tuaj me z. Kushtrim Krasniqi. Më njoftoni ju lutem nëse 5 qershor ose 6 qershor funksionojnë më mirë për kalendarin tuaj.

Faleminderit!

Alban Krasniqi
Inxhinier i Lartë i Softuerëve
Kompania ABC